Shkodranët “dorëzohen” në fund, Pejiç bën “heroin”

468
Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Nisi dje në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, gjysma e dytë e sezonit futbollistik 2016-2017, me sfidën Vllaznia-Kukësi
Dje, në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, Kategoria Superiore e futbollit shqiptar çeli siparin pas një pushimi 36 ditor nga mbyllja e fazës së dytë. Ka qenë ndeshja e parë e javës së 19-të, Vllaznia-Kukësi, ajo që dje solli në vëmendje futbollin elitar shqiptar, në një ndeshje e cila duhet thënë se nuk i shpëtoi emocioneve dhe mospërshtatjes së duhet të futbollistëve me ndeshjet zyrtare në kampionat. Gjithsesi, në kronikën e pjesës së parë, është e vështirë që të dallosh skuadrat, pasi thuajse ishin të barabarta në lojën e tyre. Kuksianët e nisën si kryesues, duke zotëruar lojën, por vendasit kujtohen menjëherë se cilën skuadër kanë kundërshtare dhe në minutën e 8-të rrezikojnë me Çinarin, duke dhënë sinjalin e parë për golin. Në vazhdimësi, dukej sikur kjo ndeshje ishte e paracaktuar për barazim, sepse gjithçka mbeti “peng” i lojës së barabartë. Kuksianët vetëm në minutën e 33-të rrezikojnë me anë të Dvornekoviç, i cili pasi depërtoi në zone, gjuan në trupin e mbrojtësit Cicmil, për ta kaluar topin në goditje nga këndi. Asnjë rast tjetër nuk bëri të veçantën, për të pritur minutën e 44-t, ku Tafili i Vllaznisë gjuan dobët, për mos shkaktuar asnjë problem te porta e Kukësit. Ky barazim mbyll pjesën e parë, duke menduar se edhe në pjesën e dytë do të kishim të njëjtën pamje e rritëm loje. Kështu ndodhi kur nisën 45 minutat e dyta, sepse Vllaznia rrezikoi me kapitenin Shtubina, që në këtë rast nuk tregoi shumë nga aftësitë e tij si golashënues, duke gjuajtur dobët. Tensioni i shënimit të golit u shfaq më qartë në minutën e 68-të, ku pas përplasjes së Pepës të Vllaznisë me Eminin e Kukësit, loja u ndëpre për shkak të tensionit që u krijua në fushën e lojës. Ndoshta menduam se do të kishte zënkë masive, por ndoshta seminari i fundit i FSHF-së me arbitrat e kapitenët i dha frytet e veta. Loja rifilloi pas tri minutave, pasi gjithçka u qartësua dhe situatë në fushë u normalizua, e do të ishte Pepa ai që thirri golin. Portieri kuksian i tha “JO” tundjes së rrjetës së tij, për t’ia lënë radhën Kukësit të tregojë se si shënohet goli. E këtë e tregoi kroati Pero Pejiç, me një goditje dënimi model, duke shënuar golin e avantazhit për Kukësin, njëherësh edhe golin e 12-të të tij në 19 javët e Superiores. Deri në minutën e tretë shtesë, Vllaznia nuk ishte dorëzuar në synimin e saj për shënimin e golit. Por kapiteni i saj ka qenë në një ditë pa fat, pasi gjuajtja e tij devijohet dyfish, nga kapiteni Hallaçi dhe nga portieri Koliqi. Këtu u mbyll gjithçka në rezultat me fitoren minimale, 1-0 për Kukësin, por me një lojë që erdhi në rritje minutë pas minute. Një Vllazni që luan dhe bën rezistencë me kundërshtarë më të fortë, por që nuk ka kualitete ta shpërblejë me gol, ndërsa Kukësi tregoi se goli shënohet në çdo minutë të ndeshjes. Fund i hidhur për Vllazninë, rinisje e mirë për Kukësin, i cili me tri pikët e djeshme mbetet në kreun e renditjes së Kategorisë Superiore, si do që të dalin ndeshjet e Partizanit në Gjirokastër dhe e Skënderbeut në Korçë.
E PREMTE, 27 JANAR 2017, ORA 18:00
Në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës
Vllaznia-Kukësi 0-1
Shënues: Pejiç 84’
FORMACIONET
VLLAZNIA: (1-4-4-3): Agoviç; Gocaj, Cicmil (Marku 87’), Bicaj, Pjeshka; Krymi, Vrapi, Tafili; Çinari (Vecaj), Shtubina, Pepa (Hebaj 83’). Trajner: Armando Cungu
KUKËSI: (1-4-3-3): Koliqi; Hallaçi, Shameti, Pashaj (Memini 12′), Rrumbullaku; Dvornekoviç (Guri 76’), Lena, Musolli; Karioka (Kale 56’), Emini, Pejiç. Trajner: Ernest Gjoka
Gjyqtar: Andi Koçi
KV: Pjeshka, Cicmil /Lena
MINUTA TË VEÇANTA
8′ Shkodranët në sulm, pas një rrëmuje në zonë, Çinari nuk përfiton dot dhe gjuan dobët, pret portieri Koliqi.
