Serbët bëjnë gati ‘armët’, portjeri: Vijmë për luftë në Elbasan, duam hakmarrje

62
Kur duhen edhe 8 ditë nga ndeshja e madhe Shqipëri- Serbi, sfida është nxehur në maksimum me deklaratat e portierit të Serbisë, Vladimir Stojkovic, i cili përmes një interviste të gjatë për të përditshmen serbe ‘Alo’ deklaron se janë gati për luftë në Elbasan.
Portieri shprehet se do të japin maksimumin për të fituar në Elbasan në shenjë hakmarrje për atë që ndodhi në Beograd një vit më parë, sfidë që u mbyll me buzëqeshjen e shqiptarëve në CAS.
“Serbia është gati për luftë dhe përleshje në ‘Elbasan Arena’. Shqiptarët do të përpiqen të na mundin me dhunë, sepse janë të vetëdijshëm sepse në terren nuk mund të na mundin, ne duhet t`iu përgjigjemi në mënyrë, të kthejmë atë që na është marrë padrejtësisht në Beograd.
Shqiptarët tashmë e kanë filluar luftën me arrestimin e serbit me dron në kufi (i cili përpiqej të bënte punën e tij dhe punonte për një organizatë turistike në Shqipëri) dhe vazhdoi me provokimet e lojtarit Andi Lila, i cili festoi golin ndaj Olimpiakosit duke e lartësuar Shqipërinë e Madhe.
Me siguri do të ketë edhe ndonjë sajesë në Elbasan, por tani jemi më të përgatitur dhe më me përvojë për shkak të asaj që ndodhi në terrenin tonë.
Do të ketë gjithçka. Rrahje, grindje, shpime, goditje, por ne jemi të përgatitur. Kush del më i mençur nga kjo luftë, do të fitojë dhe ndeshjen”deklaroi lojtari serb, Stojkoviç.
Në fund, Stojkoviç i trembet edhe një tjetër droni në Elbasan, pas atij në Serbi.
“Nuk do të më çudiste që të lëshojnë dhe dron me flamurin serb e të na akuzojnë se e kemi bërë ne.
Të gjithë duam t’ua prishim planet, t’i mundim dhe të mos shkojnë në Kampionatin Europian” përfundoi ai.