Salihi: “Ky grup e meriton fitoren!”

473
Sigal

Heroi i fitores në Norvegji: “S’ka rëndësi se kush shënon në Tiranë, e rëndësishme të fitojmë”

Hamdi Salihi ishte heroi i Shqipërisë në mbrëmjen e madhe të Oslos, kur Kombëtarja jonë fitoi 1-0 në “Uleval”, çka u përkthye me vendin e dytë në grup dhe vazhdimin e ëndrrës për një vend në Botërorin e Brazilit. Sulmuesi shkodran mbërriti në rezidencën e kuqezinjve pas shënimi të golit të pestë të tij në Kinë, duke dhënë një sinjal të fortë se është në një formë të shkëlqyer. Autori i dhjetë golave me Kombëtaren – i dyti në grupin aktual pas rekordmenit Bogdani, 19 gola – do të jetë edhe sulmuesi i dytë në rreshtimin 4-4-2 që pritet të rreshtojë De Biazi në sfidën e dytë rresht kundër Norvegjisë. Salihi foli me tone të përmbajtura, kjo dhe për shkak të modestisë që karakterizon “Gerd Mylerin” shqiptar. Shqipëria ka grumbulluar 9 pikë në 5 ndeshjet e para, sikurse Islanda, ndërsa grupi E kryesohet nga Zvicra me 11 pikë.

 – Salihi, edhe pak ditë nga ndeshja me Norvegjinë, e konsideruar nga të gjithë si sfida kyçe e kësaj fushate kualifikuese. Si do ta vlerësoni?

– Ndeshja është shumë e vështirë, është një opinion i gabuar të varim totalisht shpresat në një lojtarë apo dy tre individë, pasi në çdo ekip apo edhe në këtë ekip është grupi ai që mbizotëron.

– Trajneri De Biazi ka në dispocizion shumë alternativa për çdo pozicion. A është ky një plus më shumë?

– Është diçka shumë pozitive që grup në këtë ekip është shumë i madhe dhe me shumë alternativa dhe mund të them se është një moment shumë i mirë që po kalon ky grup, që duhet shfrytëzuar në maksimum dhe shpresojmë që me pak fat mund të dalim me rezultat pozitiv nga ndeshja me Norvegjinë.

– Shënuat një gol të mrekullueshëm dhe që vendosi fatin e ndeshjes në Norvegji, duke bërë një Shqipëri të ëndërrojë. Vini me një gol nga Kina, a mund të presim një tjetër gol ndaj norvegjezëve?

– Të shënosh gol nuk është asnjëherë e lehtë si kundër Norvegjisë, ashtu edhe ndaj çdo skuadre tjetër, brenda apo jashtë fushe. Besoj se të gjithë lojtarët që do të jenë në fushën e lojës do të bëjnë secili mirë detyrat e veta dhe të arrijmë të shënojmë. Pak rëndësi ka se kush e bën golin, e rëndësishme është që goli të na bëjë në punë dhe kjo do të jetë një gjë e madhe për Shqipërinë.

– Sa mund të ndikojë pozitivisht fakti që, fituam në një transfertë të vështirë në Norvegji, teksa tani luajmë në shtëpinë tonë?

– Ndeshjet janë gjithnjë të ndryshme dhe nuk ka asnjë ndeshje të lehtë. Për mendimi tim ndeshja me e Oslon ka përfunduar më 22 mars dhe duhet harruar tashmë. Të përgatitemi për një ndeshje krejtësisht të re me kundërshtarë që janë me tjetër motivim, me tjetër renditje, me objektiva të rinj. Është diçka krejt ndryshe nga e para, duhet të përgatitemi për një ndeshje të re ndaj them se duhet ta harrojmë dhe të bëjmë një ndeshje më të mirë këtë radhë.

– Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, dhe kudo që ka shqiptarë është krijuar një vetëbesim i jashtëzakonshëm se, më në fund mund t’ia dalim për të qenë në finalet e mëdha. Ju ç’mendim keni?

-Kam lexuar shpesh këto kohët e fundit në media ku thuhet se kjo fitore na çon në Botëror. Ne duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse pas kësaj sfide kemi edhe tre transferta që për Shqipërinë kanë qenë ndeshje ku ne i kemi llogaritur gjithmonë zero pikë.

– Jashtë do të luajmë kundër Islandës, Sllovenisë dhe Qipros, teksa presim në shtëpi, Zvicrën. Si e shihni kalendarin?

Është e vështirë të pretendohet se mund t’i llogarisim pikë të plota këto ndeshje jashtë fushe dhe kështu shkojmë në Brazil. Duhet të mendojmë vetëm për sfidën me Norvegjinë dhe ta harrojmë Brazilin, të bëjmë një ndeshje të mirë që do të mund të na vërë në pozita mjaft të favorshme për ndeshjet e ardhshme.

  Dhjetë golat e Salihit

  Hamdi Salihi ka shënuar dhjetë gola me Kombëtaren: 5 në ndeshjet zyrtare dhe 5 në ato miqësore. Goli i tij i parë është shënuar në miqësoren e fituar 3-0 ndaj Maltës, më 22 gusht 2007, nën urdhrat e trajnerit kroat Oto Bariç. Goli i parë në një ndeshje zyrtare është ai në humbjen 4-1 me Suedinë (14 tetor 2009), e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010, kur trajner ishte Josip Kuzhe. Për ndeshjet zyrtare, shkodrani u ka shënuar edhe Luksemburgut (1-0, El. Euro 2012), Bjellorusisë (1-0, El. Euro 2012), Rumanisë (1-1, El. Euro 2012) dhe së fundi Norvegjisë (1-0). Në listën e miqësoreve janë Mali i Zi (2 gola), Andorra (1) dhe Uzbekistani (1).

