Shefqet Caslli: “Fërshëllima” 25-vjeçare në 500 ndeshje zyrtare të futbollit

1499
Nga Bedri ALIMEHMETI
DOSSIER/ Nga pista, në ring, në tapet dhe në pedanën e shtangës, mandej me bilbil në fushat e futbollit, ky është sportisti i gjithanshëm tiranas
Shifra e 500 ndeshjeve (pa llogaritur ato miqësore, stërvitore e në aktivitete lokale), jo vetëm tërheq vëmendjen për vendin tonë, por pse, jo është edhe sugjestionuese për këdo. Themi kështu, nisur nga fakti se kush do të ishte ai, gjyqtar futbolli që nuk do të dëshironte ta prekte këtë bilanc, pa harruar se në këtë shifër një numër i konsiderueshëm u përkiste takimeve ndërkombëtare. Aq më tepër të grish kjo shifër, për t’u marrë paksa me të, kur nëpërmjet një përllogaritje të shpejtë, i bie të bëhet fjalë për 45.000 minuta, kthyer në orë bëjnë plot 750, pa llogaritur vonesat, ndërprerjet e minutat shtesë. Dhe të gjitha këto në një periudhë një çerek shekullore, midis erës, shiut, rrebeshit, baltës, borës, të ftohtit e acarit të dimrit, por edhe midis diellit të nxehtë e vapës së padurueshme, duke vrapuar nga njëri cep në cepin tjetër të fushës. I lagur deri në palcë, i djersitur, buzëtharë për një pikë uji, i përqendruar maksimalisht për të mos i shpëtuar asgjë, nga gjithçka luhet e interpretohet mes 22 futbollistëve në katërkëndorin e fushës së futbollit, pa harruar ndërkohë kurrsesi peshën e rëndë të presionit të vazhdueshëm që ushtron mbi të turma e mijëra shikuesve që qarkojnë fushën e “betejës” sportive, ku për çdo problem a incident të ndodhur brenda saj në fraksionet e të dhjetave të sekondës duhet të vendosësh për marrjen e një vendimi të prerë e të saktë, pa lënë asnjë mundësi kontestimi mes palëve. Një barrë tejet e pashoqe, por që Shefqet Caslli ia ka dalë mbanë me sukses. 

Dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe. Themi kështu duke pasur parasysh se, kemi të bëjmë me një person, i cili gjatë gjithë jetës është karakterizuar nga përgatitja e gjithanshme fizike e sportive. Madje, që në fëmijërinë e hershme duke bredhur me bashkëmoshatarët pas topit prej lecke a në lojna të ndryshme, nga njëra rrugicë në tjetrën, apo nga njëri shesh a kopsht i lagjes “Ismail Efendi” (sot njësia administrative nr. 9) në tjetrin, Shefqet Caslli shquhej mbi shokët për forcën, shpejtësinë e shkathtësinë në veprime. Ai u lind më 30 gusht të vitit 1933 në familjen qytetare autoktone tiranase Caslli, ç’ka e dëshmon këtë gjë më së miri është fakti, që përqendrimi i saj përkon të gjendet sot në “zemër” të kryeqytetit, konkretisht në bulevardin “Zog I”, përballë Ministrisë së Drejtësisë. Shefqeti ishte djali i dytë i Ismail Casllit, vëllai më i madh, Osmani, kishte kohë që i ishte përkushtuar sportit, ndaj edhe Shefqeti, ndonëse pak më i vogël, nën shembullin e të vëllait e të shokëve të tij si, Osman Reçi, Shyqyri Rreli, Remzi Bulku, Met Metani, Shaban Nallbani, etj, që nuk do të vononin për të bërë emër, i hyri me guxim rrugës së vështirë, por tejet të bukur të sportit. Fat i madh ishte për të fakti, se në vitet e para të çlirimit, kur ishte rreth 14-15 vjeç në sheshin prapa xhamisë “Met Fira”, aty ku sot ndodhet gjimnazi “Sami Frashëri”, u ndërtua këndi sportiv “Spartak”, i cili kishte edhe një palestër me kushte të mira për kohën. Në mënyrë të padiskutueshme, në orët e lira pas shkollës, Shefqetin aty do ta gjeje, duke u stërvitur nëpër vegla të ndryshme gjimnastikore, vrapime e hedhje, apo tek tapeti i mundjes, te pedana shtangës a ringu boksit. Falë pikërisht kësaj, Shefqet Caslli shumë shpejt pa i mbushur 19 vjeç, teksa kryente shërbimin ushtarak, do të spikaste në garat e atletikës si dhjetëgarist, ndërsa rezultatet e arritura në hedhjen e shtizës dhe në 110 m. me pengesa ishin mjaft premtuese.

