Shpëtim Duro: Arsyet pse nuk po fiton më Partizani

556
Sigal

Specialisti i  njohur analizon për “Telegraf” nëntë javët e Superligës dhe rinovimin e De Biazit

Shpëtim Duro, një nga trajnerët e njohur shqiptarë, në intervistën e tij për gazetën “Telegraf” analizoi nëntë javët e para të Kategorisë Superiore, ku sipas tij qartësuar dy grupet e mëdha: ekipet që luftojnë për trofe dhe një vend në zonën europiane, si dhe ato që do të luftojnë për mbijetesë, nisur edhe nga fakti se, në përfundim të sezonit do të bien direkt katër nga 12 skuadra që ka ky sezon i Superligës. Duro, i cili ka punuar si trajneri i disa skuadrave, përfshirë Partizanin, Skënderbeun (kampion), Besën (fitues Kupe dhe Superkupë), Vllanzinë, etj, tha se “Partizani po vuan nga efikasiteti në sulm, ndërkohë që edhe mesfusha nuk është e konsoliduar”. Ai pret një reagim të Partizanit në dy ndeshjet e fundit të fazës së parë, ato ndaj  Skënderbeut dhe Teutës, dy ekipeve që kryesojnë kampionatin. Shpëtim Duro, cili ka punuar si ndihmësi i Oto Bariçit, teknikut kroat të Kombëtares në vitet 2006-2008, foli edhe për rinovimin e kontratës me trajnerin italian Xhani De Biazin, duke e konsideruar një vendim të mirë të Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, pavarësisht zhgënjimit sidomos në katër ndeshjet e fundit.  Nuk mund të mungonte dhe një vlerësim i Duros, një ish-trajner i Kombëtares U-17 edhe paraqitjen e suksesshme të Shqipërisë U-17 dhe kualifikimit të saj në fazën e “Elite Round” të Kampionatit Europian. “është një kualifikim që duhet përshëndetur. Është bërë një punë e mirë nga ana e trajnerit boshnjak Xhemal Mustedanagiç, i cili ka mundur ta kualifikojë ekipin dy herë në tri eliminatoret e fundit të Europianëve”, – tha Duro, ndërkohë që theksoi faktin se rezultate duhet të kenë edhe ekipet U-19 dhe U-21.

  –  Zoti Duro,  janë luajtur nëntë javë nga sezoni aktual i Kategorisë Superiore, teksa kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i fazës së parë. Si i keni parë ato?

– Duke i bërë një analizë të përgjithshme këtyre nëntë javëve, do të thosha se tashmë i kemi më të qartë profilet e skuadrave, ndërkohë që janë qartësuar dy grupet e mëdha: ekipet që luftojnë për trofe dhe një vend në zonën europiane, si dhe ato që do të luftojnë për mbijetesë, nisur edhe nga fakti se, në përfundim të sezonit do të bien direkt katër nga 12 skuadra që ka ky sezon i Superligës.

– Sipas jush, cilat ekipe kanë bindur më shumë?

– Padyshim, ekipet që janë të paktën në katër vendet e para, pra po i rendis sipas pozicionit që ato zënë edhe në tabelën e klasifikimit: Teuta, Skënderbeu, Vllaznia dhe Partizani. Skënderbeu ka dominuar futbollin tonë në tre sezonet e fundit, ku edhe është shpallur kampion dhe është pretendenti numër një edhe këtë vit. Teuta po tregohet një skuadër e pjekur, duke dëshmuar vazhdimësi në edicionet e fundit, ku ajo është renditur midis dy-tre të parave.

– Partizani ka humbur në dy ndeshjet e fundit, ato me Lushnjën dhe Vllazninë, duke humbur disi shkëlqimin e javëve të fundit. Në këndvështrimin tuaj, cilat mund të jenë arsyet?

– Partizani i bëri një nisje të mirë sezonit, duke fituar disa ndeshje radhazi. Me këto dy humbjet e fundit me Lushnjën në transfertë, dhe sidomos me Vllazninë në kryeqytet vështirësohet disi kampionati për të, kjo dhe për faktin se të premten do të luajë në Korçë ndaj Skënderbeut, në një transfertë mjaft të vështirë. I duhet të japë maksimumin dhe një reagim i fuqishëm, pasi pas korçarëve do të luajë me Teutën, pra me dy ekipet që kryesojnë kampionatin. Sulmi është ende jo i pakompletuar dhe lojtarët nuk janë në formë, por dhe mesfusha lë për të dëshiruar. Disi më mirë është mbrojtja.

– Java e nëntë konfirmoi krizën e Tiranës pas humbjes me Besën në Kavajë…

– Fitorja e Besës me Tiranën e ka rritur konkurrencën sidomos, për ato ekipe që i përkasin “gjashtëshesh” të dytë, pra të atyre që do të luftojnë për të mos rënë nga Kategoria. Të vjen keq që, Tirana, ekipi që ka fituar më shumë trofe ndodhet në atë gjendje, por unë kam besim se me ndërhyrjet në merkaton e janarit dhe me një mbështetje më të fuqishme financiare ajo do të dijë të dalë nga ajo situatë. Në këtë javë, unë do të veçoja edhe fitoren e Flamurtarit me Kukësin. Një sukses inkurajues për vlonjatët. Më bën pak çudi rënia e Kukësit, që sezonin e kaluar ishte një nga dy ekipet më të mira të vendit.

