Serbët kërcënuan FIFA-n me bojkot për Shaqirin, vjen përgjigja zyrtare

253

Federata Serbe e Futbollit ka provuar mbrëmë më kot që të pengonte Xherdan Shaqirin të zbriste në fushën e lojës me këpucët e tij me flamurin e Kosovës. Sipas konfirmimeve nga vetë zyrtarët e Federatës Serbe, ata i janë drejtuar FIFA-s para takimit vazhdimisht për këtë çështje, por përgjigja që kanë marrë nuk u ka pëlqyer edhe aq.

“Ajo që na ka acaruar neve në veçanti është se një nga lojtarët e tyre, specifikisht Shaqiri, mbante flamurin e të ashtuquajturit shteti i Kosovës. Ne reaguam me ngulm, edhe i thamë që nuk do të luanim ndeshjen nëse nuk do të zëvendësonte këpucët”, shpjegoi Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Serbe, Jovan Shurbatoviç.

Por FIFA as që ka vënë ujët në zjarr për këtë kërkesë boshe të palës serbe. “Nuk kishte asnjë reagim, pastaj ne insistuam përsëri, shkruam disa e-maile, kishim edhe kontakte direkte me zyrat e FIFA-s dhe më në fund, para fillimit të ndeshjes, ata na dhanë arsyetimin që lejohet sipas rregulloreve. Kjo pasi Kosova njihet si anëtar me të drejta të plota dhe lojtarët mund të shprehin ndjenjat e tyre kombëtare”, pranoi i dëshpëruar Shurbatoviç.

Kjo i jep fund të gjitha diskutimeve boshe për dënim të Shaqirit e Xhakës për festën me “shqiponjë” dhe dy lojtarët do të jenë të qetë të vazhdojnë të luajnë me përfaqësuesen zvicerane.