Sampaio: “Ndaj Flamurtarit vlen vetëm fitorja”

470
Sigal

 Trajneri i Partizanit: “Vlonjatët kanë nevojë për pikë, pres një ndeshje shumë të luftuar”

Trajneri i Partizanit, Marcio Sampaio, e ka të qartë se vetëm fitorja vlen në sfidën ndaj Flamurtarit. Transferta e Vlorës është testi i radhës që do të vejë në provë të kuqtë në garë për një vend në Europë. Një takim që pritet të jetë shumë i luftuar, pasi Flamurtari është në luftë për mbijetesë në Kategorinë Superiore. Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Vlorë, Partizani humbi 1-0, falë një goli të realizuar nga Hair Zeqiri, ndërkohë që, në kryeqytet ndeshja u mbyll në barazim pa gola, me të kuqtë që shpërdoruan një penallti në minutën e fundit shtesë me anë të kosovarit Krasniqi. Në, fakt në ato takime trajner ka qenë Hasan Lika.

 – Sampaio, pas shtatë rezultatesh pozitive, a do të kthehet Partizani me fitore nga Vlora?

– Sigurisht që, ne do të kërkojmë të mbajmë serinë e rezultateve pozitive dhe e rëndësishme për ne është që edhe ndaj Flamurtarit të mos humbasim. Padyshim që kërkojmë të kthehemi te fitorja, pasi në ndeshjen e fundit kemi barazuar.

– Si do ta vlerësonit takimin me Flamurtarin, me të cilin Partizani ka humbur në Vlorë në fazën e dytë?

– Është një ndeshje e vështirë, gjë të cilën e tregojnë edhe dy përballjet e mëparshme me vlonjatët, të cilët kanë nevojë për pikë. Duke qenë se të dy skuadrave u duhet fitorja për objektivat e tyre, pres një ndeshje të luftuar dhe me kualitet.

– Ju si trajner jeni përgatitur të përballeni me humbjen e parë?

– Shpresoj që humbja të mos vijë tani dhe kurrë nuk përgatitemi që të humbim një ndeshje, vetëm që të dalim fitimtar. E di që një ditë do të vijë edhe humbja e parë për mua si trajner, gjëra që ndodhin, por po nuk ndodhi, aq më mirë për Partizanin.

– Si i përjetoni humbjet?

– Gjatë gjithë jetës sime jam përballur me fitore e humbje, por më shumë kam pasur sukses. Normalisht që askush nuk pëlqen të jetë humbës, ndonëse duhet të jemi të përgatitur që ta përballojmë këtë situatë, kurdo që të ndodhë.

– Partizani po përgatitet në një terrenin me bar sintetik, a e penalizon skuadrën?

– Për mua përgatitja në një terren me bar sintetik për bën problem të madh për një skuadër profesioniste. Lojtarët që përgatiten në fusha sintetike duan më shumë kohë që të rikuperohen.

–  A do të ishit i kënaqur me një pikë në Vlorë?

– Përpara ndeshjeve asnjëherë nuk pajtohem me një pikë,pasi dua fitoren. Për sa i përket Flamurtarit aktualisht kërkoj vetëm tripikëshin, të tjerat le t’ia lëmë fundit të takimit.

– I druheni euforisë përpara ndeshjes me Flamurtarin?

– I kam këshilluar lojtarët për këtë gjë. E di që tifozët prisnin më shumë nga derbi, pasi duhej fitorja, por primare mbetet që nuk u mundëm. Mund të ndodhë që ketë eufori, me pretekstin se jemi të sigurt në fitoren ndaj Flamurtarit.

– Nexhipi e ka shpëtuar në disa raste skuadrën në javët e fundit?

– Shumë mendojnë se kemi qenë me fat në këto takime. Nexhipi ka shënuar shpesh në jetën e tij në atë pozicion. Ne i praktikojmë këto skema dhe besojmë gjithnjë deri në fund të takimit. Partizani nuk dorëzohet kurrë, prandaj ne arrijmë të shënojmë në minutat e fundit.

