Shkëlqim Muça: Moment i vështirë për De Biazin, ekipi nuk po i përgjigjet trajnerit

610
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Atmosfera pas miqësores me Luksemburgun, flet për “Telegraf” ish-mesfushori i Kombëtares, analizon situatën në skuadrën kuqezi
Kombëtarja jonë ka pesë ndeshje që humbet, çfarë mendoni se nuk po funksionon mirë pas këtyre rezultateve?
Në gjykimin tim, pas mbylljes së Evropianit, FSHF-ja dhe trajneri De Biazi, duhet të nisnin një strategji të re me Kombëtaren. Ky trajner kishte dhënë prova me arritjen e kulmit, dhe pas tij duhet të kishte një diskutim për të vendosur piketa të reja, ose të ndryshonte diçka. Jemi shumë hapa mbrapa nga Evropiani. 

Në cilët tregues ju i shikoni hapat prapa të Kombëtares?
Nëse e nisim nga rezultatet, ato flasin vetë, dhe ndeshja me Luksemburgun ishte një i tillë. Dhe, duke e parë në ritmikë Kombëtaren, ne nuk kemi paraqitur atë grintë që na çoi atje. Ka rënie në shumë drejtime, ku shumë lojtarë janë jashtë formës dhe është e vështirë të caktosh një 11-she bazë

Në këndvështrimin tuaj teknik, si e vlerësoni ndeshjen me Luksemburgun, përpos rezultatit?
Mendoj se ka qenë një ndeshje, e cila ka dhënë efektet e situatës ku ndodhet Kombëtarja, në raportet e trajnerit De Biazi me FSHF-në. Nuk jemi paraqitur si duhet në këtë ndeshje, dhe miqësorja e fundit me Luksemburgun, mbi të gjitha tregoi se Kombëtarja ka rënie të ndjeshme.

Nëse e shohim humbjen me Luksemburgun si një “strategji” taktike ndaj Izraelit, ju e quani të tillë?
Të ishte një strategji e mirëmenduar, nuk do të kishim atë hallakatje në lojë. Kur një strategji funksionon në fushën e lojës, ajo jep rezultat edhe ndaj skuadrave të mëdha, jo më ndaj Luksemburgut. Do të ishte mirë që ta vinim në gjumë Izraelin me atë lojë që bëmë në Luksemburg, por shikoj që trajneri ende nuk e ka vendosur formacion stabël për Izraelin.

Mos ndoshta ka qenë një nënvleftësim që ju bë Luksemburgut, e kësisoj po i biem më “qafë” kot trajnerit për taktikat e tij?
Në fakt, natyra e një miqësoreje e tillë është, ku lojtarët nuk gjejnë motivimin e duhur. Ekipi mbase nuk i përgjigjet më këtij trajneri, e kështu duket se ka ardhur koha që të ndryshojë. Lidhja mes federatës, trajnerit dhe lojtarëve nuk është njësoj. Ka ftohje mes lojtarëve me trajnerin apo edhe lidhja me Federatën. Pas Izraelit, besoj që do të ndryshojë diçka.

De Biazi ka kohë që përplaset me lojtarët, i penalizon dhe i rikthen, ndikojnë këto marrëdhënie në formën e skuadrës?
Të gjitha këto situata, që lidhen me problemet mes trajnerit dhe lojtarit, dhe që ndikojnë shumë. Edhe trajneri e ftoh situatën, dhe nganjëherë krijon distancë me lojtarët. Vetë situata tregon se në Kombëtare nuk është më e njëjta frymë entuziaste që ka qenë më parë, të paktën para se të shkonim në Evropian. Dhe me Luksemburgun, më shumë ishte një ekip i paorganizuar, aq sa duke parë vetëm Kukelin në atë pozicion, shoh që ka problem në skuadër.

Njëri nga të “përplasurit” ishte Kaçe, si e gjykoni rikthimin e tij në formacionin titullar?
Në fakt, ishin tre lojtarë pothuajse të zhdukur prej tre muajsh nga formacioni i Kombëtares, Cikalleshi, Kaçe dhe Lenjani. Kësisoj, harmonizimi nuk është kaq i lehtë në futboll. Koha e gjatë e largimit të tyre bën që ekipi të mos ketë harmonizimin e duhur. Pres thuajse të njëjtën skemë dhe lojtarë, me përjashtim të Lenjanit që zëvendësohet nga Aliji, ndërsa Kaçen e pashë jo mirë, në vend të tij mund të luajë Basha.

Duke qenë një ndeshje miqësore, mund të kishim më shumë futbollistë nga kampionati shqiptar në skuadër?
Normal që mund të kishte, për vetë faktin se në ndeshje miqësore mund t’i japësh mundësinë ndonjë lojtari që ka bërë mirë gjatë gjithë kampionatit. Këtë De Biazi e ka në kokë, dhe në kampionat nuk ka dashur asnjëherë të marrë futbollistë për Kombëtaren. E ka shprehur edhe vetë, se kampionati ka nivel të ulët, dhe se ai është bazuar gjithmonë te lojtarët jashtë vendit.

