Shaqiri: “Duhet të tregojmë karakter”

491
Sigal

Mesfushori kosovar i Zvicrës flet para ndeshjes me Hondurasin: “Nuk e përsërisim Francën”

Xherdan Shaqiri vazhdon të jetë në qendër të kritikave të mediave zvicerane, për atë që mesfushori kosovar ka dhënë në ndeshjet kundër Ekuadorit e Francës.

 – Xherdan Shaqiri, pas dy ndeshjeve të para të Botërorit, ju jeni ndër më të kritikuarit. Çfarë po ndodh me ju?

– Është e qartë, që mund të kritikohesh kur nuk shënon gola apo nuk jep asist. Por, unë jam i kënaqur me paraqitjen time. Natyrisht që, e pranoj kritikën, por nuk duhet të harrojmë se dhe unë njëlloj si të tjerët. Për mua është e rëndësishme që, ekipi  di që unë po bëj gjithçka për atë.

– Por, fakt është që ekipi varet nga ty….

– Është e qartë që unë mund të vendos lojën, por jo gjithçka varet nga mua. Ne jemi njëmbëdhjetë lojtarë në fushë. Unë kam nevojë për ekipin, ekipi ka nevojë për mua. Mos harroni se, Anglia dhe Spanja dolën jashtë Botërorit.

– Pas shkatërrimit nga Franca (2-5), disa lojtarë thanë se duhet të qëndronin me këmbë në tokë. A mendoni dhe ju kështu?

– Ne nuk ishim gati në dy ndeshjet e para. Ne duhet të ndryshojmë, ne duhet të vrapojmë më shumë dhe të shfrytëzojmë shanset tona. Ne duhet të tregojmë karakter.

– Në Botërorin e vitit 2010 ju debutuar kundër Hondurasit si zëvendësues në minutën e 78-të. Çfarë kujtimesh ruani?

– Sigurisht që, unë e kujtoj ndeshjen time të parë. Ishte diçka e pabesueshme. Fatkeqësisht, ne nuk morëm një rezultat të mirë. Por, për mua ishte në fillim i madh. Unë besoj se, kemi forca për ta mundur Hondurasin të mërkurën (sot).

Valon Behrami: “Finalja jonë”

 Mesfushori Valon Behrami është një nga lojtarët me më shumë përvojë të Zvicra. Ai e di se, kundër Hondurasit e pret një ndeshje për “jetë a vdekje”.

 – Valon Behrami, Zvicra arkëtoi pesë gola kundër Francës. A do ta arrini ta merrni vetën në një kohë aq të shkurtër?

– Ne e kemi parë dhe riparë së bashku me të gjithë lojtarët ndeshjen dhe e dimë se çfarë kemi bërë gabim. Nëse edhe në Manaus do të mendojmë për golat e Francës, atëherë do të zbrisnim me një ndjenjë negative në fushë. Nuk e dëshirojmë këtë.

– Duket se ekipi ka shumë presion ndaj Hondurasit…

– Kundër Hondurasti ne duhet të japin gjithçka brenda 90 minutave. Nuk duhet të mendojmë shumë për kalkulimet me ndeshjet e kundërshtarëve. Në (stadiumin) Manaus duhet të tregojmë se, nëse jemi burra të vërtetë apo gjysmë të tillë.

– Kushtet në Manaus do të jenë ekstreme, nxehtësi e madhe në një lagështi të lartë. A u shkakton frikë?

– Ne dhe stafi kemi bërë gjithçka dhe jemi përgatitur për këtë. Klima në Manaus nuk duhet të përbëjë justifikim. Ndeshja është shumë e rëndësishme.

– Sa e njihni Hondurasin?

– Hondurianët janë një ekip fizikisht shumë i fortë. Ne duhet të luajmë në mënyrë inteligjente. Nuk duhet të harrojmë se në kualifikuese e Botërorit kanë fituar kundër Meksikës. Ne duhet të mbrohemi mirë dhe të shfrytëzojmë shanset.

