Sampaio: “Partizani meritonte fitoren”

541
Sigal

Trajneri i të kuqve flet pas barazimit me Skënderbeun: “Ishim ekipi më i mirë në fushë”

Trajneri i Partizanit, Marcio Sampaio, ishte i pakënaqur me barazimin pa gola me Skënderbeun, duke deklaruar se ekipi i tij meritonte fitoren, për atë që dha në “Qemal Stafa”. “Morëm një pikë ndaj ekipit të vendit të parë, – tha ai për “Telegraf”,  -por e them me bindje se ishim ne ata që humbën dy pikë. Tani na duhet të përgatitemi për ndeshjen me Teutën, një skuadër të cilën unë e respektoj shumë”. Pas barazimit 0-0 me liderin e kampionatit, Partizani tani ndodhet në vendin e tretë me një pikë më pak se Kukësi i vendit të dytë dhe nëntë më pak se Skënderbeu kryesues.

 – Sampaio, një pikë me Skënderbeun, por a mund të themi se Partizanin e penalizoi sërish gjykimi?

– Nuk kam dëshirë të flas në lidhje me gjyqtarët, por ky është një fakt nëse e rishikoni ndeshjen. Ndoshta ne duhet të hedhim një video tjetër në “Facebook”. Kështu që, gjithkush mund ta shikojë se çfarë ka ndodhur sërish në këtë ndeshje.

– Çfarë ndodhi sot (dje) me Partizanin, ju e kishit përgatitur skuadrën për të fituar, por ajo nuk ndodhi, duke marrë vetëm një pikë?

– Në këndvështrimin tim, unë pashë vetëm një skuadër që e meritoi ta fitonte ndeshjen. Lojtarët dhanë maksimumin e tyre. Nëse ju të shikoni ndeshjen, statistikat, se cili ekipi bërë më shumë sulme; kush ju afrua më shumë portës; cili ekipi kreu më shumë kundërsulme; cili nga skuadrat kishte më shumë shanse për të shënuar, kush bëri më pak gabime. Unë nuk e pashë kurrë ekipin e vendit të parë të rrezikonte në të dyja frontet. Ata nuk bënë asgjë sot (dje). Fakti është që, unë pashë një ekip që kërkonte ta fitonte ndeshjen. “Ok”, kundërshtari ishte një ekip i mirë, por ne e përgatitëm mjaft mirë ndeshjen. Ne e dimë se çfarë mund të bëjmë dhe, lojtarët bënë atë që ne kërkuam. Nëse do ta shikonim ndeshjen përsëri, atëherë është e qartë se cili ekipi meritonte ta fitonte.

– Partizani pati disa probleme për të shënuar. Edhe pse ju u përpoqët të futnit disa lojtarë të rinj, goli nuk erdhi. Përse?

– Ne patëm shanse. Ne nuk shënuam, por kjo është diçka që mund të ndodhë në një takim kur ndeshen dy rivalë. Edhe me trajnerin tjetër (Hasan Likën) kjo ishte diçka që kishte ndodhur, por goli është si efekti domino, kur vjen njëri vjen dhe një tjetër. Unë nuk e di nëse goli (i shënuar nga Memelli) ishte në pozicion jashtë loje, por nuk dua ta diskutoj atë tani. Në lidhje me lojtarët, unë jam shumë krenar për ta.

– A e kushtëzoi lojën terreni i keq i stadiumit?

– Sigurisht, por unë dua të them se terreni ka ndikuar më shumë për keq për Skënderbeun, pasi ai ka më shume vlera teknike. Gjithsesi, dua të them se kur përgatit një ndeshje ti e përgatit për të gjitha aspektet. Ky është stadiumi ynë dhe ne e njohim mirë atë.

