Sejdini: “De Biazi, trajneri më i dobët nga të huajt”

601
Sigal

Sejdini: “Rinovimi një gabim. Bëri eksperimente pa ide. Askush nuk e kupton sesi luan italiani”

Faruk Sejdini, ish-ndihmës  i Astrit Hafizit me Kombëtaren, në periudhën 1997-1999, nuk e konsideroi si pozitiv rinovimin e kontratës së Federatës Shqiptare me italianin De Biazi.

 – Federata konfirmoi rinovimin me trajnerin Xhani De Biazi edhe për dy vite të tjera, deri në përfundim të eliminatoreve të Euro 2016.  A meritonte tekniku italian kontratën e re?

– Nuk e di se, mbi çfarë ’baze vendosi FSHF-ja, por për mua, Xhani De Biazi është një nga trajnerët më të dobët që i kanë ardhur Shqipërisë.  Unë habitem sesi është e mundur të ofrojnë edhe dy vite të tjera kontratë një njeriu që dështoi në mënyrë të atillë.

– Mos ndoshta është paksa i ashpër ky konkluzion?

– Jo, absolutisht jo. Në rast se një trajner do të dështonte ai, kurrë nuk do ta meritonte rinovimin. Me të gjithë ne kemi përfunduar në vendin e parafundit, por De Biazi tregoi se ishte një trajner tepër kaotik. Ai as nuk e rinovoi ekipin dhe as nuk bëri ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Ai bëri veprime për një trajneri sharlatan.

– Përse e thoni këtë?

– Nuk ka trajner në botë që, të bëjë eksperimente pa fund me ekipin dhe me skemat në lojë si Di Biazi: një ndeshje fut dy të rinj, në një tjetër s’i fut fare, dike e lë pa thirrur një vit të terë dhe më pas e përfshin në formacion titullar. Lilën njëherë e fut në të djathtë dhe një herë tjetër në të majtë të mbrojtjes. Për mua ka bërë disa lëvizje të pakonceptueshme. Ndoshta Federata ka menduar, që më mirë të vazhdojë me De Biazin, pasi ky e njeh ekipin, sesa të marrë dikë që ta nisë nga fillimi, por futbolli nuk ka të bëjë me këtë gjë.

– Nuk duhet t’’ia mohojmë faktin që, solli shumë emra të rinj në ekip…

– Shikoni unë kam punuar me ekipin Kombëtar me Astrit Hafizin Në kohën tonë ne kemi pasur vetëm lojtarë shqiptarë, të dalë nga kampionati ynë. Sina ka qenë 18 vjeç në ndeshjen kundër Gjermanisë, Dede ka qenë në stol në moshën 17 vjeç; Pinarin, etj.. Por, këta ishin prodhime të futbollit tonë. Dhe me këta në vend të pestë dilnim.

– Një nga çështjet më të debatuara kanë qenë shpesh kontratat e larta të trajnerëve të huaj në raport me atë që kanë marrë teknikët shqiptarë…

– Edhe me këtë pikë nuk jam dakord me FSHN-në. Si mund të paguajë një trajner deri në 1 milion euro, kur s’ke fusha dhe mund të investosh për to. Unë kam dëgjuar dhe është debatuar shpesh në lidhje me idenë se, po të kesh një trajner shqiptar në bankinë ai komprometohet. Kjo është tepër fyese. Si mund të jetë i korruptuar trajneri, ndërsa drejtuesit nuk janë të tillë. Pse vetëm trajneri i Kombëtares qenka i kompromentuar? Po gjithë ajo Federatë, sipas kësaj logjike nuk është e tillë? De Biazi është kampion i dështimit. Ai merr më shumë se 2o mijë euro në muaj, kur punë efektive e tij nis shtatorin e vitit tjetër kur nisin eliminatoret çfarë do të bëjë? Pushime?

– Kontrata mund të ketë klauzola, që ai të ndjekë kampionatin vendas. Pse duhet ta paragjykoni?

