Shikoni çfarë po bëjnë te Hamburgu për Mavrajn

459
Hamburgu mbylli me një humbje minimale 1-0 ndeshjen e të shtunës ndaj Wolfsburgut në Bundesligë, por mediat lokale janë të bindura se mbijetesa nuk do të jetë aq e vështirë tani që prapavija është blinduar me Mërgim Mavrajn dhe Papadopulos.
“Hamburger Morgenpost” i ka kushtuar një speciale dy mbrojtësve të rinj të cilët i lavdëron për faktin se kanë fituar mbi 60% të dueleve me kundërshtarët, ndërsa i lejuan sulmit të frikshëm të Volfsburgut të shënonte vetëm një gol.
“Dukej sikur kishin qenë në këtë skuadër prej shumë kohësh. Ishte shumë e bukur t’i shihje të luanin”, tha drejtori sportiv i Hamburgut, Jens Todt.
Për Mavrajn, kaq nuk ishte e mjaftueshme. “Sigurisht që jam i zhgënjyer me rezultatin. Por kemi treguar shumë gjëra pozitive gjatë kësaj ndeshje”, tha mbrojtësi shqiptar i cili si rrallëherë, ishte poshtë 70% të saktësisë në pasimet e tij, ndoshta edhe për faktin se nuk është ambientuar mirë me shokët e skuadrës.
Por gazeta gjermane mbyll artikullin e saj me bindjen se “shanset e Hamburgut me dy qendërmbrojtësit Papadopulos dhe Mavraj, sigurisht që nuk janë të këqija”.
Sigal