Shkëlqimi dhe zhgënjimi i Alban Mehës

504
Sigal

Mediat gjermanë u treguan tepër kritike ndaj paraqitjeve të dobëta të mesfushorit të Kombëtares

Mesfushori i Padebornit dhe i Kombëtares shqiptare, Alban Meha, ishte në qendër të kritikave të gazetës gjermane “Neue Westaflische”, për shkak të formës së dobët gjatë javëve të fundit të fantazistit të ri të kuqezinjve. Meha u dëmtua gjatë një seance stërvitorë të kuqezinjve në Gjenëve, përpara miqësores me Kamerunin, duke udhëtuar para kohe drejt Gjermanisë, duke munguar kështu kundër Alenit në kampionatin e Bundesligës 2. Sipas gazetës gjermane, të afërt me Padebornin, Meha është prej disa kohësh në krizë.

SHKËLQIMI –  Mesfushori kosovar vlerësohej si një shpresë e madhe. Në fillim të sezonit të gjithë prisnin shumë prej tij, kjo dhe për faktin se Albani ishte golashënuesi më i mirë gjatë fazës përgatitore, duke u spikaktur sidomos në goditjet standarde, duke fituar zemrat e tifozëve, të cilët besonin se Meha do të shkruante një faqe të bukur në historinë e klubit, për të cilin më parë kishte luajtur edhe sulmuesi Edmond Kapllani. Paraqitjet e shkëlqyera ndaj Hertës së Berlinit, Bokumit dhe Arminias së Bielefeldit, ranë në syrin edhe të trajnerit të Kombëtares sonë, Xhani De Biazi, ky i fundit këmbënguli që Meha të ishte pjesë e kuqezinjve, duke nisur nga ndeshja e fituar 3-1 me Qipron. Klubi dhe tifozët besonin te një Meha i fortë, duke qenë krenarë edhe për faktin se ai mori ftesë në ekipin Kombëtar shqiptar, madje duke e theksuar me të madhe se, në gjirin e tyre kishin një ndërkombëtar. Klubi i Padebornit shpejtoi duke ia zgjatur kontratën edhe dy vjet të tjera, pra deri në vitin 2015.

KRIZA – Pas ndeshjeve të para me Shqipërinë, Meha ra në një eufori, çka ndikoi keq psikologjikisht, dhe interpretimi i lojës së tij pësoi një rënie ndeshje pas ndeshje, aq sa trajneri ia bëri të qartë publikisht se, me formën e tij nuk mund ta meritonte një vend titullari. Albani nuk ka shënuar më gol, qysh prej 11 gushtit, në ndeshjen e fituar 4-0 kundër Bokumit. Meha ka realizuar dy gola në dhjetë ndeshjet ku ai është aktivizuar, përfshirë dhe atë në barazimin 2-2 ndaj Hertës së Berlinit. Ndeshja e fundit e Mehës është ajo kundër Kaiserlauternit, më 10 nëntor, dhe në atë takim Albani u ndëshkua me një karton të verdhë. Në llogaritë e mesfushorit është dhe një gol në Kupën e Gjermanisë, ndaj Arminias së Bielefeldit. Shqiptari ka aftësi të mira në goditjet standarde, por dhe të ekzekutojë goditje të rrezikshme nga këndi, si askush tjetër në Bundesligën 2, por mesa duket kjo nuk ka mjaftuar për ta shpëtuar atë nga kriza. Në fakt, edhe Xhani De Biazi nuk e preferoi Mehën në ndeshjen kundër Sllovenisë, pasi sipas italianit Albani nuk e kënaqi në takimin kundër Islandës, të humbur 1-2, pavarësisht se ai dha asistin e golit të barazimit të përkohshëm të realizuar nga Edgar Çani.