Sampio: “U premtojmë fitore tifozëve!”

505
Sigal

Trajneri portugez i Partizanit flet para derbit me Tiranën: “Lojtarët, të supermotivuar”

Trajneri i Partizanit, Marcio Sampaio, e mori në dorëzim skuadrën e kuqe vetëm 24 orë nga humbja me Tiranën, duke pasuar në bankinë Hasan Likën. Tani portugezi e ka të qartë detyrën e tij dhe e di fare mirë se çfarë presin tifozët e kuq prej skuadrës, në ballafaqimin e tretë sezonal me bardheblutë. Secila skuadër i ka fituar ndeshjet e saj në shtëpi, pavarësisht se në fakt luhet në të njëjtin stadium të kryeqytetit, “Qemal Stafa”. Dhe tani ekip pritës është Partizani…

 – Sampaio, të shtunën është derbi me Tiranën. Sa i përgatitur është Partizani, për ta përballuar me sukses supersfidën, ndeshje më të rëndësishme të futbollit shqiptar?

– S’ka asnjë dyshim se, jemi përgatitur me të njëjtin profesionalizëm. Kemi treguar të njëjtin kujdes dhe përqendrueshmëri, ashtu sikundër kemi përgatitur ndeshjet e tjera të kampionatit.

–  Skuadrat kanë diferenca të ndjeshme në pikë dhe ashtu në pozicione, me Partizanin që ka 12 pikë më shumë. Si do ta vlerësonit ndeshjen?

– Një ndeshje shumë e vështirë. Dua të theksoj se, është gjithashtu dhe një ndeshje midis dy tifozerive të zjarrta. Gjithsesi, ajo që dua të theksoj është se ajo është e rëndësishme si gjithë ndeshjet e tjera.

– Sulmuesi Migen Memelli vazhdon të vuajë nga problemet. A do të luajë ai kundër Tiranës?

Jo, Memelli nuk mund të luaj. Memelli në ndeshjen e fundit të luajtur ka pësuar një dëmtim, pikërisht ndaj Bylisit. Kjo gjë ka ndodhur, sepse gjyqtari ka lejuar lojën e rëndë ndaj tij, lojë e aplikuar nga lojtarët ballshiotë. Në fillim menduam se kishte një problem të vogël, por pas ekzaminimit doli se kishte një problem të madh. Jam 100% i sigurt se Memelli është i dëmtuar. Pas dëmtimit të pësuar ndaj Bylisit, Memelli qëndroi në fushë gjatë vazhdimit të ndeshjes dhe ky ishte shkaku që e përkeqësoi më shumë situatën e tij.

– Pas ndeshjes së fazës së dytë me Tiranën, të cilën Partizani e humbi (1-0), deklaruar se, Partizani ka bërë një lojë jo shumë të mirë. Çfarë do të ndryshojë te loja e Partizanit në këtë ndeshje?

– Në fatk, nuk luajtëm ashtu sikurse e prisnin tifozët apo atë që lojtarët prisnin vetë. Unë nuk mendoj se, një gjë e tillë do të ndodhë sërish, pasi lojtarët ndihen të ndërgjegjshëm për këtë ndeshje.

– Presidenti ka deklaruar në media se, Partizani nuk ka nevojë për premio për t’u motivuar, sepse lojtarët do të fitojnë për klubin…

Nuk mendoj se, premio bën diferenca të mëdha në një ndeshje. Sepse nëse do të ishte e kundërta, atëherë Zenit do të fitonte Kupën e Kampionëve. Nuk mendoj se bonusi jep shumë motivim, por jep ekstra motivim për të bërë disa para. Lojtarët kanë një motivim kryesor që luajnë me Partizanin, ku ata kanë logon në zemrën e tyre dhe në bluzën e tyre. Ky është motivimi i tyre i vërtetë.

– A do ta shikojmë Partizanin e vërtetë kundër Tiranës?

– Dëshiroj që lojtarët të japin gjithçka në fushën e lojës, nëse ata do të marrin pikët maksimale ose jo. Ne jemi Partizani dhe për këtë kemi luftuar në çdo ndeshje.

– Sa e njihni Tiranën?

– E njoh, por nuk mund të them detaje, sepse do të thoja sekretin. Tirana ka lojtarë të mirë. E kam parë në ndeshje këtë ekip dhe mund të them se ka mesfushorë të fortë. Tirana është përmirësuar ditë pas dite, pavarësisht ndeshjes së fundit.

– Çfarë mund t’u premtoni tifozëve për këtë ndeshje?

– Lojtarët do të luftojnë në fushë dhe do të japin gjithçka. Dua ta fitoj ndeshjen. Jam profesionist në punën që bëj dhe do të kërkojmë të marrim maksimumin në këtë ndeshje. Nuk jam këtu për të trajnuar një ekip se si të humbasë, por për të fituar ndeshjet.

