Shkëlqimi dhe rënia e Partizanit të sezonit, ku e ka adresën!

615
Nga Agron KAJA
AKTUALITET/ Ja pse mospranimi i dorëheqjes së Starovës, mbetet veprimi më korrekt i Presidencës në këtë sezon
Skuadra e Partizanit u kthye në kryefjalë e javës së 15-të të Kategorisë Superiore, jo vetëm për humbjen e thellë 0-5 në Gjirokastër, por edhe për largimin profesionalisht të duhur të trajnerit Sulejman Starova. Dhe pas kësaj katastrofe, dritëhije, ulje e ngritje dhe dështime, ky mbetet togfjalëshi për Partizanin e sezonit 2017-2018, i cili gjatë kësaj gjysme të parë të tij, më shumë ka pasur zhgënjime dhe rezultate larg pritshmërive. Për gjithçka që ka ndodhur në këtë sezon, natyrisht që ka edhe adresa që ju faturohet dështimi dhe rënia e Partizanit, dhe i pari në listë kryesoj Luçiano Moxhi, ideatori i kësaj skuadre në fillim të sezonit. Jo për të ulur vlerat e këtij njeriu që ka punuar në të tilla pozicione drejtuese në skuadra të mëdha të Serie A në Itali, por për të thënë realitetin, se kësisoj, ai mbetet dështimi i parë në skuadrën e kuqe. Sepse ai na solli trajner italian pa përvojë, duke e menduar Partizanin një fanellë që mund ta vishte kushdo që ka një cv sportive në Itali e më tej, se mund të ulte në stolin e kësaj “Legjende” të futbollit shqiptar edhe një ish-futbollist që nga trajningu i kohës ishte me kilometra larg. Madje ishte pikërisht ky person që në atdheun e tij është i dënuar nga drejtësia sportive italiane për mashtrime, ndërsa këtu e ka shpërdoruar në çdo limit besimin që i ka dhënë Presidenti Gaz Demi, për formatimin e skuadrës. Por jo për mbijetesë. Le të kujtojmë trajnerin Mark Iuliano me performancën e dobët të tij dhe rezultatet që Partizanit ja humbën shkëlqimin e emrit, njëherësh edhe ata futbollistë të shumëpaguar që numëruan hapat në fushë. Dhe Sulejman Starova me dinjitetin e tij, jo vetëm sportiv, e pranoi ofertën e Presidentit të klubit për të marrë drejtimin e skuadrës, së cilës realisht në tre-katër ndeshje ia solli fytyrën e duhur. Për opinionin sportiv, kryesisht për “Ultrasit e kuq”, “Demat e kuq” të Partizanit, lëvizja tjetër e presidentit të kësaj skuadre, duke i besuar drejtorin teknik një ish-basketbollisti, Olsi Ramës, i rritur me edukatën sportive dhe i mësuar me standardet e menaxhimit të sportit të kohës, u prit me shumë kureshtje e dashamirësi, por që ende nuk mund të pretendohet roli i dorës së tij në skuadër. Ndoshta duhet edhe pak kohë, pse jo, gjysma tjetër e këtij sezoni, ku edhe “tridhëmbëshi” shqiptar: Demi-Rama-Starova, do ta shërojë këtë plagë që ia la në mënyrë tinëzare “disenjatori dështak”. Nga kjo “sëmundje” duket se ka vuajtur Partizani i këtij sezoni, ndërsa mospranimi i dorëheqjes së Starovës duket një ogur i mirë për kthesën. E në këtë vorbull, Starova nuk duhet të mbetet pa krahë në fushë e jashtë saj, ndryshe do të përsëriten gabimet që sot “Legjenda” e futbollit shqiptar po i vuan padrejtësisht. 
Pas rezultatit historik 0-5 në Gjirokastër, trajneri Starova mori përsipër barrën e humbjes, por në mbrëmje, Olsi Rama deklaroi se klubi do të vendoste sot (dje), pas takimit me Starovën, pasi vetë ai nuk kishte komunikuar fare me trajnerin, edhe dorëheqjen e kishte mësuar nëpërmjet ekranit të televizorit
2 trajnerë
Në këtë sezon futbollistik, 2017-2018, Partizanin e kanë drejtuar dy trajnerë, italiani Mark Iuliano dhe Sulejman Starova
21 pikë
Kaq ka grumbulluar Partizani në 15 javë të Superiores, me 6 fitore, 3 barazime dhe 6 humbje, me golavarazhin negativ 12:15

Titulli i hequr, “peng” i KAS-it dhe i Partizanit
Sikur të mos mjaftonte humbja në Gjirokastër, të dielën në mbrëmje Partizani ka mësuar se, çështja e titullit kampion që iu hoq Skënderbeut, ende nuk dihej. Sepse skuadra korçare e ka çuar për gjykim në KAS të Lozanës, fakt të cilin vetë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, e ka deklaruar në emisionin sportiv “Rubrika Sportive” në kanalin e TVSH-së. “Skënderbeu ka ankimuar vendimin e Komisionit të Etikës që i ka hequr Titullin Kampion 2015-2016, dhe do të presim, më pas do të vendosim për hapat e mëtejshëm. Në moment që do të mbarojë gjykimi, do të vazhdojmë të flasim se çfarë do të ndodhë”, kështu theksohet në deklarimin e Shulkut, që gjithsesi, le të hapur çdo mundësi për Partizanin.
DEKLARATA E KLUBIT
“Sot (dje), klubi ynë informon se Sulejman Starova do të vijojë detyrën në drejtimin e skuadrës së Partizanit. Si Presidenti Demi, por edhe drejtuesit më të lartë të klubit, nuk e kanë pranuar dorëheqjen e tij të dhënë në përfundim të takimit ndaj Luftëtarit. Ata e kanë rikonfirmuar sot (dje) teknikun në krye të ekipit, një vendim i cili vjen në një moment ku të gjithë në skuadër duhet të marrin secili përgjegjësitë, për atë paraqitje aspak dinjitoze në Gjirokastër. Të gjithë lojtarëve dhe stafit teknik iu është kërkuar të tregojnë në fushën e lojës vlerat morale dhe sportive, për të mbrojtur me dinjitet ngjyrat e uniformës së nderuar të Partizanit. Nga dita e martë (sot), trajneri Starova do të nisë përgatitjet me ekipin për takimin e fundit të vitit 2017, atë ndaj Vllaznisë këtu në Tiranë, në program për ‘tu luajtur në 22 dhjetor”.
Sigal