Shoqata e Trajnerëve të Futbollit, kapet “mat” në rastin e trajnerit Gjoka

626
Nga Agron KAJA
AKTUALITET/ Kapet agresori në Shkodër, teknikët në raste të tilla janë të pa mbrojtur e të pa përkrahur prej organizmit ku janë anëtarë 
Gjatë javës së kaluar, pas një seance stërvitore të Vllaznisë, u kërcënua trajneri Ernest Gjoka, dhe me agresorin e armatosur me thikë, ai së bashku me Gilman Likën, kanë shmangur një ngjarje të rëndë. Për këtë rast, policia mori masat e saj dhe e gjeti autorin që kërcënoi Gjokën, e deri këtu duket sikur puna ka përfunduar. Parë ndryshe, puna e policisë në të tilla raste asnjëherë nuk përfundon, për vetë dialektikën e jetës, por diçka tjetër i ka munguar këtij rasti. E fjala është për Shoqatën e Trajnerëve të Futbollit në Shqipëri, e cila ende nuk ka reaguar ndaj këtij rasti, i cili bëri bujë në të gjitha mediat e portalet elektronike. Ky djalosh 19-veçar, i quajtur Nehat Fojleta, ka deklaruar në polici, se nuk kishte lidhje me Vllazninë dhe as që njihet me trajnerin Ernest Gjoka dhe, se sherri erdhi për një acarim momenti që nuk ka lidhje me palë te treta, ndryshe nga sa mendohet. Fojleta ka folur, por shoqata ku janë anëtarë trajnerët, ajo që më 7 shkurt 2018 votoi në Asamblenë Zgjedhore të FSHF-së për Rregulloret, ende nuk dihet se është aktive, ka dijeni për aktualitetin që ndodh në futbollin shqiptar me bankinat apo ekziston vetëm në letër. Ndoshta kjo e fundit është më e afërt, sepse nuk mund të mendohet ndryshe në këtë situatë, që për Shoqatën e Trajnerëve të Futbollit duhet të kishte lëvizje emergjente. Gjatë ditës së djeshme, gazeta “Telegraf” ka pyetur më shumë se 10 persona, trajnerë dhe ish-trajnerë, duke i kërkuar mendimin për funksionimin e kësaj shoqate në kushtet e kërcënimit të kryer tashmë ndaj trajnerit Gjoka. Të gjithë nuk kanë pasur asnjë informacion, edhe pse e dinin emrin e nderuar të personit që e drejton atë. Pra, aty ku profesionalisht trajnerët duhet të kenë mbështetjen e tyre, aty ende nuk ka asnjë sinjal funksionimi. Dhe ky nuk është rasti i parë, apo edhe i vetëm i këtij indiferentizmi, sepse trajnerët e futbollit në Shqipëri në shumicën e rasteve, punojnë edhe “në të zezë” dhe shoqata nuk i mbron të drejtën anëtarëve të saj. Ata janë kërcënuar, janë goditur apo janë shkarkuar padrejtësisht nga detyra e tyre, dhe shoqata në fjalë “hiç”! Po a e di kjo shoqatë se agresori është hedhur në kundërsulm ndaj Gjokës? Ndoshta jo, sepse dje ai ka dhënë deklarata që nga i akuzuar, është kthyer në akuzues. Shoqata në letër nuk i vlen askujt, trajnerëve e futbollit jo e jo, ndaj ky rasti me Ernest Gjokën, ndoshta do ta formatojë më konkretisht këtë organizëm, i cili me krijimin e Ligës Profesioniste duhet të jetë realisht shumë funksional.
Ky nuk është rasti i parë, apo edhe i vetëm i këtij indiferentizmi, sepse trajnerët e futbollit në Shqipëri në shumicën e rasteve, punojnë edhe “në të zezë” dhe shoqata nuk i mbron të drejtën anëtarëve të saj
Sigal