Sampaio: “Mundim Teutën dhe rikthehemi në vendin e dytë”

502
Sigal

  Trajneri i Partizani flet me respekt për durrsakët, por: “Asnjëherë nuk firmos për barazim”

Partizani do të luajë të shtunën kundër Teutës me synimin për të marrë pikë të plota nga transferta në “Niko Dovana”, për të kapur edhe vendin e dytë në përfundim të javës së fundit të fazës së dytë. Trajneri portugez, Marcio Sampiao, gjatë konferencës tradicionale për shtyp në prag të ndeshjes, tha se është i bindur se skuadra e tij i ka të gjitha shanset për të fituar. Partizani fitoi në fazën e parë 3-0 me Teutën në “Qemal Stafa”, ndërkohë që nuk fiton një ndeshje në transfertë që nga 2 tetori i vitit të kaluar, kur fitoi 1-0 me Kukësin në fushën asnjanëse të Krujës. Qysh atëherë kanë kaluar jo pak, por gjashtë ndeshje, teksa në takimin e fundit barazoi 1-1 me Vllazninë në Shkodër. Për Sampaion, ndeshja kundër Teutës do të jetë e katërta në drejtimin e Partizanit, pas atyre kundër Lusnjës (2-0), Vllaznisë (1-1) dhe Skënderbeut (0-0).

 – Sampaio, Partizani është para një prove të vështirë me Teutën, ndërkohë që skuadra prej disa javësh nuk fiton në transfertë. A është tani momenti ta bëjë një gjë të tillë?

– Dëshira jonë është të marrim fitore në çdo ndeshje dhe shpresoj që të kthehemi nga ky takim me tre pikë, pasi gjatë javës kemi punuar për një gjë të tillë.

– Kjo është ndeshje vendimtare, duke qenë se në bazë të saj përcaktohet edhe kalendari i fazës së tretë. A do të arrijë Partizani të kapë vendin e dytë?

– Ky takim është shumë i rëndësishëm për ne, pasi na duhet të marrim pikë që na sigurojnë vendin e dytë. Nuk duam që ta humbim këtë pozicion në të ardhmen dhe gjithashtu kemi mundësi të shkëputemi me rivalët tanë.

– Kundër Skënderbeut luajtët më një skemë 4-4-2. A do ta shohim sërish kundër Teutës?

– Një gjë e tillë do të mbetet për t’u parë, pasi Teuta për mua është një nga skuadrat më të mira të Superiores. E kemi përgatitur takimin duke u bazuar te informacioni që kemi për kundërshtarin. Por sa i përket strategjisë ajo do të shihet në fushë.

– Nga kampi i Teutës janë shprehur se, Partizani nuk ka asnjë shans të marrë pikë. Cili është komenti juaj?

– Më pëlqen që, përgjigjen t’ua japim në fushë.

– Do të firmosnit për barazim për këtë takim?

– E kam thënë dhe më parë, jam nga ata që asnjëherë nuk firmos për barazim. Në këtë sport kur përgatitesh për një pikë zakonisht humbet, ndaj edhe ne do të përgatitemi të marrim maksimumin.

– Rikthehen tre titullarë në dispozicionin tuaj. A do të ketë ndryshime?

– Në takimin e fundit disa lojtarë më dhanë shenja pozitive dhe u kam pohuar lojtarëve se tani kemi skuadër, pra nuk kemi vetëm 11 lojtarë për formacionin. Normalisht që do të jetë e vështirë për të përcaktuar formacionin, por në fund do të luajnë ata që janë më në formë, pra ata që mendoj se bëjnë më të mirën për ekipin.

 KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XXII

 Të shtunën,

 Laçi-Kastrioti 14:00

Teuta-Partizani 14:00

Skënderbeu-Bylis 14:00

Vllaznia-Besa 14:00

Lushnja-Flamurtari 14:00

Tirana-Kastrioti 14:00

RENDITJA

1     Skënderbeu         21   +15 42

2     Kukësi         21   +1   33

3     Partizani             21   +4   32

4     Laçi                     21   +3   31

5     Teuta                  21   +3   30

6     Besa                    21   +1   29

7     Flamurtari           21   +0   27

8     Vllaznia       21   -1    24

9     Bylis                   21   -1    24

10   Tirana          21   -8    23

11   Lushnja        21   -10  23

12   Kastrioti              21   -7    22

Të hënën, shorti i Kupës së Shqipërisë

 Gjysmëfinalistët e Kupës së Shqipërisë, për këtë edicion do të njohin kundërshtarët e tyre. Ditën e hënë, më datë 10 mars 2014 ora 11:00 në ambientet e FSHF, do të hidhet shorti i Kupës së Shqipërisë. Në këtë fazë janë kualifikuar katër skuadra. Ato janë, Skënderbeu, Flamurtari, Teuta dhe Kukësi. Nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF Ilir Shulku, në praninë e përfaqësuesve të klubeve dhe të mediave do të mësohet se si do ti vendosë shorti, dy çiftet gjysmëfinalistë. Ndeshjet do të luhen më datë 26 mars 2014 (vajtje), ndërsa ato të kthimit, më  09 prill 2014

Oferta e çmendur, Mançester Siti, 200 milionë Euro për Mesin

 Mançester Siti në sulm me gjithë forcat verën e ardhshme për Lionel Mesin.

Sipas “El Confidencial”, Mançester Siti është i gatshëm të paguajë 200 milionë Eurot e klauzolës së Mesit falë pasurisë së jashtëzakonshme të sheikut Mansour bin Zayed Al Nayhan. Sipas “El Confidencial” janë kryesisht dy motivet që Mesi është i gatshëm të lërë Barcelonën. I pari ka të bëjë me pakënaqësinë që ndien në dhomat e zhveshjes, ku lojtarët e tjerë nuk pëlqejnë sjelljen e tij apatike dhe mungese duke mos preferuar të përzihet shumë si gjatë ndeshjeve ashtu edhe në stërvitje. Shokët e tij të skuadrës kërkojnë që Messi të jetë më i përfshirë me grupin dhe argjentinasit nuk i kanë pëlqyer aspak ankesat. Mesi nuk ndihet mirë me sistemin fiskal spanjoll dhe mbulimi mediatik që pati çështja e tij mund të ndikojë shumë për t’u larguar nga gadishulli iberik. Mund të influencojë gjithashtu, gjithmonë sipas “El Confidencial” edhe largimi i mundshëm i Tata Martinos, vazhdimësia e të cilit duket në dyshim çdo ditë e më tepër, si dhe atmosfera që ekziston te Mançester Siti, një klub ku ka shumë më tepër qetësi se te Barcelona, dhe Mesi do të ndihej shumë më pak në presion. Mançester Siti ashtu si dhe PSG, ka folur me të atin e Mesit që e njeh tashmë synimin e tyre ashtu si dhe Barcelona që kërkon të rinovojë edhe një herë me yllin e saj për ta blinduar në “Camp Nou.”

Mediat izraelite: “Para tre vjetësh e kërkonte Makabi Haifa, por  kushtonte 3 milionë euro”

