Shkëlqen Skënderbeu në Zagreb, një minutë larg fatit për fitore

578
Nga Agron KAJA
Edhe pse luajti ndryshe nga pjesa e parë në të dytën, Skënderbeu dje në ndeshjen e parë play-off me Dinamon e Zagrebit, tregoi se nuk është rastësisht në këtë tur. Përvoja e gjashtë viteve në Evropë, dhe drejtimi profesionist i trajnerit Ilir Daja, bënë që skuadra korçare të mos ndjehej inferiore ndaj kundërshtarit, historikisht i madh në emër, por që mbrëmë realisht nuk ishte i tillë. Ndeshja nisi e shpejtë për kroatët, të cilët që në minutat e para treguan se sulmin e kishin prioritet, por pa gjetur saktësinë në finalizim. Madje ishte skuadra jonë ajo që shënoi, por një gafë e anësorit ia hoqi golin, për një pozicion të dyshimtë jashtë loje të Latifit. Dhe 19 minuta më pas, kur presioni i Dinamos ishte i vazhdueshëm, por gjithmonë me gabime në finalizimin përfundimtar, përplasja e topit në trupin e Radasit e hoqi mundësinë e golit, rast ky që i dha më shumë kurajë skuadrës së Skënderbeut. Protagonistë ishin Gavazaj e Latifi, të dy kërcënim serioz për portën kroate, ndërsa debutuesi Soue tregoi se është i gatshëm të kapë ritmin e skuadrës. Kështu, në minutën e 37-të, ishte ky kombinim që prodhoi golin e avantazhit për skuadrën tonë, por edhe pas një pritje të gabuar të portierit vendas. Ndoshta nuk mendohej ky gol, por nëse do t’i referohemi edhe transmetimit të televizionit kroat, të gjithë në studio flisnin për një rreshtim shumë të kujdesshëm të Skënderbeut në fushën e lojës, i cili i jepte mundësi të mbrohej, të organizohej e të sulmonte në çdo kohë. Kështu u mbyllën 45 minutat e para, me një nisje të shpejtë të Dinamos në pjesën e dytë, ku që në minutën e 53-të kërcënimi erdhi më i qartë. Topi i Fernandesh parakalon gjithë zonën e skuadrës sonë, duke dalë jashtë saj pa u prekur, ndërsa goditja e dënimit nga Moro në minutën e 80-të, ishte e lehtë për t’u pritur nga portieri Shehi, një ndër më të mirët e këtij takimi për skuadrën e Skënderbeut. Nëse pritja e tij nuk do shkëlqente në minutën e 84-t, kroatët do ta kishin barazuar rezultatin. Ndërkohë që blerja më e re e Skënderbeut, Soue, u duk paksa i lodhur në pjesën e dytë, dhe nuk kishte lëvizshmërinë e së parës, ndërsa zëvendësimet që bëri trajneri Daja, më shumë i dhanë qartësi taktike lojës, se sa fizike. Por nuk ishte e thënë që të dilnim me fitore nga kjo sfidë, sepse minuta e fundit shtesë u bë makthi i tij. Henrikuez që hyri si zëvendësues për Hoxhiç, ndëshkon Skënderbeun në limitin e mbylljes së pesë minutave shtesë, duke e lënë të hapur kualifikimin, në ndeshjen e kthimit në “Elbasan Arena”, në datën 24 gusht 2017. 
E enjte 17 gusht 2017, ora 19:00, në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit
DINAMO ZAGREB-SKËNDERBEU 1-1
Shënues: Henrikuez 90+4’ /Latifi 37’
FORMACIONET
Dinamo Zagreb: Livakoviç, Stojanoviç, Benkoviç, Sigali, Lecjaks, Dumbia (Fioliç 81’), Moro, Gojak, Çoriç (Paviçiç 36’), Hoxhiç (Henrikuez 77’), Fernandesh. Trajner: Mario Cvitanoviç.
Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici, Osmani (Xhejms 70’), Lilaj, Nimaga, Gavazaj (Muzaka 81’), Latifi, Soue (Dita 88’). Trajner: Ilir Daja
Gjyqtar: Andris Treimanis (Letoni)
Kartonë të verdhë: Gojak, Sojanoviç / Osmani, Nimaga
MINUTA TË VEÇANTA
10’ Gafë e anësorit kundër skuadrës së Skënderbeut, i heq mundësinë e shënimit të golit. Topi përfundon në rrjetë pas një kombinimi mes Latifit e Vangjelit, por ai sinjalizon në mënyrë të gabuar për pozicion jashtë loje.
29’ Përplasja e topit nga Lecjaks në trupin e Radas, bën që ai të mos shkojë në rrjetën e Shehit. Rrezik pasi Gavazaj humbi topin në zonë, duke ia dhuruar kundërshtarit.
37’ GOL 0-1 shënon Latifi. Ishte një kundërsulm i Skënderbeut me Gavazajn në të djathtë, ai e kaloi topin në qendër Latifit, i cili gjuan, topi i rikthehet pasi përplaset në trupin e portierit Livakoviç, të cilin e shtyn në rrjetë.
47’ Shehi shpëton portën nga një gjuajtje e Hoxhiç, pas një kundërsulmi të shpejtë të sulmuesit të kroatëve duke iu hedhur në këmbë.
53’ Top i rrezikshëm në qendër i kroatëve, askush nuk arrin ta devijojë, fatmirësisht topi përfundon jashtë.
73’ Kundërzbritje e shpejtë këtë radhë në krahun tjetër për Soue, nuk pason aq fort sa duhet për Latifin, që gjendej në pozicion të favorshëm para portës.
80’ Moro provon me një goditje dënimi në pozicion ballor. Por Shehi është në pozicion dhe kontrollon duke i dhënë qetësi skuadrës.
84’ Shehi shpëtimtar i portës. Aksion në krahun e djathtë për Dinamon, topi mbërrin te Henrikez, ky gjuan pak hapa larg Shehit, por kapiteni dhuron një pritje shumë të bukur.
90+4’ GOL 1-1 Henrikuez që hyri si zëvendësues për Hoxhiç, ndëshkon Skënderbeun në limitin e mbylljes së pesë minutave shtesë.
Sigal