Shkëlqim Muça: Vlerësimin personal e kam çdo ditë nga publiku, në Kupë pres kualifikimin e Tiranës

649
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-mesfushori i Tiranës dhe i Kombëtares, situata nga kandidimi për KE, dhe te futbolli para ndeshjeve të Kupës
Sot një javë më parë u zhvillua Asambleja Zgjedhore e FSHF-së, ju kandiduat për anëtar në KE dhe nuk mundët të fitonit, si ndjeheni?
Ndjehem shumë normal, unë vazhdoj punën time dhe aktivitetin, gjithmonë me sportin. Ndjehem i tillë, sepse nga delegatët që votuan në këtë Asamble, kishte njerëz pa lidhje me futbollin, e në këtë pozicion nuk ndjej ndonjë zhgënjim.

Në raport me disa të zgjedhur të tjerë, emri juaj qëndron më lart në futbollin shqiptar, po ky moment ju bën të ndjeheni jashtë këtij komuniteti?
Absolutisht jo. Unë vlerësimin e kam çdo ditë nga publiku, dhe në kuptimin e reputacionit sportiv, asgjë nuk i ka humbur figurës sime. Sepse të zgjedhurit e tjerë më shumë ishin të sponsorizuar nga politika, e cila këtë herë në futboll nuk la shije të mirë.

Dalim nga Asambleja, ju do të vazhdoni ta ndiqni ritmikën në futbollin shqiptar?
Patjetër që e ndjek, sepse unë me futbollin kam një histori që nuk më shkëput dot në asnjë moment prej tij. E ndjek tërësisht Kategorinë Superiore, më tërheqin shumë ndeshjet e moshave të reja, por edhe kategoritë e tjera.

Sot luhen ndeshjet e dyta të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, në tërësi si i përshkruan të katër çiftet?
Po e nis nga Kukësi-Tirana. Jo se unë jam pjesë e familjes bardheblu në futboll, por mendoj se në Kukës do të luhet një ndeshje e fortë. Besoj se Tirana ka më shumë shanse për kualifikim në gjysmëfinale, këtë e them nisur nga situata që janë duke kaluar këto dy skuadra në kampionatet respektivë.

Tre çiftet e tjera të cilat do të ndeshen sot, në çfarë situate i përshkruani?
Veçoj sfidën Partizani-Flamurtari, të cilën e mendoj si të barabartë, e do të thosha se shanset për të kaluar në gjysmëfinale janë 50 me 50. Flamurtari e ka fituar takimin e parë minimalisht 1-0, por për Partizanin nuk mendoj se do të jetë pengesë për të synuar një rezultat kualifikues.

Po në dy çiftet e tjera, mund të priten surpriza sot?
Teuta nuk ka forca që të surprizojë Skënderbeun në Korçë, ndaj korçarët i quaj të kualifikuar. Në ndeshjen Luftëtari-Laçi, nisur nga fitorja e thellë 3-0 e laçianëve në takimin e parë, ndoshta do të kemi një fitore për gjirokastritët, por kualifikimi i tyre bëhet një mision shumë i vështirë.

Në fundjavë do të luhen ndeshjet e javës së 20-të të Superiores, mund të themi se Kampionati ka hyrë në pikun e tij? 
Realisht, një kampionat si Superiorja, mbetet në pikun e tij nga fillimi e deri në fund. Por, duke e parë realisht renditjen, në raport me atë çka kanë dhënë skuadrat, Titullin Kampion e shoh shumë afër për Skënderbeun, ndërsa skuadra e parë që do të zbresë në Kategorinë e Parë mbetet Lushnja.

Atëherë për çfarë do të luhen 17 javët e mbetura të kësaj kategorie?
Do të luhet për vendin e dytë e të tretë që të çon në Evropë, e këtu unë mendoj se për këto dy vende do të luftojnë të pesta skuadrat: Flamurtari, Kukësi, Partizani e më pak Kamza me Laçin. Por, në situatë mbijetese mbeten Teuta me Vllazninë, ndaj edhe në këtë pozicion të renditjes do të luftohet shumë për mbijetesë në Superiore.
Unë vlerësimin e kam çdo ditë nga publiku, dhe në kuptimin e reputacionit sportiv, asgjë nuk i ka humbur figurës sime. Ndërsa në ndeshjet e Kupës, Tirana ka më shumë shanse për kualifikim në gjysmëfinale, Skënderbeun e Laçin i mendoj të kualifikuar
Sigal