“Selman Stërmasi”, i vogël për Partizanin

523
Sigal

Të kuqtë do të luajnë sot kundër Flamurtarit. Policia e Shtetit e merr përsipër në orët e fundit

Partizani do të luajë sot ndaj Flamurtarit, në një “Selman Stërmasi” thuajse të rrënuar dhe të vogël për tifozerinë e kuqe. Ndeshja me kuqezinjtë nga Vlora është përgatitur me shumë kujdes nga trajneri Hasan Lika, që kërkon tri pikët ndaj Flamurtarit, që është ende nën “efektin negativ” të tri pikëve të hequra nga Komisioni i Disiplinës.

POLICIA

Në fakt, gjatë gjithë ditës së djeshme në klubin e kuq, shqetësimi nuk kishte të bënte jo me gjendjen fizike të futbollistëve, apo me ndonjë udhëzim të vonuar të trajnerit, por me Policinë e Shtetit, e cila deri në orët e pasdites nuk e kishte marrë përsipër zhvillimin e ndeshjes në impiantin e dytë të kryeqytetit. “Policia e Shtetit deri tani nuk e ka marrë përsipër zhvillimin e ndeshjes Partizani-Flamurtari. Me gjithë insistimin e vazhdueshëm të Klubit dhe Federatës ata vazhdojnë të qëndrojnë kokëfortë në qëndrimin e tyre. Sipas kërkesave që parashtron Policia e Shtetit, në Shqipëri nuk duhet të luhet futboll askund me përjashtim të stadiumit “Qemal Stafa”. Bile edhe aty me dyshime kanë. Kur do të arrijnë të kuptojnë se ata ekzistojnë që t’i shërbejnë shoqërisë dhe nuk ekziston shoqëria që t’u shërbejë atyre?”, – thuhet në deklaratën e klubit të kuq. Për këtë takim klubi ka akorduar bileta me çmim 500 dhe 300 lekë, ku 500 është për pjesën ku ka karrige plastike dhe 300 me shkallë betoni. “Selman Stërmasi”, në gjendjen aktuale mund të mbajë jo më shumë se 2500 tifozë, ndërkohë që “Guerrilasit” dhe grupet e tjera ultrase e kalojnë disa herë këtë shifër. Tribuna karshi me urdhër të policisë nuk do të hapet për shkak të mungesës së kushteve minimale të sigurisë.

TRAJNERI

Partizani dështoi të merrte tri pikë të plota në shtëpi, në ndeshjen ndaj Bylisit në “Qemal Stafa”, në atë barazim 2-2 të fiksuar pas dizvantazhit 0-2. Trajneri Hasan Lika dhe djemtë e tij janë të përgatitur të marrin trepikëshin e parë në shtëpi, ndonëse është ndeshja e dytë brenda. Ai gabim që u bë me Bylisin nuk duhet përsëritur ndaj Flamurtarit, për vetë faktin se ekipi ka arritur të fitojë në fusha të vështira, Krujë dhe Kavajë. “Për ne nuk ka ndeshje të lehta, pasi çdo ekip paraqet vështirësitë e veta. Pa dyshim që përballjen me Flamurtarin e shikojmë të fortë, por shpresoj që në fund ta zgjidhim me sukses. Kundërshtari vërtet nuk ka pozita të mira në renditje, por për ne kjo nuk thotë gjë, sepse dihet se ata kanë zhvilluar lojëra të mira dhe tri pikë u janë hequr. Pra, është një ndeshje që kërkon interpretim sa më të mirë. Luajmë para tifozëve tanë dhe kësaj radhe faktorin fushë duhet ta shfrytëzojmë në të mirën tonë. Jemi një ekip i ri dhe gradualisht po përmirësohemi, ndërsa shumë shpejt grupi do ta gjejë harmoninë e plotë”, – u shpreh trajneri i të kuqve, Hasan Lika. Për këtë takim të javës së pestë trajneri e ka të plotë grupin, pasi kthehet nga pezullimi edhe mesfushori Behar Maliqi.

