Sarandjotja 14 -vjeçare, rekordmene në Pekin

696
Sigal

RRËFEN ISH -NOTARJA E “BUTRINTIT” DHE “DINAMOS”, FLORIKA BEBRI

Ajo sot  është 56 vjeçe, është lindur në Sarandë më 10 Mars 1956 nga Mezani dhe Anifeja. Shpesh shohim shumë qytetarë në rrugë, duke i njohur nga puna që kryejnë apo diploma që kanë, por nuk u dimë aftësitë e tyre të veçanta, dhunti nga natyra. Një nga këto është edhe Florika Bebri, notarja që kur ishte 14 vjeçe çuditi Pekinin me thyerjen e rekordit 200 m, stil bretkosë. Rrugëtimi i saj sportiv nisi qysh në moshë të vogël për t’u ndërprerë në kulmin e shkëlqimit të saj. Kjo i ka lënë një dhimbje! Florika rrëfen për aktivitetin e saj sportiv dhe garat e Pekinit. Më mirë le ta lexojmë se çfarë rrëfen ajo vetë për lexuesin e “Telegraf”-it.

 Zj.Florika përshëndetje dhe falënderime që shpreheni në gazetën “Telegraf”, me kujtimet tuaja të viteve 1970-1974 mbi zhvillimin e sportit të notit në atë kohë. Si lindi dëshira juaj për këtë sport dhe kush zbuloi tek ju aftësitë e rralla të një rekordmeneje?

Faleminderit dhe juve si gazetë se shoh që krijoni hapësira të retrospektivës jo vetëm për sportin po që po, por edhe për shumë aspekte dhe zhvillime të jetës. Kjo i jep vlerë gazetës, se vlerë kishin njerëzit dhe koha kur punuan dhe ushtruan aftësitë e tyre, pavarësisht sistemit politik që drejtoi vendin. Por e vërteta duhet thënë ashtu si është me të mirat dhe të këqijat. Duhet parë nga vijmë, që të ecim të sigurt përpara. Për sa më pyesni, si fillim, po them se notin e kam filluar qysh në moshë të vogël, kjo edhe për arsyen se shtëpia jonë ndodhej 100m larg buzës së detit. Kam qenë aty tek 6 vjeç kur notoja mirë në det dhe vija dhe shikoja te zadra stërvitjet e notareve. Mbaj mend se si notarja Nelja Loçi që sot nuk jeton më, por e përmend se ajo u bë trajneria ime. Ka qenë edhe profesor Esat Mamaca, emrin e të cilit mban zadra e notit sot, një njeri shumë i mirë dhe i nderuar, me vlera dhe me norma dhe kështu e mbaj mend që fëmijë e deri sa u largua nga jeta. Në shkollën fillore fillova të stërvitesha, se në klasën e pestë u mundësua stërvitja e rregullt nëpërmjet krijimit dhe funksionimit të klasave sportive. U futa në klasën sportive me profesorin e ri Edi Mehmeti, i sapoardhur nga instituti. Këto klasa sportive qenë pionieret e para të klubeve sportive në qytet. Kështu filluam stërvitjen e rregullt e të kontrolluar nga specialistët, por nxitje drejt suksesit qe dhe pasioni që kishim për sportin e notit dhe rezultatet nuk munguan, madje shumë të mira.

Pra, meqë erdhëm deri tek rezultati, cili qe rezultati i parë juaji që ju bëri të famshme dhe tërhoqi vëmendjen e specialistëve të sportit të asaj kohe dhe që diçka do të ndryshonte në jetën tuaj?

Isha në klasën e gjashtë, aty tek mosha 12-13 vjeçe, kur u angazhova me ekipin e të rinjve ku për dy vjet rresht dola kampione në garat e notit të zhvilluara në Lushnje, Durrës, Sarandë etj. Në klasën e shtatë u organizova në ekipin Kombëtar të notit dhe dola kampione për tre vjet rresht, që në vitet 1972-‘73-‘74 ku isha kampione në stilin bretkosë në garën 100 dhe 200 m bretkosë. Këto vite ishin vite shumë të arta për mua. Them se për herën e dytë që ekipi kombëtar i notit që shkoi në Kinë, pjesëtare e tij isha edhe unë, në këtë kohë isha e federuar tek ekipi i “Dinamo” pasi mbarova ciklin 8 vjeçar  dhe dëshira ime dhe e prindërve qe që unë të finalizoja aftësitë e mia dhe të realizoja ëndrrën time për sportin që të bëhesha mësuese fizkulture. Plotësuam dokumentet dhe dhashë provat në Durrës ku i fitova të gjitha, por si atëherë, një devijim këtu, në komitetin ekzekutiv, bëri të shuhej përgjithmonë kjo ëndërr e imja dhe e prindërve. Dëshpërimi i tyre s’kishte kufi, ashtu edhe imi, po s’kishim fuqi. Vendin tim ja dhanë dikujt tjetër dhe mua më kaluan për studime si kimiste në shkollën teknologjike në Tiranë. Këtu u aktivizova me “Dinamon” nga trajneri Emin Gripshi, dua të përmend si fakt se isha e vetmja femër në atë kohë në ekipin e “Dinamos” pasi kishte vetëm meshkuj, por më pas erdhi dhe një femër tjetër, më duket se Majlinda Shehu quhej. Pra ekipi i “Dinamo” për femra në not atëherë përbëhej vetëm nga unë, meshkuj kishte. Pra jam nisur në Kinë nga ekipi i “Dinamos.”

Si mundët të përzgjidheshit në ekipin kombëtar në garat e Kinës?