– Skuadra bëri disa gabime…

– Sigurisht, që gabimet mund të ndodhin, por nga ana tjetër ky ishte një shans për lojtarët që u aktivizuan të tregonin vlerat e tyre, të provonin veten e tyre, dhe shumica e tyre dëshmuan se e merituan shansin. Ajo që unë i kërkova ekipit ishte të bënte presing dhe atë e bënë shumë mirë atë. Ne ushtruam një presion të lartë ndaj kundërshtarit. Ajo u pa shumë qartë gjatë lojës. Ne fituam shumë duele me ekipin kundërshtar. Sigurisht që, një ekip nuk mund të ushtrojë presion të lartë gjatë gjithë lojës. Ne zhvilluam një presion të lartë, për të cilin edhe ishim përgatitur gjatë stërvitjeve.

– Ju e drejtoni Partizanin prej tri ndeshjesh kundër Lushnjës, Vllaznisë dhe Skënderbeut. Sot (dje) Partizani ishte më shumë agresiv, a mund të themi se kemi parë tashmë Partizanin e Sampaios?

– Jo, nuk mund të themi se ky është Partizani i Sampaios. Ky është Partizani që unë dua. Gjatë këtyre tri ndeshjeve ne kemi zhvilluar mënyra të ndryshme loje. Unë po përpiqem të punoj fort. Besoj se këta lojtarë do ta tregojnë veten edhe në ndeshjen e ardhshme. Sigurisht që, unë dua të tregoj Partizanin tim, por ne  kemi nevojë më shumë kohë për të konsoliduar.

– A jeni i kënaqur me një pikë ndaj Skënderbeut?

– Jo nuk jam i kënaqur me një pikë, pasi duke parë ndeshjen ne meritonim tri pikë. Treguam veten tonë kundër Skënderbeut, vendit të parë. Ata nuk humbasin prej shumë ndeshjesh në kampionat (10) dhe kishin dhjetë pikë më shumë se ne. Ata nuk arritën as të fitonin dhe as të shënonin ndaj nesh. Ndoshta Skënderbeu nuk bëri një ndeshje të mirë kundër nesh, por nuk duhet të harrojmë se është ekipi më i mirë në kampionat. Tani duhet të përgatit ekipin tim me 14 lojtarë për ndeshjen e ardhshme.

– Një ndeshje më parë Demiri luajti një ndeshje të plotë, ndërkohë që kundër Skënderbeut ai nuk luajti asnjë minutë. A ishte kjo për zgjedhje taktike?

– Para së gjithash, dua të theksoj se ne kemi një ekip me 23 lojtarë, ku që të gjithë mund të luajnë. Mungesa e Demirit ka të bëjë me strategjinë ndaj kundërshtarit. Sot (dje) ishte dita për një lojtar tjetër që, e plotësonte më mirë ato që ne kërkonim. Më duhet ta menaxhoj situatën, pasi kemi shumë lojtarë, kështu që do të ketë dhe rotacione në skuadër, sot luan një, nesër një tjetër. Kështu që, mungesa e Demirit ishte për arsye taktike. Ai është një lojtar i mirë, por në bazë të strategjisë që kisha vendosa Pliskën. Nëse shikoni ndeshjen, ne ndryshuam sistemin: luajtëm 4-4-2, pra me dy sulmues. Nëse do të ndryshoj sistemin, më duhet të ndryshoj edhe lojtarët. Të dy sulmuesit patën udhëzime të ndryshme.

– Partizani ka humbur vendin e dytë në renditje…

– Në tri ndeshje ne kemi bërë pesë pikë. Është e vërtetë që ne kemi humbur vendin e dytë, por janë dhe 12 ndeshje deri në fund të sezonit, kështu me diferencën prej një pike që kemi me vendin e dytë gjithçka është e rikuperueshme.

– Javën e ardhshme do të luani kundër Teutës. Në fazën e parë Partizani fitoi 3-0. Si e parashikoni sfidën?

– Unë e pëlqej ekipin e Teutës. Unë mendoj se, është një nga ekipet më të mira të kampionatit. Është një ekip i ngjashëm me ne, ka lojtarë të mirë në të gjitha pozicionet. Por, ajo që dua të them qysh kur kam ardhur këtu ne do të luftojmë për fitore. Do të luajmë për fitore, ashtu siç bëmë edhe sot (dje), por fatkeqësisht nuk ia arritëm. Unë dua të theksoj se, më pëlqen të fitoj dhe jo të humbas. Ajo që duhet të bëjmë është të fitojmë. Ne duhet të përgatitemi mirë, pasi Teuta është një ekip i mirë.