11′ Vllaznia detyrohet të bëjë një zëvendësim, Çinari dëmtohet dhe zëvendësohet nga Vecajt
23′ Pas një krosimi në zonë nga e majta e sulmit shkodran, Cicmil kërcen mbi kundërshtarët, gjuajtja me kokë e tij kalon mbi traun e portës
33′ Rrezikon Kukësi, Dvornekoviç depërton në zonë dhe gjuan, por ndërhyrja e bukur e Cicmil e devijon topin në goditje këndi
44′ Alsid Tafili provon të djathtën nga distanca, megjithatë gjuajtja e tij është qendrore dhe shkon pa problem në duart e Koliqit.
52′ Mundësi për Vllazninë me kapitenin Shtubina që del i lirë në zonë, por gjuajtja e tij pritet me lehtësi nga portieri Koliqi.
68′-71′ Minuta tensioni në fushë, pas përplasjes së Pepës të Vllaznisë me Eminin e Kukësit. Loja rifilloi pas tri minutave, pasi gjithçka u qartësua dhe situatë në fushë u normalizua
75′ Vllaznia ka mundësinë e shënimit të golit, por Pepa gjuan e portieri Koliqi e devijon topin në korne
84′ GOL 0-1 Kukësi kalon në avantazh me sulmuesin e saj kryesor Pero Pejiç. Kroati me një goditja e dënimi të shkëlqyer shkund rrejtën e Vllaznisë 
87′ Dëmtohet Cicmil, Vllaznia bën zëvendësimin e fundit, futet në lojë Marku
90+3′ Rast shënimi për Vllazninë, kapiteni Shtubina gjuan dhe topi devijohet nga Hallaçi, e më pas nga portieri Koliqi
NDESHJET/ JAVA E 19-të
Dje, 27 janar 2017
Vllaznia-Kukësi 0-1
Shënues: Pejiç 84’
Sot, 28 janar 2017
Korabi-Laçi 14:00
(Luhet në Elbasan)
Skënderbe-Flamurtari 14:00
Luftëtari- Partizani 14:00 
Teuta-Tirana 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Kukësi 19 39
2.Partizani 18 35
3.Skënderbeu 18 32
4.Tirana 18 27
5.Luftëtari 18 22
6.Vllaznia 19 21
7.Flamurtari 18 17
8.Teuta 18 16
9.Laçi 18 14
10.Korabi 18 11
TIRANA
Tifozët “burgosin” Tiranën, stërvitet me dyer të mbyllura
E premtja e djeshme ka qenë më e qetë për Tiranën, e cila më në fund I ka shpëtuar “rrethimit” të tifozëve të saj dhe ka arritur që të zhvillojë seancën stërvitore në stadiumin “Selman Stërmasi”. Për të shmangur ndonjë ndërhyrje të tifozerisë, sikundër ndodhi ditën e enjte në kmpleksin sportiv “Skënder Halili”, drejtuesit e skuadrës bardheblu kanë kyçur dyert e stadiumit. Tashmë është bërë publike ajo protestë e “Fanatiks”-ave në stërvitjen e ditës së enjte, ku pati përplasje edhe me futbollistë, e njëherësh edhe të ndalur nga policia e Tiranës. Sepse, një nga zotimet e tyre në protestë ishte ndalesa e Partizanit për të luajtur në “Selman Stërmasi”. Kërcënimi i tyre ka qenë i hapur: “Pasi të vdesim ne, atëherë do bëni ju stërvitje në këtë fushë”. Sot Tirana do të luajë me Teutën në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, një ndeshje që do të ketë sadopak edhe ndikimin psikologjik të dy ditëve të fundit, njëherësh edhe moslejimin e Elis Bakajt që të vishet bardheblu, pasi FIFA i ka bllokuar merkaton e janarit, për shkak të borxheve të bartura që Tirana ka ndër vite.
Faqe 2
FSHF
Duka: Hapim shkollë për arbitra, nuk do ketë më rekrutim rastësor
Dje, Federata Shqiptare e Futbollit organizoi një takim me kryetarët e Kolegjiumeve të Arbitrave në të gjithë vendin. Në këtë mbledhje të drejtuar nga presidenti Armand Duka, është prezantuar edhe strategjia e re e marrjes së arbitrave, e cila do të ketë në qendër të saj një akademi për shkollimin e të rinjve që do të ndjekin këtë rol në futboll. Presidenti Duka qartësoi strategjinë se si do të bëhet përzgjedhja e arbitrave. “Strategjia e re konsiston në ndërtimin e një Akademie të Arbitrave dhe përzgjedhja nuk do të bëhet e rastësishme, por në mënyrë institucionale. Këtë vit do të kemi një këndvështrim ndryshe për strategjinë e zhvillimit të arbitrimit në Shqipëri, ku kolegjiumet do të kenë një strukturë të përcaktuar juridike dhe një strukturë në infrastrukturë. Të gjithë kandidatët do të aplikojnë direkt në Federatë apo në Kolegjiumet e rretheve dhe nëse plotësojnë kriteret do të nisin rrugën e arbitrimit. Ata do ti nënshtrohen një shkolle, ku do të marrin certifikatat për të vazhduar rrugën ose do të skartohen. Do të jetë serioz, në mënyrë që arbitri të marrë autoritetin e duhur”, deklaroi Presidenti I FSHF-së në këtë takim me Kryetarët e Kolegjiumeve të Arbitrave në të gjithë vendin.