Kisha kaq vite që dilja kampione dhe ky aktivitet dhe këto rezultate mundësuan vajtjen time në Kinë. Një muaj para se të niseshim na grumbulluan në Vlorë me një trajner vlonjat, Ali Kadëna quhej. Më vlerësoi, megjithëse, kishte notaren e tij që mbante rekordin, Elida Thomai, që unë ja theva në Kinë, por e përmend se konkurrenca qe e madhe. Dua të them se qenë gara miqësore në Kinë, por event i rëndësishëm, sidomos për ne. Në Kinë qëndruam dy muaj. Përmend pritjen shumë të mirë e të ngrohtë, mjaft vëllazërore nga ana e kinezëve. Unë aty mësova shumë, por fatkeqësisht pas një viti i ndërpreva aktivizimet e mia sportive. Ka qenë viti 1976 kur i thashë lamtumirë sportit. Qenë kushtet e kohës që më detyruan. Në Kinë shkuam në shumë qytete e vende. Kina qe një mrekulli. Mos harro që isha 14 vjeçe dhe vendi ynë qe në censurë komuniste me 1001 porosi: Mos aty e mos këtu. Ndryshimi me këtu qe shumë i madh, neve na çonin në gjëra të përzgjedhura, dhe ndryshimi me Shqipërinë qe si nata me ditën. Megjithëse isha shumë e vogël, kuptova një mikpritje dhe dashuri të veçantë të kinezëve ndaj shqiptarëve. Fatkeqësisht sot nuk kam asnjë lidhje me shoqet që njoha në Kinë. U bënë shumë vite dhe komunikimi nuk lejohej, sidomos pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën. Vetëm shikoj me nostalgji fotografitë që më ngjallin kujtime të përlotura. Në Kinë thyem tre rekorde. E papritura për mua qe kur theva rekordin e 200m stil bretkosë, rekord që mbahej nga vlonjatja Elida Thomai e “Flamurtarit”. Nuk u besoja syve kur rezultati im u duartrokit fuqishëm  e ngrohtësisht të shoqëruara me përqafime. Shkruan të gjitha gazetat tona në atë kohë, por edhe disa kineze. Kishim vetëm një përkthyese kineze dhe pyetje nuk na bënin për jetën në Shqipëri. Të gjitha qenë të kufizuara dhe kishim edhe porosi që nga Tirana. Mbaj mend që në avion kishim me vete të ndjerin Arqile Mici, njeri i Sigurimit të Shtetit, dhe unë nga që isha moshë e re dhe nuk kuptoja shumë, lëviza nja dy-tri herë në avion, madje u ula në një vend me një bullgare. Ai erdhi me xhentilesë duke më thënë që nuk duhet të ulesh aty, por me kujdes që mos të kuptojë ajo, do shkosh të ulesh tek ndenjësja tjetër, aty ku ishe dhe mos lëviz më. Pra ç’do gjë qe e kontrolluar. Kishim edhe një kuotë të caktuar dhe na çuan në një vend të caktuar të psonisnim diçka. Unë mora një palë letra dhe një portofol dhe i futa në çorape se kishte shumë kontrolle, në Iran e Bukuresht. Mora dhe një bluzë e diçka simbolike, por me frikë të madhe deri sa i solla në shtëpi

Dhe pas dy muajve u kthyet në Tiranë, si ju pritën?

Po! Pasi u ktheva vazhdova me ekipin e “Dinamos” me profesor Emin Gripshin, por edhe në Sarandë nuk i ndërpreva stërvitjet sidomos me përkrahjen e trajnerit Spiro Koça gjatë pushimeve verore. Në shkollë gjeta klimën e ngrohtë për një rekordmene 14 vjeçare në Pekin. Të gjitha shoqet më prisnin me zili. Drejtori foli para shkollës, shoqet filluan të pyesnin, por na kishin porositur të mos flisnim. Shoqet ishin të interesuara të shikonin rrobat që kishim sjellë. Mbaj mend që një shoqe, s’ka rëndësi emri, ma kërkoi portofolin për xhiro, por portofoli humbi, kuptohet nga që e kishte qejf.

Pse humbi ëndrra juaj për të vazhduar më tej?

Humbi…..mendoj fanatizmi i kohës. Më ka ngelur merak i madh që edhe sot i shikoj me nostalgji garat e ndryshme të notit në TV. Ndjej mall dhe dhimbje. Ëndërr e kam që një nga fëmijët e mi ta nxjerr notar

Edhe diçka Florika! Udhëtimi juaj nga një qytet provincial i asaj kohe si Saranda, me ekipin “Dinamo” të kryeqytetit, grumbullohej në kombëtare dhe thyen rekord në Pekin dhe përsëri sot në Sarandë. Dua të pyes se Saranda ka pasur një ekip të zëshëm, madje, të fuqishëm të notit. Si ndjehesh sot kur ky zë sportiv nuk është më?

Më vjen shumë keq që sporti i notit u shua. Kam parasysh Anthulla Ekonomidhin, Elia Loçin, Suzana Mehmetin, Lime Koten, Idriz Muço, etj.. Ka qenë një periudhë e artë sportive. Nuk është më ajo përkujdesje dhe kërkesë e atyre viteve. Tani më duket se ka filluar angazhimi për rizgjimin e vlerave dhe më vjen mirë që Saranda shpesh del edhe me rekorde. Apeli im për shoqërinë sportive dhe civile, për Kryebashkiakun që vjen nga bota sportive është që të jenë më të mobilizuar në dhënien e prioritetit sportit dhe vlerave të tij, sepse Saranda ka qenë një emër dhe në not nuk ja kalonte asnjë qytet. Kur venin ekipet tona nëpër rrethe nuk zinim kurrë vend të dytë, gjithmonë vendin e parë. Atëherë kishte sport, por nuk kish liri nga fanatizmi, ndërsa sot ka liri por nuk ka angazhim. Duhet punë!

Agron MEMA