Ndërkohë, duke qenë edhe ai si i vëllai Osmani, në natyrën e sportistit shumëplanësh, aq më tepër që në atë periudhë lejohej ushtrimi i aftësive në disa lloje sporti njëherësh, si më të përshtatshëm për të mbetën sportet e rënda: mundja, boksi dhe peshëngritja. Dhe duhet thënë se, në të gjitha këto sporte nuk i munguan arritjet, si në aktivitete lokale, ashtu edhe në ato kombëtare. Veçanërisht në mundjen klasike (greko-romake) e peshëngritje, por shkëlqimi i tij i vërtetë si sportist i nivelit të lartë, ishte mbi pedanën e shtangës. Në peshëngritje, Shefqet Caslli gjatë aktiviteteve në vitet 50-të u shpall disa herë kampion kombëtar, dhe kulmi i formës së tij sportive ishte në vitin 1955, kur në garat e atij viti vendosi disa rekorde kombëtare në të tri stilet e peshës 67 kg. Për arritje të larta në këtë sport burrëror ku garoi gjithnjë për ngjyrat e klubit “Tirana” gjatë një periudhe 15 vjeçare, Shefqet Caslli dhe Telat Agolli u nderuan njëherësh me titullin e lartë “Mjeshtër Sporti”, duke u bërë kështu të parët sportistë shqiptarë të peshëngritjes që u vlerësuan me këtë titull. 

Më pas, karakterin e tij të paepur shumësportësh e shfaqi në rolin e gjyqtarit të futbollit. Me pasion e përkushtim kryen kurset e kualifikimit të drejtuar nga specialistët më në zë të kohës, ku u shqua për rezultate të larta dhe fitoi të drejtën e gjykimit të ndeshjeve të futbollit. Këtë detyrë fisnike e tejet të vështirë ai e ushtroi me një shkallë të lartë profesionalizmi, me korrektësi e ndershmëri të plotë, në një periudhë të pazakontë: çerek shekullore. Në të 500 ndeshjet e gjykuara prej tij, nga të cilat 70-80 % ishin në Kategorinë e Parë (sot Superiore), për të cilat pati marrë vazhdimisht vlerësime maksimale. Në vitin 1966, për nivelin e lartë të gjykimeve në ndeshjet e futbollit, Shefqet Casllit i akordohet titulli i lartë “Gjyqtar Ndërkombëtar”. Me këtë staturë atij i janë besuar brenda edhe jashtë vendit me dhjetëra takime ndërkombëtare, për të cilat ka marrë gjithnjë vlerësime pozitive. Pas kësaj, për shumë kohë ai ka kryer me kompetencë detyrën e vëzhguesit në ndeshje të kampionateve tona. Shefqeti përjetësisht ka qenë i lidhur me sportin dhe vijon të jetë i tillë edhe tani, në dekadën e nëntë të jetës, duke e ndjekur atë çdo ditë nëpërmjet shtypit e televizionit.
Shefqeti, si edhe Petriti e Osmani, nuk iu nda traditës së familjes ushtroi disa lloje sporti, si atletikë, boks, mundje e peshëngritje. Në këtë të fundit spikati jashtëzakonisht. U shpall kampion dhe vendosi disa rekorde kombëtare. Më vonë Shefqeti u bë gjyqtar i njohur i FIFA-s, ku drejtoi për vite me radhë me mjaft kompetencë e rigorozitet, ndeshje shumë të rëndësishme në kampionatet tona dhe në arenën ndërkombëtare
Sigal