Më i miri në fushë, por Partizani nuk fiton

  Partizani ishte ekipi më i mirë në fushë, por të kuqtë ndanë një pikë me Skënderbeun, liderin e padiskutueshëm të kampionatit. Një tjetër provë e mirë e trajnerit portugez Marcio Sampaio, pro në një terren të rënduar dhe aspak të përshtatshëm për një ballafaqim të tillë, që ofroi fusha e “Qemal Stafës”, nuk mund të pritej spektakël. Madje mund të thuhet se pikërisht kjo ka qenë pengesa kryesore që supersfida e javës së 21-të të mos ngrihej mbi nivelin mesatar, por të përshkohej nga konfuzioni në veprime dhe gabimet në pasime nga fillimi e deri në fund. Të kuqtë dhe korçarët nuk e kanë gjetur dot rrugën e golit, edhe pse Memellit iu anulua një i tillë për pozicion jashtë loje. Nëse Skënderbeu qëndroi në pritje dhe përmes kundërsulmit tentoi t’i ndëshkojë të kuqtë, në mungesë të goleadorit Pero Pejic, Partizanit rikonfirmoi probleme në repartin ofensiv. Migen Memelli ka qenë në një ditë të errët, krejt i veçuar nga pjesa tjetër e skuadrës, ndërsa mënyra e të luajturit me topa tokazi nuk i shkonte përshtat fushës së rënduar të “Qemal Stafës”. Ndryshime të konsiderueshme në formacion kishte bërë portugezi Sampaio, duke lënë në stol titullarë në kohën e Hasan Likës, por qarkullimi i dendur i topit në zona nuk ka sjellë rrezik potencial në kuadratin korçar. Skënderbeu u duk qartë se e kënaqte edhe barazimi. Kësaj gjëje ia ka arritur, duke marshuar i sigurt drejt fitimit të titullit të katërt radhazi. Me këtë barazim, skuadra e Sampaios ndien tashmë presionin e Kukësit, që i ka parakaluar dhe marrë me një pikë më shumë vendin e dytë.

Partizani–Skënderbeu 1-1

 E shtunë, 2 Mars 2014, ora 14:00 në stadiumin Kombëtar , “Qemal Stafa”.

Partizani: Hoxha, B.Krasniqi, Rrahmani, G.Krasniqi, Udo, Antanasijeviç, Maliqi, Nexhipi (Sacer 85’), Hyshmeri (Dushku 63’), Pliska (Dunkoviç 78’), Memelli. Trajner: M.Sampaio

Skënderbeu: Shehi, Radas, Bicaj, Arapi, Dimo, Shkëmbi, Alikaj, Muzaka, Tomiç (Tahirllari 71’), Lilaj, Ribaj. Trajner: M.Josa

Gjyqtarë: E.Jorgji, D.Rexha, E.Doda (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Rrahmani, Udo, Pliska, Memelli, Dushku / Shkëmbi

Episodet

 14’ Tomiç i Skënderbeut kundërpërgjigjet me një goditje te fortë nga larg, por Hoxha është pozicional.

51’ Memelli ekzekuton një goditje dënimi nga jashtë zone, por topi shkon pak mbi tranversë.

66’ Pliska gjuan bukur në drejtim të portës, ndërsa Memelli në shtyllën e dytë nuk është në kohën e duhur për të devijuar sferën në rrjetë.

86’ Dunkoviç kroson në zonë nga këndi dhe Sacer arrin të gjuajë, por topi përplaset në këmbët e mbrojtësve miq.

Goli i anuluar

 37’ Maliqi jep një asist për Migen Memellin, dhe ky i fundit gjuan duke shënuar, por për anësorin sulmuesi i Partizanit ndodhet në pozicion jashtë loje.

Dyshimi për penallti

 29’ Maliqi arrin të depërtojë bukur brenda zonës dhe aty rrëzohet nga një mbrojtës i Skënderbeut, por për kryesorin që ndjek aksionin nga afër nuk ka asgjë.