Rrufeja godet avionin e Spanjës

 Për Spanjën, Botërori i Brazilit është vetëm një kujtim i hidhur. Kampionët e Botës u eliminuan në fazën e grupeve, duke u bërë ekipi i katërt titullmbajtës që largohet në atë mënyrë në historinë e kompeticiont. Fitorja me Australinë ishte një ngushëllim i vogël. Dhe sikur të mos mjaftonte fati i keq në Brazil, një rrufe që goditi pjesën e djathtë të avionit gjatë uljes, shkaktoi panik në bordin e fluturimit gjatë kthimit për në Spanjë.

 Nejmar kalon Ronaldinjon

 Më dygolëshin e shënuar në ndeshjen e fundit të grupit kundër Kamerunit (4-1), Nejmar hodhi një hap drejt historisë pasi parakaloi në renditjen e golashënuesve më të mirë të Brazilit ish-sulmuesit Ronaldinjo dhe Rivaldo. Edhe pse 22 vjeç, lojtari i rritur në radhët e Santosit, numëron 35 rrjeta me kombëtaren “Selecao”, por për të, më i rëndësishëm mbetet suksesi i Brazilit. “Përgjegjësia ime është të ndihmoj ekipin që të krijojë raste dhe të shënojë gola”.

Humbet 3000 USD, vetëvritet studenti

 Një student kinez nga provinca e Guandongut i dha fund jetës pasi humbi 3000 dollarë gjatë basteve të vendosura prej tij për ndeshjet e Kupën së Botës. Lin u hodh nga kati i shtatë i ndërtesës së tij në kampusin universitar. Pavarësisht ndihmës së mjekëve, Lin nuk mundi të rikthehej në jetë. Kina ka miliona tifozë që janë të pasionuar pas basteve dhe futbollit. Para disa ditësh, tre kinezë gjetën vdekjen pasi kishin kaluar orë të gjata pa gjumë për të ndjekur ndeshjet.

 Samir Ujkani, në planet e Çezenës

Samir Ujkani është listuar si numri një, për të mbrojtur portën e Çezenës për sezonin e ardhshëm të Serisë B. Portieri kosovar është në pronësi të Palermos, por fakti që klubi siçilian, i porsangjitur në Serinë, A nuk i ofron një vend titullari i ka shtuar opsionet për një destinacion të ri të ish-gardianit të Kombëtares shqiptare. Ujkani është në avantazh në raport me kandidatin tjetër Nikola Leali. Ujkani ka luajtur më parë edhe për Novarën.

Milani kërkon Shkodran Mustafin

 Milani i ka hedhur sytë nga Shkodran Mustafi, mbrojtësin kosovar të Kombëtares gjermane. Mustafi është në kontratë me Sampdorian deri në qershor të vitit 2016. Milani është duke ndjekur me kujdes paraqitjet e Mustafit në Botërorin e Brazilit, me 22-vjeçarin që ka luajtur si zëvendësues në ndeshjet kundër Portugalisë e Ganës. Për Shkodranin interesohen edhe gjigantët e Bundesligës gjermane: Borusia Dortmund, Bajer Leverkuzen e Shalke 04.

 

Lionel Mesi me këpucë speciale për 27-vjetorin

 Lionel Mesi do të veshë këpucë speciale në ndeshjen kundër Nigerisë. Sponsori i tij, gjiganti gjermane “Adidas”, përgatiti një palë këpucë “teknokolor” me rastin e 27-vjetorit të lindjes së kapitenit të Argjentinës. Ylli i Barcelonës ka shënuar deri tani dy gola në dy ndeshjet e para, duke vendosur edhe fatin e takimeve kundër Bosnjës (2-1) dhe Iranit (1-0). “Adidas” ka bërë në total 27 palë, nga një për çdo vit të jetës së tij, teksa nuk mungon edhe nënshkrimi ekskluziv i tij. Të shtunën, në fitoren 1-0 kundër Iranit, me një gol të realizuar nga Lionel Mesi në minutën e 91-të, ylli argjentinas pati dy tifozë të veçantë: bashkëshorten e tij Antonela Rokuco dhe djalin, Tiago. Dhe ata sigurisht që, i sollën fat. Mesi ka shënuar 40 gola në 88 ndeshje me Argjentinën, duke qenë golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Kombëtares “albaceleste” pas Gabriel Batistutës me 56 gola. Gjithsesi, “pleshti” është në aktivitet dhe ka të gjitha shanset ta arrijë dhe ta kalojë atë.