STATISTIKA

Partizani dhe Flamurtari kanë zhvilluar 127 ndeshje midis tyre, ku spikasin 66 fitore të të kuqve dhe vetëm 19 të vlonjatëve. Edhe golaverazhi është padyshim tepër pozitiv për kryeqytetasit: 204 të shënuar dhe 95 të pësuar, pra +119 gola. Duke marrë për bazë, vetëm ndeshjet nga sezoni 1989-1990, pra 22 të fundit, Partizani ka fituar 10 takime, Flamurtari 5 dhe 7 ndeshje janë mbyllur në barazim (28-19 golaverazhi). Ndeshja e fundit midis dy skuadrave në Kategorinë Superiore është ajo e 9 majit të vitit 2009, kur Flamurtari fitoi 2-1 në Vlorë. Duke parë tablonë e këtij edicioni, Partizani ka grumbulluar shtatë pikë nga katër ndeshjet, ndërkohë që Flamurtari ka tri pikë (pas dënimit të Disiplinës). Në ndeshjen e fundit, Partizani fitoi 1-0 me Besën, ndërsa Flamurtari humbi 1-0 me Kastriotin në fushë asnjanëse.

 127 ndeshje

kanë zhvilluar midis tyre Partizani dhe Flamurtari, ku spikasin 66 fitore të kryeqytetasve dhe vetëm 19 të vlonjatëve

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA V

Sot, 14:00

Vllaznia-Laçi

Kastrioti-Kukësi

Partizani-Flamurtari

Bylis-Besa

Teuta-Tirana

Nesër, 17:00

Skënderbeu-Lushnja

RENDITJA

1    Teuta           4    8

2    Vllaznia        4    7

3    Partizani       4    7

4    Lushnja         4    7

5    Laçi            4    7

6    Skënderbeu      4    6

7    Kastrioti       4    6

8    Bylis           4    4

9    Kukësi          4    4

10   Tirana          4    4

11   Flamurtari*     4    3

12   Besa Kavajë     4    1

* Flamurtarit i janë hequr 3 pikë

Golashënuesit

 2 gola: E. Malindi (Kastrioti), A. Meto (Bylis), Gj. Muzaka (Skënderbeu), T. Osmani (Teuta 2p), G. Progni (Kukësi), D. Xhafaj (Teuta)

 1 gol: I. Batha, F. Sefa, B. Dita (Besa); S. Izuçuku, B. Kuli (Bylis); P. Arbri, H. Begaj, A. Shehaj (Flamurtari); N. Ferraj (Kastrioti), Y. Hoxha (Kukësi); E. Tanushi, E. Veliaj (Laçi); A. Bizhyti, M. Canka, L. Trashi (Lushnja); R. Hyshmeri, A. Mitraj, O. Sodje, E. Demiri (Partizani), M. Radash, A. Ribaj, B. Shkëmbi (Skënderbeu), J. Ahmataj, E. Mustafaj (Teuta), G. Muça (Tirana, p), N. Shtubina, T. Bushiç, A. Tafili (Vllaznia),

KATEGORIA E PARË/ Blutë do të udhëtojnë në Himarë. Ndeshje komode për Apoloninë dhe Elbasanin