 Shqiptari i Akres, Hamdi Salihi, një idhull në Izrael

  Hamdi Salihi shënoi të shtunën një supergol në barazimin 1-1 kundër Makabi Haifas në kampionatin izraelit, me një roveshatë magjike, duke realizuar golin jo vetëm më të bukur të javës në Izrael, por edhe më të bukurin në karrierën e gjatë të shkodranit 30-vjeçar. Sulmuesi shqiptar, i cili mbërriti te Hapoel Ako vetëm një muaj më para, ka shënuar tre gola në katër ndeshje, duke dëshmuar se “këmba” er tij është shumë e fortë. Mediat izraelite i kushtuan shumë vëmendje golit të tij, ndërkohë që portali “Nrg.co.il”, i kushtoi një speciale. “Tifozët e Makabi Haifas vetëm mund ta imagjinojnë se çfarë performance mund të shijonin nëse “Jeshilët” do ta bënin të tyre para tre vjetësh”, – shkruan faqja izraelite. Menaxheri i përgjithshëm, Alon Harazi, i cili ka punuar më parë si skaut i Makabi Haifas, tregon edhe prapaskenat për ta bërë të vetin Salihin. “Ne ishim në një fazë përgatitore dhe shkuam për ta parë atë (Salihin), gjatë një ndeshje midis Rapidit të Vjenës dhe Spartës së Pragës. Salihi ishte ‘mbreti’ i golave të Ligës austriake dhe morëm rekomandime të ngrohta për të. Ne më të vërtetë e donim atë, por ishte shumë i shtrenjtë edhe për një klub i madhësisë së Makabi Haifës. Flitet për 2,5-3 milionë euro”, – tregon Harazi. “Por, si ishte e mundur që një xhevahir i tillë të përfundonte te një ekip modest si Hapoel Akre?”, – pyet portali izraelit. “Vitet kaluan, kështu që dhe çmimi kishte ndryshuar dhe falë agjentes Viki Vaknin dhe menaxherit Ohad Segev, ne ia dolëm të arrinim marrëveshjen”, – shpjegon Harazi. Por, me gjithë uljen e vlerës, Salihi është lojtari më i shtrenjtë në historinë e Hapoel Akres. Pagesa e tij mujore bruto është 94 441 shekel, apo rreth 19 652 euro, dhe kësaj i shtohet edhe një shumë tjetër prej 30 315 shekel apo 6300 euro Salihi ka nënshkruar me Hapoel Akre për një sezon e gjysmë, dhe nëse ekipi do të arrijë të mbijetojë në Superligën izraelite, atëherë paga e tij mujore sezonin e ri do të nisë me pagesën bruto prej 103 841 shekel apo 21 610 euro. Nga ana tjetër, nëse Salihi do të shënojë më shumë se dhjetë gola, atëherë duke filluar nga goli i tij i 11-të ai do të përfitojë 6063 shekel apo 1261 euro për çdo gola të shënuar më tepër. Përpara se të blinte Salihin, Hapoel Akre vuante shumë në linjën e sulmit. Shumë emra dhe video nga performancat e kandidatëve ndodheshin në kompjuterin e drejtorit të përgjithshëm Harazi dhe trajnerit Juval Naim. Lojtarët ishin shqyrtuar, por ata nuk kishin bindur dhe ishin larguar. Ndërsa stresi rritej, tifozët kishin humbur durimin, duke bërë fajton pikërisht menaxherin e klubit, Harazi. Por, në minutën e fundit u mbyll marrëveshja me Salihin, dhe historia tashmë njihet. Salihi nisi të luajë në futbollin profesionist qysh në moshën 18 vjeç, duke shënuar 30 gola me uniformën e Vllaznisë. Panionosi i Athinës ishte sfida e parë e tij jashtë vendit, por pas një gjysmë sezoni sulmuesi u rikthye në vendin tij, duke veshur 52 herë fanellën e Tiranës, për të cilën shënoi 42 gola. Më pas, Salihi u transferua nga austriakët e SV Ried te Rapidi i Vjenës, duke nënshkruar një kontratë 3-vjeçare. Gjatë dy sezoneve në kryeqytetin austriak shënoi respektivisht 14 dhe 18 gola. Nuk ishte vetëm Makabi Haifa që e kërkonte, por dhe ekipe nga Rusia, Turqia, Gjermania dhe Skocia e ndiqnin atë. Por, ishte DC Junaitid që i siguroi shërbimet e tij. Në Shtetet e Bashkuara gjeti pak hapësirë, dhe Salihi u transferua tek Jiansu Sainty në Kinë. Lindja e Largët nuk qëlloi të ishte e suksesshme për të, dhe pas tre muajve pa aktivitet, papritur Hapoel Akre u shfaq si opsion. Tani të gjithë tifozët e Hapoelit Akres kanë rënë në dashuri me shqiptarin. “Unë kam shënuar në karrierën time shumë gola të bukur, por ky ishte një nga më të bukurit”, – tha Salihi për mediat izraelite, duke treguar edhe për mënyrën e ekzekutimit të golit me roveshatë. “Unë jam shumë i lumtur për golin, por pak i pakënaqur me faktin se goli nuk ka siguroi tri pikët”. Në lidhje me të ardhmen, Salihi shton: “Unë e di që, në Izrael ka ekipe të mëdha të tills si Makabi Haifa, Makabi Tel Aviv dhe Hapoel Tel Aviv. Çdo lojtar do të donte të shkonte të luante për ta, por unë jam i përqendruar të ndihmoj Hapoel Akres të qëndrojë në ligë”.

 3 gola

ka shënuar Salihi në kampionatin izraelit. Dopjetë kundër Ironi Ramat Hasharon, në ndeshjen e përfunduar 4-3 dhe një gol të mrekullueshëm kundër Makabi Haifës (1-1).

 207 gola

ka realizuar shkodrani në 397 ndeshje, midis kampionatit (160), kupave (31) të vendeve ku ka luajtur si dhe në ndeshjet ndërkombëtare në Europë (11).

 11 gola

ka realizuar sulmuesi me fanellën e Kombëtares shqiptare, të gjitha këto të shënuara në 47 ndeshje. Viti 2010 është me produktivi me katër gola.