– Ai duhet të vijë këtu në vendin tonë dhe të ndjekë kampionatin shqiptar, të shkojë në Shkodër, Vlorë apo Elbasan në kërkim të talenteve të rinj. Këtë gjë e kemi bërë dhe ne. Në internet mund të gjesh lojtarë sa të duash, boll të kërkosh në “Google”. Mavrja ishte kapiteni i Grojther Fyrthit  në Bundesligë dhe nuk është aspak zbulim i De Biazi, po kështu Etrit Berisha luante si titullar në portën e Kalmarit, e të tjerë si Alban Meha, Burim Kukeli, Valdet Rama, apo të tjerë.

  De Biazi, trajneri i Euro 2016

 Trajneri Xhani De Biazi ka rinovuar kontratën për dy vite me Federatën Shqiptare të Futbollit, me opsionin për të rinovuar edhe për një edicion tjetër. Marrëveshja është arritur në Milano, ku ka qenë i pranishëm edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka dhe do të zyrtarizohet të mërkurën. Marrëveshja Xhani De Biazi do të përfitojë rreth 10 për qind rritje page për edicionin e ardhshëm. Marrëveshja u zyrtarizua pas shumë negociatave. Prezantimi i trajnerit do të bëhet ditën e mërkurë nëpërmjet një konference për shtyp, që pritet të mbahet në ambientet e FSHF-së. Bisedimet për rinovimin e kontratës së De Biazit kanë nisur që në verë. Siç është parashikuar, shorti për kualifikimet e Europianit të 2016- ës do të hidhet më 23 shkurt 2014 në Pallatin e Kongreseve në Nisë, Francë. Ndërsa pas kualifikimeve, shorti për skuadrat që do luajnë në këtë Europian do të mbahet më 12 dhjetor 2015. Sipas formatit që tashmë është aprovuar nga UEFA, ky kampionat nuk do luhet më me 16 skuadra, por me 24 të tilla.

Opinion

Duka dhe “Januzët”

