Scolari: Mesit dhe Ronaldos po i vjen fundi, Neymar për dy vite do t’i rrëzojë nga froni

449
Luiz Felipe Scolari, ish-trajneri i kombëtares së Brazilit aktualisht drejton skuadrën kineze të Guangzhou Evergrande, por ashtu siç shprehet ai vetë në këtë intervistë, kurrë nuk e ka lënë pas dore futbollit në Europë. Braziliani ka cekur pothuajse të gjithë temat që aktualisht janë shumë të nxhehta, si dueli Mesi Neymar apo lufta për “Topin e Artë”.
“Ronaldo dhe Messi janë gjithnjë në majë duke konkurruar me njëri-tjetrin, por në dy vite unë do të vendosja Neymar-in në ato nivele. Në fakt, ai ka nisur që tani të rrëzojë nga froni njërin prej tyre. Ai është një nga lojtarët më të mirë që kam stërvitur ndonjëherë”, u shpreh së fundmi tekniku, i cili foli edhe për ecurinë e këtij sezoni të dy hegjemonëve të La Ligës, Real Madrid dhe Barcelona.
“Sot Real Madrid i afrohet stilit tim më shumë se Barcelona. Luis Enrique pëlqen të luajë futboll të mirë, por katalanasit kanë ndryshuar në vitet e fundit me lojtarë si Suarez, Messi dhe Neymar”, shpjegoi Scolari.
I pyetur më tej për dy lojtarët më të mirë në botë, braziliani theksoi ndryshimin thelbësor të 31-vjeçarit Ronaldo me “Pleshtin”. “Cristiano është lojtari më i mirë në botë, sepse ai bëhet i tillë duke u stërvitur për këtë dhe duke u angazhuar krejt ndryshe nga çdo lojtar tjetër. Ai e ngarkon veten, ndërsa Messi jo. Më i miri që kam stërvitur? Rivaldo, Ronaldo, Ronaldinho, Roberto Carlos gjithashtu”, përfundoi ish-kampioni i botës.
Sigal