 Dinamo, koha për fitoren e parë

 Dinamo do të synojë sot në Himarë të marrë fitoren e parë, pas tri barazimeve rresht dhe një humbje, kur të përballet me himarjotët e drejtuar nga Roland Nënaj. Trajneri blu Dritan Mehmeti e ka të qartë detyrën e tij, teksa katër javët e deritanishme të 18 herë kampionëve të Kategorisë Superiore mund të konsiderohen si një dështim: vendi i 13-të nga 16 skuadra, pikërisht pozicioni që të çon në Kategorinë e Dytë (këtë sezon bien direkt katër skuadra). Nëse Dinamo vjen pas barazimit 1-1 me Luftëtarin e Gjirokastrës në kryeqytet, Himara do të luajë pas barazimit 0-0 në transfertë me Albpetrolin e Patosit. Në ndeshjen e fundit të luajtur në shtëpi, himariotët fituan 2-0 me debutuesit e Veleçikut të Koplikut. Apolonia dhe Elbasani kryesojnë pas katër javësh me nga tetë pikë secila, duke dëshmuar se janë dy ekipet favorite për t’u rikthyer në Superligë. Por, nëse fierakët zbritën në sezonin 2012-2013, elbasanasit nuk janë pjesë e elitës së futbollit shqiptar nga edicioni 2011-2012. Si trajneri i Apolonisë, Elidon Demiri, ashtu dhe ai i Elbasanit, Ilirjan File, kërkojnë fitore në shtëpi, respektivisht ndaj Butrintit të Sarandës dhe Burrelit. Të dyja kryesueset nuk e njohin humbjen dhe kanë arkivuar secila nga dy fitore dhe dy barazime. Ndeshje të tjera interesantë të javës së pestë janë dhe Kamza-Tomori dhe Luftëtari-Shkumbini. Kamzalinjtë dhe gjirokastritët kanë nga një ndeshje më pak, pikërisht përballjen midis tyre të programuar në javën e parë, por që nuk u zhvillua për shkak se kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, bllokoi hyrjen në stadium. Ky sezon për gjirokastritët ka nisur në shenjën e barazimeve, pasi ka arritur të tre rezultate të tilla në tri ndeshjet e para. Kamza nuk është duke bërë një sezon të mirë, dhe për momentin ndodhet në zonën e kuqe. Ndeshjet e tjara janë Mamurrasi-Albpetroli, Pogradeci-Veleçiku dhe Tërbuni-Ada.

  Zona me “drita të kuqe”

 Paraqitja e Dinamos në katër javët e deritanishme mund të konsiderohen si një dështim: vendi i 13-të nga 16 skuadra, pikërisht pozicioni që të çon në Kategorinë e Dytë. Në vendet 13-16 janë: Dinamo, Kamza, Tërbuni dhe Ada. Këtë sezon bien direkt katër skuadra.

  KATEGORIA E PARË

Java V

Sot, 16:00

Himara-Dinamo

Mamurrasi-Albpetrol

Pogradeci-Veleçiku

Apolonia-Butrinti

Kamza-Tomori

Elbasani-Burreli

Tërbuni-Ada

Luftëtari-Shkumbini

RENDITJA

 1    Apolonia   4    +6   8

2    Elbasani   4    +2   8

3    Pogradeci  4    +4   7

4    Butrinti   4    +3   7

5    Tomori     4    -1   7

6    Burreli    4    +1   6

7    Shkumbini  4    -1   6

8    Veleçiku   4    -1   6

9    Albpetrol  4    +0   5

10   Mamurrasi  4    -1   4

11   Himara     4    -2   4

12   Luftëtari  3    +0   3

13   Dinamo     4    -1   3

14   Kamza      3    -2   2

15   Tërbuni    4    -2   2

16   Ada        4    -5   2

 

Canaj: “Të fitojmë me Laçin, më pas radha e Skënderbeut”

 Vllaznia është e përgatitur për të arritur një rezultat pozitiv përballë Laçit në “Loro Boriçi”. Edhe pse e nisën me një humbje në Shkodër, kuqeblutë korrigjuan gabimin dhe tashëm ndodhen në vendin e dytë me një pikë më pak se Teuta. “Jemi të përgatitur për ta kaluar me sukses edhe këtë ndeshje pavarësisht se përballë do kemi një kundërshtar shumë të fortë. Unë shpresoj që të kemi edhe mbështetjen maksimale të tifozëve tanë që duhet të jenë ngrohur nga rezultatet e fundit pozitive që kemi marrë. Mbështetja e tifozëve mund të na motivojë edhe më shumë për të marrë rezultatin e duhur në këtë ndeshje: fitoren”- tha për mediat Canaj. Nëse sot do luhet ndaj Laçit, të mërkurën që vjen për Vllazninë do të jetë një ndeshje edhe më e vështirë, ajo ndaj kampiones në fuqi-Skënderbeut. I pyetur nëse ka filluar të mendojë për këtë ndeshje, trajneri Canaj ka thënë se vëmendja është e përqendruar totalisht tek ndeshja me Laçin. “Kurrsesi nuk duhet ta kemi mendjen tek Skënderbeu. Do kemi kohë të mendojmë për të. Çdo ndeshje ka vlerë trepikëshe prandaj duhet të kërkojmë të marrim njëherë tre pikët e fitores me Laçin”- ka thënë trajneri Canaj.