Sigal

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka gjobitur Federatën e Rusisë dhe Serbisë, pasi tifozët e këtyre kombëtareve kanë mbajtur pankarta me përmbajtje raciste.

FIFA ka thënë më 30 qershor se pankarta me përmbajtje neo-naziste janë shfaqur gjatë ndeshjes mes Rusisë dhe Uruguait, që u mbajt më herët gjatë kësaj jave, në kuadër të Kampionatit Botëror të Futbollit që po mbahet në Rusi. Federata Ruse është urdhëruar që të paguajë 10 mijë dollarë gjobë.

FIFA ka thënë se pankartat përfshinin edhe numrin 88, kod i përdorur nga neo-nazistët për përshëndjetjen “Heil Hitler”.

Federata serbe, ndërkaq është urdhëruar që të paguajë 20 mijë dollarë, pasi tifozët serbë kanë mbajtur pankarta “politike dhe fyese”, me përmbajtje nacionaliste gjatë ndeshjes mes Serbisë dhe Brazilit në Spartak stadium.

Serbia, e cila tashmë është jashtë Botërorit, u gjobit për shfaqjen e një flamuri të ngjashëm më herët në turne.

Gjithashtu Meksika u gjobit 15,000 franga zvicerane për turbullira pasi tifozët e tyre hodhën objekte gjatë humbjes 3-0 të ekipit të tyre me Suedinë.

Maroku mori një gjobë prej 65,000 franga zvicerane për një seri incidentesh gjatë barazimit 2-2 me Spanjën.