Sefedin Braho: Ishte një ndeshje e mirë si lojë dhe e merituar në rezultat

Nga Agron KAJA

TURQI-SHQIPËRI 2-3 / Ja si e analizon ndeshjen e djeshme një nga figurat e mëdha të Kombëtares shqiptare në vite

E ndoqët me emocion miqësoren me Turqinë, apo “ftohtë” si moti?
Nuk ka ndeshje të Kombëtares sonë që unë të mos e ndjek me emocion. Bashkohen të gjitha, si ish-pjesë e saj, si shqiptar dhe si pasion. Pamë një ndeshje që në fund na bëri të mos e ulnim kokën poshtë, edhe pse ishte miqësore.

Ishte një ndeshje e mirë kjo për Kombëtaren tonë apo mendoni se pritej më shumë?
Nëse nisemi nga rezultati, në rregull e, nëse nisemi nga loja që zhvilloi skuadra jonë, unë mendoj se ajo u menaxhua mirë, kryesisht në pjesën e parë. Nëse nuk do ishim ndëshkuar me kartonin e kuq, do të ishim superiorë edhe në pjesën e dytë.

Sa ndryshoi loja e skuadrës sonë nga pjesa e parë në të dytën?
Mendoj se ishte një ndryshim i kushtëzuar nga superioriteti numerik që u krijua në pjesën e dytë. Turqia nuk kishte skuadër agresive, kryesisht në finalizim, por edhe qëndrueshmëria e skuadrës sonë nuk i la shumë hapësira. Patëm edhe fat në disa raste që nuk pësuam gol.

Sipas jush, ku çaloi më shumë loja e skuadrës sonë?
Mesfusha gjithmonë është reparti më kryesor në fushë dhe ajo ndryshoi në të dy pjesët. Edhe në të parën nuk mund të them se ishte shumë më lart nga pjesa tjetër e skuadrës, sepse Panuçi e kishte ndërtuar taktikën me një sulmues pykë dhe dy anësorë shumë të shpejtë.

Po kartoni i kuq i Memushajt, sa ndikoi në lojën e skuadrës sonë?
Natyrisht që në pjesën e dytë dha ndikim që në pësimin e golit të parë, vetëm 2 minuta sa kishte nisur loja. Në ndeshje miqësore është mirë që lojtarët të kenë më shumë qetësi, sepse nëpërmjet qetësisë vjen edhe pjekuria e lojës. Ai (Memushaj) nuk e menaxhoi emocionin.

Nuk e menaxhoi emocionin Memushaj, por ndikoi drejtpërsëdrejti në lojë e në rezultat, sipas jush?
Është normale në futboll, që kur ka superioritet numerik në fushë, sidomos kur skuadra vendase është në disavantazh dhe me më shumë futbollistë, që të rritet presioni. Nëse do të ishim të barabartë, mendoj se Turqia do të kishte më pak hapësira, ne do të shënonim më shumë gola, dhe ndoshta nuk do të pësonim.

Çfarë kishte ndryshuar Panuçi në këtë miqësore?
Aktivizoi më shumë lojtarë të rinj. Për deri sa e la pushim kapitenin Agolli, ishte e kuptueshme që ai prioritet do tu jepte atyre futbollistëve që i mendon për kualifikueset e Evropianit 2020. Gjithsesi, ishte një ndryshim i kujdesshëm ndaj një kundërshtari të mirë.

Sa mendoni që ky grup premton për vazhdimësinë?
Në Kombëtare gjithmonë ka lëvizje, me prurje të reja dhe largime. Rëndësi ka që, trajneri të dijë që ti harmonizojë mirë vlerat e tyre me rreshtimin në fushë, dhe sot (dje), mendoj se kjo u bë mirë. Vazhdimësia kështu duket e mirë, por duhet më shumë punë nga trajneri, sepse tashmë do të kemi edhe një pushim të gjatë pa ndeshje.

E hënë 13 nëntor 2017, ora 18:00 në stadiumin e Antalias, ndeshja miqësore

TURQI-SHQIPËRI 2-3
Shënues: Under 47’, Akbaba 60’/ Sadiku 24’, 39’, Grezda 55’
Turqia (1-4-2-3-1): Babaçan, Jardimçi (Tufan 46’), Aziz (Demirok 46’), Sojunçu, Turan (Kobajashi 46’), Jukuslu, Ozjakup, Çalhanoglu (Yazisi 74’), Under (Unal 71’), Karaman (Akbaba 60’), Tosun. Trajner: M. Luçesku
Shqipëria (1-4-2-3-1): Berisha, Hysaj, Mavraj, Veseli, Lenjani (Ajeti 66’), Lilaj (A. Lila 87’), Xhaka, Memushaj, Roshi (Qaka 66’), Grezda (Ajdareviç 81’), Sadiku (Aliji 66’). Trajner: K. Panuçi 
Gjyqtar: Georgi Nikolov Kabakov (Bullgari)
Kartonët: KV Aziz, Tufan, Sojunçu / Memushaj (2)
KK Memushaj

MINUTAT E GOLAVE
24’ GOL 0-1. Roshi shpërtheu bukur nga e djathta e sulmit, dhe pasi hyri në zonën e turqve, pasoi te Sadiku. “Gjahtari” i golit e kishte pritur rastin, dhe me një gjysmë kthese e shkelmoi topin me një goditje të fortë, për të pushuar në rrjetën e portës të mbrojtur nga Babaça.
39’ GOL 0-2. Përsëri del në skenë dyshja Roshi-Sadiku. I pari me shpërthimin e topin e saktë, ndërkohë që krosin e tij në qendër, Sadiku e godet topin saktë me kokë, duke e përcjellë në rrjetë.
47’ GOL 1-2. Under ngushton diferencën për vendasit pas një asist të Tosun nga krahu i majtë, mesfushori turk godet saktë shumë pranë vijës fatale duke dërguar topin në rrjetë. Gabim në rreshtimin e mbrojtjes sonë.
55’ GOL 1-3. Këmbëngulje e Eros Grezdës, pas humbjes së topit nga Sadiku, brenda në zonën e Turqisë, me një diagonale mjeshtërore shënon një gol shumë të bukur.
60’ GOL 2-3. Akbaba ngushton diferencën për turqit. Tosun lë një top në zonë për Akbaba, i cili me një goditje me të majtën mposhti portierin Berisha, ngushton diferencën e golave.