  Nga Ilir J. Hoxha

 Mbas atij kulmi akuzash të cilat kishin për objektiv  Federatën e Futbollit dhe veçmas  Presidentin e saj,  z. Armando Duka, për neglizhencën e treguar në përthithjen e talenteve mbarëshqiptare  u duk sikur  situate u qetësua. Në fakt ka qenë një qetësi e rreme sepse,  paraqitja dhe renditja e Kombëtares larg  pritshmërive të  dëshiruara në eliminatoret “Brazil 2014”, po pse jo edhe ridalja në skenë  e një futbollisti të talentuar, Adnan Januzaj,  ka qenë ajo që ka  rikthyer sërishmi situatën në pikën zero. E vërteta është se çdo palë e veçuar është bindëse për argument e saj dhe në kësi situatash faji ngelet jetim. Por ne nuk na intereson autori i fajit, por  zgjidhja e problemit. Ajo që më shtyu t’i rikthehem me këto rreshta kësaj çështje është pikërisht një intervistë  në një nga televizionet  kosovare  që ka hequr “zhguallin” e plagës, për ta rinisur nga fillimi këtë debat që tashmë me komunikimin “on line” i ka kaluar kufijtë mbarëshqiptarë. Sërishmi është i njëjti skenar. Njëra palë , që këtë radhë ka për protagonist “çështjen Januzaj” dhe si nga hera të ‘fajshmit’ e FSHF dhe presidenti Duka. Unë nuk jam palë e ndonjë pale, por palë e asaj që është palë për Shqipërinë , më të mirës. Neglizhenca e FSHF dhe e Presidentit të saj  e rreshton  seniorin (babin) e Januzajve tek “engjëjt”. Nga leximi i intervistës, këtij “engjëllori” më shumë i intereson  të nxijë ‘djallin’ Duka me Federatën sesa të engjëllohet vetë duke mos ju përdredhur kërkesës, që tashmë është e përbotshme, që djali Adnani të bëhet  pjesë e  Kombëtares shqiptare.. Ndryshe nga akuzat e paraardhësve Xhaka, Shaqiri apo të tjerë që ja u kishin bërë “borxh” sepse Federata  apo më tutje akoma vetë presidenti Duka u kishte kërkuar para  në këmbim të aktivizimit me kombëtaren, ky zotëria, Abedini i ati i Januzit qenkësh mërzitur dhe akuzon Dukën sepse ky  paska mashtruar duke thënë  kam komunikuar etj , etj,apo  pse nuk e paska    kontaktuar askush  as para tetë muajsh as kur Januzi paska qenë 13 vjeç. Madje për këtë përkrahësit e ekipit kuqezi të indinjuar me sjelljet e Dukës, e sidomos me rastin e Adnan Januzajt, kanë hapur një grup në rrjetin social “Facebook” duke kërkuar largimin e tij nga FSHF-ja. Është më se normale cilido, tani, që mundësitë janë të pambarimta për të shprehur mendimin e tij, madje edhe ta manipulojë në interes të tij . Si shqiptar patriot i kombëtares edhe unë jam i ndjeshëm po kaq sa edhe  sa këta që për zgjidhje kanë largimin për “mbushje të kupës” nga Presidenti Duka duke kërkuar një  riformatim të ri, që të na  çliroj nga ky ngërç i mungesës së rezultateve aq shumë të dëshiruara. Duke njohur të dy “kampet” kam frikë se edhe kjo “tullumbace” e Abedinit është e shpuar  ende pa u fryrë mirë .Ne kemi qenë, që kemi dëgjuar dhe komentuar lloje –lloje  akuzash nga futbollistët shqiptarë të Zvicrës  për shuma që presidenti Duka u paskësh kërkuar në këmbim të aktivizimit me Kombëtaren . Natyrshëm nëse këta  “atdhetarë” do ta njihnin Dukën dhe pasuritë e tij  për të qenë më të besuar akuzat duhet t’i  kishin në kahe të kundërt, në atë që Duka mund t’u kishte ofruar dyfishin dhe trefishin  e atyre parave për të luajtur me Kombëtaren , po kjo nuk e përjashton edhe  mundësinë që nëpunës të “vegjël”, që në FSHF  janë me shumicë  të kenë çeduar. Ndoshta për këta  nëpunës duhet ti kërkohet Dukës dorëheqja, sepse është bërë një çerdhe burokratësh. Është, pikërisht disniveli skandaloz i “skuadrës”  së FSHF-së që, nuk i përgjigjet dialektikës së kohës përditë e në zhvillim. Gjithkush është i lirë të zgjedh sipas dëshirës, por është  e padrejtë të hedhësh vrerin diku tjetër për të mbuluar atë që nuk ke burrëri ta deklarosh pastër dhe sinqerisht. Kësaj i thonë  “e vrava se më fyeu” dhe fyerja qenka mungesa e komunikimit ,madje kjo e bëka të pakthyeshëm mendimin për të luajtur më me Kombëtaren tonë. Jo… z Abedin , duhet t’ju  kishin mësuar më mirë për këtë punë, madje pse jo duhet të kishe marrë “konsultën” e G Xhakës, Xh Shaqirit me Co.  Nuk janë të pakta postimet në faqen e “Facebook”-ut që e kanë kuptuar qëndrimin dredharak të Abedinit duke shprehur edhe pse me fjalë jo etike  këtë alibi që na paska “mërzitur” Abedinin deri në pakthyeshmëri . Ja si shprehet në ligjëratë të drejt një postim në “Facebook” për këtë  “  Ndjese nëse dikujt nuk i pëlqen por ky babai i Januzajt e sheh Kombëtaren si kusht. Pra, nëse nuk është Duka ulem në negociata. Unë i them që Kombëtarja nuk është kusht, por dëshirë. Si nuk e pamë një herë  ta shprehte ky Januzaj: ‘Unë kam dëshirë të luaj për Shqipërinë dhe jo duke bërë ecejake. Pastaj ta fajësonim Dukën pse nuk e merr. Këto ecejake mua me duken si justifikime, që Januzaj të mos e humbasë imazhin e shqiptarëve dhe ne fund të zgjedhë sipas kushteve dhe së ardhmes që dëshiron. “Kombëtarja s’duhet të jetë kusht, por ndjenjë”. Ndoshta ka ardhur moment që këtyre spekulimeve tu dilet përpara hapur dhe pa rezerva, nuk besoj se i duhet kujt një Januz , apo edhe një Maradone kur ai nuk ndien për flamurin , për kombin.

Kupa e Botës “Brazil 2014”

Shorti i “play-off”

Portugali-Suedi

Ukrainë-Francë

Greqi-Romani

Islandë-Kroaci

Ndeshjet: 15 dhe 19 nëntor