 

 

Super Sampaio, gjashtë ndeshje pa humbje

 Trajneri portugez i Partizanit, Marcio Sampaio nuk e njeh ende humbjen nën drejtimin e skuadrës. Ai e filloi punën në pankinë menjëherë pas humbjes në derbin e fundit me Tiranën dhe deri tani në gjashtë ndeshje, trajneri ka arritur 3 fitore dhe 3 barazime. Ai e nisi me nje fitore që pritej ndaj Lushnjës me rezultatin 2-0. Më pas erdhi transferta e vështirë e Shkodrës ku mori një barazim të kënaqshëm 1-1. Një tjetër barazim më pas me Skënderbeun që mund të duket si rezultat i pranueshëm. Barazimi me Teutën jashtë (1-1), që ishte gjithashtu një rezultat i mirë për ty kthyer më pas te fitoret në Tiranë kundër Bylis 2-0 e ajo me e rëndësishmja e javës së fundit në Shkodër 0-1.

Rezultatet e Sampaios

(Javët dhe ndeshjet)

19. Partizani – Lushnja 2-0

20. Vllaznia – Partizani 1-1

21. Partizani – Skenderbeu 0-0

22. Teuta – Partizani 1-1

23. Partizani – Bylis 2-0

24. Vllaznia – Partizani 0-1

 

 

 

Presidenti Demi viziton skuadrën

 Në stërvitjen e djeshme të Partizanit në kompleksin “Olimpik” në Yrshek ishte pranishëm dhe Presidenti Gaz Demi, i cili ka ndjekur përgatitjen e lojtarëve. Krasniqi ka pasur një problem dhe ka zhvilluar stërvitjen e diferencuar, teksa presidenti Demi e ka biseduar me të. Partizani kërkon fitoren me çdo kusht me Tiranën.

  Fanellë për lojtarin e dëmtuar

 Klubi i Parizaniz rezervoi një surprizë të këndshme për djaloshin 17-vjeçar Mario Nebiaj, i cili u dëmtua me sende të forta disa ditë më pare në përfundim të ndeshjes Teuta–Partizani. Një fanellë zyrtare e ekipit e nënshkruar nga të gjithë lojtarët e skuadrës i është dorëzuar djaloshit nga trajneri Marcio Sampaio.

 

Lirohet ish-Presidenti Kapllanaj

 Ndaj Besnik Kapllanaj nuk ka asnjë çështje. Ai është lënë i lirë nga policia, që vetëm pak ditë më parë e kishte shpallur në kërkim. Ish-Presidenti i Bylisit u vetëdorëzua në polici pas incidentit me zëvendëssekretarin e FSHF-së, Besnik Çela. Të mërkurën, Komisioni i Disiplinës e përjashtoi përjetësisht Kapllanajn nga aktivitetet futbollistike.

 


KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XXV

 

Sot, 21 mars

Teuta-Besa                14:00

Nesër, 22 mars

Kukësi-Flamurtari     14:00

Partizani-Tirana  20:00

Të dielën, 23 mars

Kastrioti-Lushnja      14:00

Laçi-Vllaznia             14:00

– Ndeshja Skënderbeu-Bylis nuk do të luhet, pasi skuadra ballshiote është përjashtuar nga Superliga. Skënderbeu e fiton takimin 3-0 në tavolinë

RENDITJA

RENDITJA

1 Skënderbeu      24   +20 51

2 Laçi           24   +8   40

3 Partizani    24   +7   39

———————————–

4 Kukësi             24   +0   37

5 Besa          24   +3   34

6 Teuta         24   +3   33

7 Flamurtari 24   +0   31

8 Tirana       24   -7    27

———————————–

9 Vllaznia           24   -2    26

10 Bylis       24   -7    24

11 Kastrioti  24   -10  23

12 Lushnja          24   -15  23

* Flamurtari i janë zbritur tri pikë nga Komisioni i Disiplinës

* Laçi ka fituar në tavolinë 3-0 me Bylisin, rezultati origjinal ishte 0-0

* Bylisi është përjashtuar nga kampionati, duke zbritur një kategori më poshtë, në të Parën

Turqia, ofertë zyrtare Adnan Januzajt

 Fatih Terim ka zbuluar se ka kërkuar nga ylli i Mançester Junaitid, Adnan Januzaj që të luajë për Turqinë. Trajneri i kombëtares turke, Terim, ka thënë se kërkesa për shërbimet e tij është bërë nga shumë persona. “Presidenti i Federatës, stafi dhe unë kemi kërkuar nga Januzaj që të luajë për Turqinë”, ka thënë Terim. “Babai i tij është turk, nëna e tij është kosovare, dhe Shqipëria, Anglia, Kosova e Belgjika që të gjitha këto po e kërkojnë atë që t’ua përfaqësojë vendin e tyre. E nëse ne nuk ia japim mundësinë atij që të na përfaqësojë neve, do të kritikohemi. “Jemi duke punuar që ta gjejmë mundësinë në mënyrë që Januzaj të luajë për Turqinë. Nëse ai vendos të luajë për ne, edhe ne kemi të drejtë ta marrim atë”, ka thënë Terim, transmeton Koha.net. Januzaj, i cili ka prejardhje nga Kosova, ka lindur në Belgjikë dhe ka të drejtë të luajë për disa shtete, përfshi Belgjikën, Shqipërinë dhe Kosovën. Anësori 19-vjeç mund të luajë edhe për Turqinë meqenëse ka të kaluar turke, por ka dhe të afërm tjerë që ende jetojnë në Turqi. Megjithëse ka lindur në Belgjikë, Januzaj asnjëherë nuk e ka përfaqësua këtë shtet në asnjë garë ndërkombëtare dhe ka refuzuar të gjitha ftesat e deritanishme.