– Le të kthehemi te tema e Kombëtares. Para pak ditësh, Xhani De Biazi rinovoi kontratën e tij me Federatën Shqiptare edhe për dy vite të tjera, pra për fushatën kualifikuese të Euro 2016. Cili është vlerësimi juaj, për këtë rinovim?

– Jam i mendimit se, përderisa Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e kishte ndarë mendjen për të pasur në krye një trajner të huaj, atëherë unë them se bëri mirë që zgjodhi sërish Xhani De Biazin. Ai tashmë e njeh mirë skuadrën, plus faktit që shumica e lojtarëve janë sjellë në ekip nga ai. Natyrisht që, mund t’i kishim bërë një mbyllje më të mirë sezonit, pasi në katër ndeshjet e fundit morëm vetëm një pikë (atë me Qipron), por kjo tashmë është shndërruar në një rutinë për ne vendi i parafundit.

– Kombëtarja U-17, një ekip që e keni drejtuar para disa vitesh edhe ju, arriti të kualifikohej për në “Elite Raund” të Kampionatit Europian të saj moshe…

– Sigurisht që, është një kualifikim që duhet përshëndetur. Është bërë një punë e mirë nga ana e trajnerit boshnjak Xhemal Mustedanagiç, i cili ka mundur ta kualifikojë ekipin dy herë në tri eliminatoret e fundit të Europianëve. Gjithsesi, edhe më parë 17-vjeçarët dhe 19-vjeçarët kanë pasur kualifikimeve, pasi janë ekipe moshash dhe luhet me gjenerata lojtarësh.

– Kombëtarja Shpresa po zhgënjen: pesë ndeshje, pesë humbje…

– Kuptohet, që nuk ka nevojë për shumë koment. Lënë shumë për të dëshiruar rezultatet e saj, por të mos harrojmë se ka pasur kundërshtarë shumë të fortë, nga më të mirët në Europë, përfshirë edhe kampionët e saj moshe, Spanjën.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA 10

E PREMTE,  01.11.2013

Teuta-Kastrioti            14:00

Skënderbeu-Partizani 17:00

E shtunë, 02.11.2013

Tirana-Flamurtari    14:00

Lushnja-Besa         14:00

E diel, 03.11.2013

Vllaznia-Bylis       14:00

Laçi-Kukësi          14:00

RENDITJA

1    Teuta Durrës    9    19

2    Skënderbeu      9    19

3    Vllaznia        9    16

4    Partizani       9    14

5    Laçi            9    13

6    Lushnja         9    12

7    Bylis           9    10

8    Tirana          9    10

9    Kukësi          9    9

10   Kastrioti       9    9

11   Besa Kavajë     9    8

12   Flamurtari      9    8

Shpëtimi u dërgua nga trajneri gjerman, për të ndjekur takimet Çeki-Greqi (miqësore) dhe Greqi-Danimarkë (zyrtare)

 “Spiuni” i Brigelit kundër Greqisë

 Shpëtim Duro vlerësohet shumë në ambientet futbollistike, për njohuritë e tij dhe mënyrën sesi ai e përgatit një ndeshje. Mund ta konsiderosh edhe një “Murinjo” shqiptar, pasi Shpëtimi është një njëri i detajeve dhe di ta lexojë shumë mirë kundërshtarin. Pikërisht, këtë aftësitë të Duros e kishte pikasur edhe ish-trajneri i Kombëtares, gjermani Hans-Peter Brigel. Në atë kohë, Duro ishte trajneri i Kombëtares U-19 dhe Brigeli e ngarkoi për të kryer disa misione të posaçme “spiunimi” për të grumbulluar të dhëna ndaj Greqisë, kundërshtares së parë në eliminatoret e Botërorit 2006. “Është e vërtetë. Shpesh herë kam shërbyer si konsulent i Brigelit dhe kam zbatuar me korrektësi kërkesat e vendosura prej tij. Kam qenë i pranishëm në disa ndeshje miqësore dhe zyrtare, kryesisht të ekipit grek. Kam vrojtuar ndeshjen miqësore Çeki-Greqi në Pragë (gusht 2004), vetëm dy muaj pasi Greqia ishte shpallur kampione e Europës, një takim që përfundoi 0-0. I përgatita një raport të detajuar. Brigeli mbeti shumë i kënaqur. Siç e dini, Shqipëria u përballe me Greqinë në shtator 2004 dhe fituam 2-1, pikërisht kur ajo tre muaj më parë ishte shpallur kampione e Europës. Pas tre-katër muajsh më dërgoi në “Karaiskakis” të Pireut, për të vëzhguar ndeshjen Greqi- Danimarkë, dy kundërshtarët tanë. Kam respekt për Brigelin”, – tha Duro.  Shpëtimi ka punuar si ndihmësi i Oto Bariçit, teknikut kroat të Kombëtares në vitet 2006-2008, së bashku edhe me Slavko Kovaçin. Ai atëherë ishte dhe trajneri i Kombëtares U-17.