Serbët e ekzagjerojnë: ISIS do vrasë futbollistët tanë në Shqipëri

476
Sigal

BEOGRAD – Serbët e ekzagjerojnë! Vetëm një ditë pasi zëvendëspresidenti i Federatës serbe të futbollit, Milanovic deklaroi se i kërkonte UEFA-s që ndeshja me Shqipërinë të riluhet në fushë asnjëanëse dhe e njëjta gjë të ndodhte me ndeshjen e kthimit, tashmë janë mediat serbe që shkojnë vërtetë larg. Në kryeartikullin e sotëm Kurir shkruan se në ndeshjen e kthimit në Shqipëri më 8 tetor të vitit që vjen futbollistët serbe mund të vriten me snajpera nga terroristët.

Pas dhunës që tifozët serbë ushtruan ndaj futbollistëve të kombëtares sonë në ndeshjen e 14 Tetorit në Beograd, Serbia i trembet mundësisë që edhe Shqipëria mund t’ia kthejë me të njëjtën monedhë në ndeshjen që pritet të luhet në tetor të 2015-ës në vendin tonë…Dhe si për të “justifikuar” dhunën me rrezikun që mund t’i kanoset në Shqipëri, mediat serbe kanë nisur një spekulim të ri.

“Serbët janë të kërcënuar nga sulmet terroriste nga grupi islamik ISIS dhe nuk i garantohet siguria në Shqipëri”. Me këtë kryeartikull hap numrin e sotëm gazeta Kurir, duke iu referuar burimeve të besueshme nga strukturat e sigurisë, që thonë se në kushtet kur aktiviteti i ISIS është përforcuar në rajon, s’ka kurrfarë sigurie për futbollistët serbë.

 “Strukturat e sigurisë në Serbi e këshillojnë Federatën e Futbollit të Serbisë që t’i shmanget udhëtimit për në Shqipëri sepse mund të kërcënohet siguria e tyre, dhe ekziston rreziku i sulmeve terroriste, sidomos nga pjesëtarët e organizatës ISIS që vepron fuqishëm në Ballkan kohën e fundit”, shkruan Kurir. Sipas kësaj gazete, ishte pikërisht kërcënimi nga ISIS që shtroi kërkesat ndaj UEFA-s se ndeshja e ndërprerë mes Serbisë dhe Shqipërisë më 14 Tetor, duhej të riluhej në fushë neutral.

Ndeshja e kthimit Shqipëri-Serbi, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit europian do të luhet më 8 Tetor, dhe stadiumin e Elbasanit, ose në “Loro Boriçi” të Shkodrës nëse do të jetë rikonstruktuar deri në atë kohë.

Me këto spekulime mediat serbe duket se po mundohen ta bindin UEFA-në që ndeshja e kthimit të luhet në një vend neutral dhe pa tifozë.