Sfida me Luftëtarin, Gega: Në kampionat ndryshon historia

172

Humbja në Kupën e Shqipërisë me Luftëtarin mund të harrohet shumë shpejt, pasi Partizani do të përballet me ekipin gjirokastrit këtë javë në kampionat. Në prag të ndeshjes së të shtunës, tekniku i “të kuqeve”, Skënder Gega ka dalë para medieve i bindur se kjo përballje në kampionat do të jetë tërësisht e ndryshme nga ajo e Kupës. Gega tha se disfata e së mërkurës ka ndikim në ekipin e tij më shumë në aspektin moral, por se ai ka besim në forcën e grupit që drejton dhe se ekipi do të jetë i plotë për të marrë fitoren e radhës.

“Ka ndryshime, nuk janë dy ndeshje të njëjta ndaj Luftëtarit. Skuadra është paksa e lodhur, edhe impenjimi ndoshta nuk ka qenë në nivele maksimale. Humbja në Gjirokastër ndikon moralisht. Kanë qenë të shumta, në dy ndeshjet e fundit. Lodhja fizike ndikon edhe tek ajo mendore, natyrisht. Skuadra është në një moment që po luan shumë ndeshje e po sforcohet, edhe gjërat nuk dalin ashtu si duam ndonjëherë. Besoj se do rikthehen disa lojtarë të rëndësishëm, skuadra është thuajse e plotë, por një pjesë e madhe e ekipit po ndjen lodhjen. Hila është kthyer, Bardhi do të kontrollohet sot. Më vjen keq, uroj që të jenë gati sa më shpejt, sepse kanë vrapuar shumë dhe janë të rëndësishëm.”

I pyetur për gjobën që presidenti Gazmend Demi ka vënë për ekipin për shkak të humbjes në Kupë, Gega nuk pranoi të komentonte, duke thënë se ato çështje janë vendime që i takojnë drejtuesve të klubit. “Janë kompetenca të presidentit, ai nuk ndërhyn shpesh, por ka një marrëveshje me lojtarët për disa objektiva. Asani dhe Trashi do jenë në fushë këtë fundjavë, nuk ka asnjë problem, nuk kanë bërë asgjë për të menduar për ndëshkim”.

Gega tha se të gjitha ato që fliten në media nuk ndikojnë te ekipi, që sipas tij është i fokusuar në arritjen e objektivit. Për teknikun e Partizanit skuadra ka përpara 9 finale deri në shpalljen kampion. “Kemi përpara 9 finale, kaq mjafton. Me mire te mendosh për ndeshjen e radhës, kaq. Duam fitore, asnjë dëmtim. Ata na kanë çuar deri këtu. Jo rastësisht 11 lojtarë kanë luajtur me shumë nga të tjerët, nuk mund të kemi 25 lojtarë në të njëjtin nivel, disa janë më të rëndësishëm dhe më cilësorë”.

Në fund të konferencës, Skënder Gega është ndalur të flasë edhe për ngjarjet e dhunshme të ditëve të fundit që kanë prekur futbollin shqiptar. “Unë punoj në një ambient shumë komod e të qetë, të tjerat nuk na takojnë. Jemi munduar të jemi shembullorë, duhet sjellje perfekte, besoj se jemi në rrugën e duhur. Me vjen keq për ato që po ndodhin, është një kulturë e ndërtuar ndër vite”.