Anash 
Eqerem Memushaj në krye të Kombëtares U15
Pas largimit të Tramexanit, edhe bashkëpatrioti i tij Reçenti e kishte dhënë dorëheqjen, edhe pse largimi i tij të nuk u bë zyrtar nga FSHF-ja. Duhej dita e djeshme që të bëhej publik emri i trajnerit të ri të Kombëtares U15 vjeç, dhe për këtë vend veçantë, pas një periudhe vlerësimi është caktuar tekniku vlonjat Eqerem Memushaj, i cili është një nga futbollistët më të shquar të Flamurtarit në periudhën 1980-1990, njëherësh edhe i Kombëtares. Pas lënies së futbollit, Memushaj ka drejtuar disa skuadra në Kategorinë Superiore e në Kategorinë e Parë, në të cilën së fundi ka qenë në bankinën e Bylisit. Këtë lëvizje e qartëson edhe njoftimi zyrtar i FSHF-së. “Pas një periudhe vlerësimi të shumë alternativave, Presidenti i FSHF-së vendosi të emërojë si trajner të skuadrës kombëtare U15, Eqerem Memushaj. Vendi ishte vakant pas largimit te italianit Reçenti, dhe në ditët në vazhdim vlonjati do të bëjë prezantimin zyrtar, me objektivat mbi bazën e një strategjie për këtë grup-moshë që do drejtojë”.
Kryesore 
Superiorja nisi me gol, merkatua duket e “lodhur” 
Dita e futbollit zyrtar në Shqipëri për vitin 2017, erdhi. Dje, me ndeshjen Vllaznia-Kukësi që u luajt në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, rinisi Kampionati i Kategorisë Superiore, me ndeshjet e javës së 19-të, faza e tretë. Nga 27 janari e deri më 15 maj, do të luhen 90 ndeshjet e tjera të gjysmës së dytë të sezonit të kësaj kategorie, e cila në dy fazat e para tregoi se do të jetë e vështirë për të gjitha skuadrat, në të dy kahet e renditjes. Në Shkodër, ky rifillim zyrtar tregoi edhe dukuri që vijnë nga faza përgatitore e merkatos, por edhe nga të rinjtë e ardhur rishtas që nuk janë përshtatur sa duhet me skuadrat. Sepse duke e përmendur fillimisht këtë tregues, le ti referohemi dëmtimit të Pashajt të Kukësit që në minutën e 12-të, apo edhe zëvendësimeve pa rendimet që u bënë nga të dyja skuadrat. Kronika e lojës në “Loro Boriçi” tregoi se merkatua e muajit janar nuk ka shumë efikasitet, pasi edhe rezultatin te Kukësi e zgjidhi Pero Pejiç, i cili në skuadrën verilindore ka ardhur gjatë merkatos së verës të vitit të kaluar. E kështu, veç këtij fakti të merkatos, në këtë start për vitin 2017, natyrisht që dukshëm u pa edhe “shterpësia” në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, ku nëse do ti referohemi vetëm vendndodhjes së tifozerisë kuksiane, ata ishin shumë të pakët në numër, edhe pse përfaqësojnë skuadrën kryesuese. Zhvillimi i ndeshjes në këtë stadium, ndoshta duhet të kishte më shumë tifozë, jo vetëm se ishin dy skuadra me histori e realitete të ndryshme, por edhe pse në Shkodër, tifozeria ka qenë gjithmonë prezent, por jo si dje. Nëse do ta shohim këtë ndeshje të luajtur dje mes Vllaznisë e Kukësit edhe në këndvështrimin e gjykimit, duhet thënë se kishte ndryshim, Mundet që të thuhet se gjyqtari nuk kishte shumë punë, sepse ndeshja u zhvillua korrekte, përjashtuar përplasjen e minutës së 67-të të Pepës së Vllaznisë me Eminin e Kukësit, e cila u duk se do të sillte tension. Kjo nuk ndodhi më gjatë, për të thënë se lojtarët tashmë vijnë drejt ndërgjegjësimit të ritmikës së ndeshjes, por edhe arbitrat vijnë drejt përmirësimit të performancës së tyre në gjykimin e ndeshjes. Sot do të luhen katër ndeshjet e tjera të javës së 19-të, e ndoshta dukuritë që u shfaqën dje në “Loro Boriçi” nuk do të jenë pjesë e lojës së tetë skuadrave. Të gjitha ndeshjet kanë interesin e rëndësinë e tyre, sepse duke i parë çiftet nga pozicionet që kanë në tabelën e renditjes, gjithçka mbetet e hapur për të gjithë. Më kryesorja është që të luhen katër ndeshje fair-play dhe të fitojë kush e meriton. 
Sigal