Ka diçka që nuk shkon për mirë në raportet mes FSHF-së e trajnerit De Biazi?
Mendoj se ky është një moment shumë i vështirë për De Biazin, pasi ai po e ndien edhe ftohtësinë nga Federata, njëherësh edhe gjithë atmosferën rreth tij dhe rreth skuadrës. Më mirë se ai, askush nuk e di askush se çfarë po ndodh, por besoj se do të marrë një vendim. Profesionalisht, ai nuk mund ta braktisë ekipin para ndeshjes së radhës, ndërsa pas Izraelit, mund të marrë një vendim, sepse ka shumë zëra që e zhvendosin në skuadra të ndryshme.

Ndoshta edhe kjo situatë ka ndikuar në performancën e vet trajnerit De Biazi?
Ai është një profesionist dhe di ti ndajë mirë këto gjëra. Por, ndoshta edhe vetveten nuk është duke e menaxhuar mirë në raport me skuadrën, e këtu kemi të bëjmë me një psikologji të trajnerit që duhet të reflektojë po si një profesionist.

Në fundjavë do të ndeshemi me Izraelin, do të ndikojë kjo humbje në Luksemburg?
Ndodh shpesh që, humbje të tilla me ekipe të dobëta të motivojnë më shumë. Një fitore mund të sillte edhe vetëkënaqësi. Ndeshjet ndryshojnë gjithmonë, ndryshon fryma, ndryshon gjithçka, dhe në Izrael mendoj se do të jetë ndeshje tjetër, me një ekip shumë të fortë