– Për këtë ndeshje ju rikthehet Memelli…

– Po, është e vërtetë është rikthyer Memelli, por nuk jemi të sigurt në se ai do të luajë nga minuta e parë, pasi vjen nga një shkëputje dyjavore. Personalisht nuk para pëlqej të aktivizoj lojtarë që vijnë nga një dëmtim dy javor.

– Çfarë u keni këshilluar lojtarëve?

– Të mos mendojnë se ndeshja fitohet me emrin e Partizanit, apo me emrat e tyre që kanë të shënuar në fanellë, por me atë që jep në fushën e lojës.

  Gjobiten Partizani e Tirana

 Komisioni i Disiplinë ka dënuar me gjobë tre klube të Kategorisë Superiore, përkatësisht Partizanin, Tiranën e Flamurtarin. Edhe pse tifozeritë dhuruan spektakël në tribuna, për shkak të sjelljes së gabuar dhe hedhje të sendeve të forta në fushë, sidomos për përmbajtjen e banderolave që kishin vendosur, Partizani e Tirana u dënuan me nga 100 mijë lejë gjobë secili. Flamutari u gjobit me 50 mijë lekë, për sjellje jo korrektë të tifozerisë.

Drejtori shqiptar është vënë në shënjestër se ka shpenzuar kot 12 milionë euro në merkato

 Tifozët lacialë, akuza të forta ndaj Igli Tares

  Igli Tare është në shënjestër të tifozëve, pas kontestimeve të forta të tyre për shkak të rezultateve të dobëta të Lacios. Drejtori sportiv Igli Tare është akuzuar prej mbështetësve bardhekaltër pas humbjes me Xhenoan. “Përse nuk vihet në diskutim një drejtor sportiv që vazhdon të blejë kaq shumë lojtarë mediokër?”, ishin akuzat e forta të tifozëve, duke iu referuar blerjeve të verës së kaluar me 12 milionë eurot e investuar për dyshen Anderson-Perea. Në fakt, edhe në të kaluarën tifozët kanë pasur një marrëdhënie të tendosur me drejtorin shqiptar, kjo nisur edhe nga fakti se ai është njeriu kyç i merkatos së Lacios.

Tani tifozët janë në pritje të reagimit të presidentit të Lacios, Klaudio Lotito, dhe kanë tre opsione: të shkojnë në stadium të kontestojnë Lotiton; ta lënë “Olimpikon” si në rastin e ndeshjes me Atalantën; të braktisin ndeshjen në pjesën e dytë. Në fakt, Lacio pas një fillimsezoni të mirë, pon bën një vazhdim zhgënjyes. Aktualisht, pas 30 ndeshjeve Lacio ndodhet në vendin e 8-të me 42 pikë, pesë pikë larg Interit, skuadrës së fundit që futet në zonën e Ligës së Europës. Te Lacio luajnë tre lojtarë shqiptarë: dy portierët Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha, si dhe mesfushori Lorik Cana. Berisha ka zhvilluar deri tani dhjetë ndeshje, duke bërë paraqitje të mira, ndërkohë që portieri i parë Marketi është aktivizuar në 20 të tilla. Lorik Cana është aktivizuar në 20 ndeshje (1536 minuta në total), duke shënuar dy gola: kundër Sampdorias (1-1) dhe Fiorentinës (1-0), duke i dhuruar katër pikë ekipit të tij.

U-17, Shqipëria përballet sot me Anglinë

 Kombëtarja U-17 e Shqipërisë do të luajë sot kundër Anglisë së asaj moshe, për fazën “Elite Round” të Kampionatit Europian. Kjo është ndeshja e dytë për ekipin e drejtuar nga trajneri boshnjak Xhemal Mustedanagiç. Në takimin hapës, Shqipëria U-17 humbi 2-1 me Italinë, pavarësisht se shënoi e para anë të mesfushorit të Atletikos së Madridit, Keidi Bares. Anglia fitoi 1-0 me Çekinë, vend edhe ku po luhen ndeshjet e grupit 4. Po, sot luajnë Italia me Çekinë. Pas ndeshjeve të para kryesojnë më nga tri pikë, Anglia dhe Italia.