Serbia nuk e arrin dot, Portugalia kualifikohet në Europian

129

Ditën e sotme është mbyllur gjithçka sa i përket kualifikueseve të Europianit 2020 për grupin B, aty ku Portugalia i është bashkuar Ukrainës dhe së bashku do të presin shortin për të njohur kundërshtarët që do të kenë në verën e ardhshme.

Luzitanët kanë mposhtur Luksenburgun me rezultatin 0-2 në transfertë, duke siguruar kështu tre pikët që i nevojiteshin për të hipotekuar vendin e dytë në grup. Ronaldo nuk mungoi as këtë herë që të shënonte emrin e tij në listën e golashënuesëve, duke treguar edhe një herë tjetër një formë mjaft të mirë me Kombëtaren e tij.

Nga ana tjetër Serbisë nuk i hynte në punë as fitorja kundër Ukrainës në rast se Portugalia do të bënte të njëjtën gjë. Edhe pse me kualifikimin në xhep ekipi i Shevçenkos nuk ka lëshuar pe në Beograd, duke rrëmbyer një barazim 2-2 në fundin e shtesës së takimit. E renditur poshtë Ukrainës dhe Portugalisë, e vetmja shpresë e serbëve tashmë për të qenë pjesëmarrës në Europian vitin e ardhshëm mbetet përmes Ligës së Kombeve./