Çfarë ndryshime mund të priten në këtë sfidë, kryesisht në repartin e mbrojtjes?
Ka mundësi që të jetë kjo vendosje me tre mbrojtës, sikundër u luajt të shtunën në Luksemburg. Por, edhe nëse Izraeli do të luajë me tre mbrojtës në vijë, edhe ne do të luajmë me tre mbrojtës. Natyrisht, që duhet një kujdes e vëmendje shumë herë më e madhe se ajo me Luksemburgun, pasi në Izrael në të gjitha këndvështrimet, është sfidë më e vështirë.
Grupi i biznesmenëve kinezë “Suning”, që kanë në pronësi Interin, është gati të punësojë me një ofertë mjaft të mirë financiare trajnerin e kombëtares shqiptare, Xhani De Biazin. Bëhet fjalë për një tjetër skuadër që ata kanë në pronësi, Jiangsu Suning, ekip që luan në Super Ligën e Kinës
De Biazi pas ndeshjes
“Kjo me Luksemburgun ishte një humbje që peshon shumë, pasi luajtëm ndaj një skuadre që ka më pak cilësi se ne. Por, kundërshtari luajti me ndryshimin se, kishte më shumë dëshirë për të luftuar, për të kërkuar rezultat, karakteristika këto që ne i kishim për dy vite më parë, deri në Evropian. Pas tij, skuadra nuk gjeti atë dëshirë për të luftuar dhe për të arritur objektivat”.
Tifozët e Napolit tallen me Hysajn në facebook
Në mesnatën mes të dielës e së hënës, Klubi i Napolit ka njoftuar tifozët se Elseid Hysaj kishte luajtur me Kombëtaren shqiptare të futbollit. Lajmi, i publikuar fillimisht në faqen e klubit, më pas është postuar edhe në rrjetet sociale. “Hysaj mundet me Shqipërinë. Mbrojtësi i kaltër ishte në fushën e lojës në ndeshjen kundër Luksemburgut, të përfunduar me rezultatin 2-1. Hysaj luajti gjatë të gjithë ndeshjes”, ishte njoftimi i klubit për tifozët, të cilët e shohin Hysajn si një nga të paprekshmit në rreshtimin e Sarrit. Por në rrjetet sociale, një lajm i tillë është bërë objekt talljesh nga tifozët. “Përballje titanësh”, shkruante një prej tyre, duke iu referuar sfidës mes dy Kombëtareve të vendeve të vogla. Ndërsa një i dytë i referohej humbjes së kuqezinjve me fjalët “Çfarë figurë m…”.
Atmosferë e zymtë, stërvitje e dëshpërim në Luksemburg
Dje para dite, skuadra jonë Kombëtare ka bërë një stërvitje të lehtë, ndoshta formale, pasi ka qenë një atmosferë shumë e zymtë, një pjesë e skuadrës, sepse titullarët e djeshëm janë lënë pushim. Aq gri u shfaq situata, sa të duket si fundi i epokës De Biazi, ndërsa ndeshja kundër Izraelit, si një formalitet. Kjo është ndjesia pas humbjes kundër Luksemburgut dhe pas muajve të fundit ku kombëtarja ka pasur rënie të theksuar në lojën e vet. Rreth orës 15.00 kombëtarja udhëtoi drejt Stambollit, ku do të përgatitet për 5 ditë, para se të udhëtojë për në Izrael, ku më 11 qershor do të luajë ndeshjen kualifikuese në Grupin G eliminator. Mbrëmë vonë në Stamboll, ekipit i janë bashkuar edhe Llullaku e Hyka, të cilët luajtën ndeshjet me klubet përkatës ditët e fundit.
Ish-kapiteni te Fondacioni “Lorik Cana 5”: Në Kombëtare, kohë për gjenerata të reja
Tashmë, Fondacioni “Lorik Cana 5” e ka nisur misionin e tij në mbështetjen e sportit për fëmijët e të rinjtë, ku dje, në Kopshtin Nr. 64 u prezantua projekti i parë i realizuar nga ky fondacion, një fushë multi-funksionale, ndërsa planifikohet që projekte të tilla të zhvillohen në të gjitha trojet mbarëkombëtare. Por, gjatë kësaj veprimtarie, ish-kapiteni i Kombëtares nuk iu përgjigj edhe pyetjeve të shumta të gazetarëve, jashtë këtij projekti. Sipas tij, Shqipëria po kalon një krizë rezultatesh, si rrallëherë në dekadën e fundit. “Kjo situatë ka vetëm një zgjidhje: rifreskimin e përfaqësueses. Mendoj se ka ardhur koha të vijnë gjeneratat e reja”, theksoi në deklarimin e tij Lorik Cana, duke reflektuar edhe për situatën aktuale në përfaqësuesen kuqezi, ku pas humbjes tronditëse me Luksemburgun, kanë filluar diskutimet nëse trajneri Xhani De Biazi duhet të vazhdojë apo jo në drejtimin e skuadrës. “Këto janë gjëra që duhet të vlerësohen nga personat, nga institucionet dhe nga vetë i pari, trajneri. Nëse ai ka dëshirë të vazhdojë, kjo mbetet në dorën e tij. Ndoshta ai nuk e sheh si tragjedi humbjen ndaj Luksemburgut, pasi mendon se ndeshjet e vërteta janë vetëm ato zyrtare. Të dielën është e rëndësishme të jetë mirë atje, me Izraelin”.
Erjon Bogdani: Të luajmë me grintë dhe egërsi, ato na kanë dhënë sukses
Duke qenë i pranishëm në prezantimin programin e projektit për moshat parashkollore, iniciuar nga fondacioni “Lorik Cana 5”, ish-sulmuesi i Kombëtares, tashmë trajner i Shqipërisë U-19, Erion Bogdani, ka folur edhe për humbjen e kombëtares në Luksemburg, duke u shprehur i befasuar: “Në fakt unë pashë vetëm 20 minutat e para, që më dhanë përshtypjen se skuadra jonë do të fitonte. Në fund rezultati ishte befasues edhe për mua. Shpresoj që në Izrael të luajmë më mirë dhe të fitojmë. Shqipëria duhet të luajë me grintë, sepse nuk ka lojtarë cilësorë si Spanja apo Italia. Duhet të bazohemi të karakteristikat tona, të luajmë me grintë dhe egërsi, sepse ato na kanë dhënë sukses”.
Kupa e Botës Rusi 2018 
Grupi G-Shqipëria
Ndeshja e luajtura
Datë 5 shtator 2016
Shqipëri-Maqedoni 2-1
Datë 6 tetor 2016 
Lihteshtein-Shqipëri 0-2
Datë 9 tetor 2016
Shqipëri-Spanjë 0-2
Datë 12 nëntor 2016
Shqipëri-Izrael 0-3
Datë 24 mars 2017
Itali-Shqipëri 2-0

RENDITJA
Nr. Skuadra N P 
1.Spanjë 5 13
2.Itali 5 13
3.Izrael 5 9
4.Shqipëri 5 6
5.Maqedoni 5 3
6.Lihtenshtein 5 0
Do të luhen
Datë 11 qershor 2017
Izrael-Shqipëri 20:45
Datë 2 shtator 2017
Shqipëri-Lihtenstein 18:00
Datë 5 shtator 2017
Maqedoni-Shqipëri 20:45
Datë 6 tetor 2017
Spanjë-Shqipëri 20:45
Datë 9 tetor 2017
Shqipëri-Itali 20:45 
KOMBËTARJA E FEMRAVE
Sot në “Elbasan Arena”, testi i parë me Slloveninë
Kombëtarja e femrave e drejtuar nga trajneri Armir Grima do të zhvillojë dy ndeshje miqësore me përfaqësuesen femra të Sllovenisë. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në Shqipëri, ndeshja e parë do të zhvillohet në datën 6 qershor 2017, ora 17:00, në stadiumin “Elbasan Arena” dhe ndeshja e dytë do të zhvillohet në datën 9 qershor 2017 ora 10:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Në listën e 19 lojtareve të grumbulluara, 10 janë nga Kampionati shqiptar i futbollit, katër nga kampionati në Kosovë, dhe 5 të tjerat luajnë në skuadra jashtë Shqipërisë. Hyrja në të dy stadiumet do të jetë falas. 
NDESHJA MIQËSORE U 21
SHQIPËRI-FRANCË
Sigal