Sfida në “Loro Boriçi”, për Gjokën është “oksigjen” i mbijetesës

111
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Për sfidën e sotme në Shkodër, Vllaznia-Luftëtari, flasin për “Telegraf” dy trajnerët, ja synimet e skuadrave të tyre
Ernest Gjoka: Ndeshjet në Shkodër, skuadra e ‘dënuar’ t’i fitojë


Situata e Vllaznisë në renditjen e 29 javëve të Kategorisë Superiore nuk është e qetë. Pas humbjes me Teutën javën e kaluar, shkodranët kërkojnë rikthimin te fitorja në fushën e tyre, ku përballë do të kenë sot Luftëtarin, një kundërshtar jo i lehtë për t’u kaluar. Para kësaj sfide, dje trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, deklaroi se skuadra e tij është e ‘dënuar’ të fitojë. Sipas Gjokës, çdo futbollist e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë në këtë përballje. “Ne si Vllazni jemi detyruar ta harrojmë humbjen në Durrës, të cilën e kemi ndjerë shumë, që nga unë i pari. Por tani nuk kemi kohë që të qajmë atë humbje, sepse jemi në javën tjetër dhe situata e vështirë na detyron të shohim përpara”, ishte ky deklarimi i Ernest Gjokës për gazetën “Telegraf”, i cili më pas i referohet llogarive që Vllaznia duhet të bëjë deri në fund të sezonit për të siguruar mbijetesën. “Vllaznia në vështirësi ka qenë gjithmonë, por tashmë llogaritë janë ngushtuar, dhe për ne ndeshjet brenda janë oksigjen në llogaritë e mbijetesës. Na duhet të bëjmë maksimumin që nesër (sot) ndaj Luftëtarit, i cili është një kundërshtar i vështirë dhe nuk është e lehtë të fitojmë ndeshjen. Nuk kemi asnjë alternativë tjetër veç fitore,s dhe çdo futbollist të jetë i ndërgjegjshëm për atë që duhet të bëjë. Për mbrojtjen tonë, Malota është i padiskutueshëm, e quaj një lider në ekipit. Ne jemi në një moment delikat dhe u kemi dhënë mundësi lojtarëve me më shumë përvojë që ta zgjidhim situatën, edhe pse kemi shumë lojtarë në formë, por për momentin, kemi bërë zgjidhje për sa i takon eksperiencës”, ishte kjo deklarata e trajnerit të Vllaznisë Ernest Gjoka, ndërkohë që në mbështetje të tij ka dalë edhe Administratori Astrit Gjyrezi.
Hasan Lika: Në Shkodër nuk luajmë ndeshje vendimtare


Skuadra e Luftëtarit ka bërë shumë progres brenda këtij sezoni. Duke kujtuar se në fazën e parë ishte në situata të mbijetesës në tabelën e renditjes, pas marrjes së drejtimit nga Hasan Lika, është kthyer në një skuadër që pretendon një vend në zonën e Evropës. Nisur nga ky synim, trajneri i bluzinjve, Hasan Lika, dje për gazetën “Telegraf” u shpreh se, në Shkodër skuadra e drejtuar prej tij do të shkoj për një rezultat pozitiv. Por, për të pozitiv do të ishte edhe barazimi, edhe pse e deklaron një ndeshje shumë të vështirë sot në Shkodër. “Kampionati i Kategorisë Superiore është në pikun e tij, sepse kanë mbetur vetëm 7 javë që secila skuadër të gjejë mundësinë e arritjes së objektivave. Për ne çdo ndeshje është vlerësuar si finale, dhe e tillë do të jetë ajo e nesërmja (sot) ndaj Vllaznisë në Shkodër”, kështu theksoi fillimisht Lika për gazetën “Telegraf”, duke treguar më pas edhe situatën e skuadrës së tij në prag të kësaj sfide. “Jemi në javën e 30-të, dhe problemet fizike mbeten prezent në skuadër. Për ndeshjen në Shkodër, kemi probleme me tre futbollistë, por nesër (sot) para zhvillimit të saj do të shohim gjendjen e tyre, dhe do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Stafi mjekësor do të bëjë të pamundurën për rikuperimin e tyre”. Për Hasan Likën, Luftëtari sot në Shkodër nuk e quan si një sfidë përcaktuese për vazhdimësinë deri në fundin e këtij Kampionati. “Unë nuk mund të them se ndeshja me Vllazninë është përcaktuese për ne në këtë fundkampionati, pasi përveç saj janë edhe 6 ndeshje të tjera me 18 pikë, të cilat mund të jenë përcaktuese për ne”, kështu u shpreh dje Lika për gazetën “Telegraf”, ndoshta duke lënë të kuptohet se gjirokastritët mund t’i hapin rrugë sportivisht Vllaznisë për ta fituara ajo këtë sfidë.
Ndeshjet-Java e 30-të
Sot, datë 21 prill 2018 
Kamza-Lushnja 16:00
Vllaznia-Luftëtari 16:00 
Nesër, datë 22 prill 2018 
Laçi-Kukësi 16:00
Flamurtari-Teuta 19:00
Të hënën, datë 23 prill 2018 
Partizani-Skënderbeu 19:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 29 66
2. Kukësi 29 54
3. Partizani 29 45
4. Luftëtari 29 44
5. Laçi 29 42
6. Flamurtari 29 40
7. Kamza 29 34
8. Teuta 29 33
9. Vllaznia 29 33
10. Lushnja 29 10