Shqipëri-Maltë       3-0 (M)

Suedi-Shqipëri       4-1 (Z)

Mali i Zi-Shqipëri   0-1 (M)

Shqipëri-Andorrë     1-0  (M)

Shqipëri-Uzbekistan 1-0 (M)

Shqipëri-Luksemburg 1-0 (Z)

Shqipëri-Bjellorusi 1-0  (Z)

Shqipëri-Mali i Zi   3-2  (M)

Shqipëri-Rumani            1-1  (Z)

Norvegji-Shqipëri    0-1  (Z)

Kryeministri në rolin e tifozit. Batuta në italisht me De Biazin: “Do të gëzohem shumë, po më çuat në Brazil”

  Berisha: “Fitoni dhe merrni premion!”

 Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i bëri dje një vizitë të pazakontë Kombëtares shqiptare, vetëm tri ditë përpara se ajo të ndeshet me Norvegjinë, një sfidë kjo tepër e rëndësishme për ecurinë e Kuqezinjve në rrugën drejt finaleve të “Brazil 2014”. Kryetari i Partisë Demokratike ishte shoqëruar nga një grup kandidatësh për deputetë, të asaj force politike, përfshirë ministrin e Turizimit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti, apo dhe rekordmenia e njohur e atletikës shqiptare, Klodiana Shala. Berisha u tregua i përzemërt me të gjithë stafin teknik dhe futbollistët, dhe veçanërisht me trajnerin Xhani De Biazi, me të cilin shkëmbeu edhe disa batuta në gjuhën italiane.

 REZULTATE TË MËDHA  “Përshëndes trajnerin tuaj, i cili ka arritur që të udhëheqë ekipin drejt niveleve më të larta, drejt rezultateve më të larta dhe në këtë kampionat keni bërë ndër lojërat më të bukura, por jeni edhe afër një momenti shumë të rëndësishëm dhe ju falënderoj për të gjitha rezultate e arritur, edhe si ekip edhe individualisht, sepse në ekipe të tjera keni shkëlqyer. Kjo ka rëndësi, sepse kjo është një botë globale”.

 AFËR BRAZILIT – “Unë po shikoja në Afrikë të Jugut kur luante Zvicra, që kishte në skuadër 3-4 shqiptarë dhe u gëzova. Sigurisht do të gëzohem shumë më tepër kur të shkojmë ne në Brazil dhe e vërteta është se nuk jemi larg atij momenti. Unë ju uroj shumë përzemërsisht suksese. E falënderoj trajnerin për punën e mirë që ka bërë dhe nuk e ka shumë të lehtë, pasi e ka me përgjegjësi  të madhe dhe ju garantoj se do të përpiqem që t’ju mbështesim edhe më shumë, sepse ju e meritoni plotësisht. Keni dëshmuar talentin, aftësinë, shkallë të madhe përgatitjeje. Futbolli është një sport me një dinamizëm të paimagjinueshëm.

 DINAMIZMI SPANJOLL – “Kur pashë spanjollët thashë se këta paskan arritur qiellin dhe kur pashë gjermanët thashë këta qenkan pak më tutje se qielli, sepse për spanjollët mendova se kishin sintetizuar të gjitha anët më të spikatura të futbollit në 30 vite dhe mu duken të jashtëzakonshëm, por gjermanët mu dukën  edhe më të jashtëzakonshëm. E thash këtë për të theksuar sesa e vështirë është ta ndjekësh garën e futbollit, por ju po  e ndiqni dhe po e ndiqni shumë mirë. Unë ju uroj suksese”.

 PREMIO E MADHE – “u siguroj se qeveria do të ketë një premio për fitoren, sepse e meritoni plotësisht. Shpresoj dhe uroj që të fitoni, por natyrisht loja është lojë dhe sytë e shqiptarëve kudo që janë, janë në stadium dhe presin fitoren. Natyrisht gjakftohtësia është miku juaj numër një më shumë  sesa emocioni. Nuk duhet kurrë që emocioni të mbizotërojë gjakftohtësinë në fushë. Unë erdha t’ju mbështes për gjithë përfaqësimin që ju i bëni Shqipërisë, flamurit, vendit”, – tha Kryeministri Sali Berisha, i cili në fund të takimit premtoi se do të jenë në tribunë për ta ndjekur nga shkallët e stadiumit sfidën Shqipëri–Norvegji.

   Premtimi i Dukës: “Rezultat pozitiv!”

 Presidenti i Federatës së Futbollit, Armando Duka, e vlerësoi si entuziaste vizitën e Kryeministrit Sali Berisha. “Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të ekipit kombëtar i uroj mirëseardhjen Kryeministrit në rezidencën e ekipit tonë kombëtar. Unë mendoj dhe besoj se dhe ekipi, që do të bëjmë më të mirën në këtë ndeshje, ashtu siç kemi bërë gjithmonë. Duke pasur parasysh dhe rëndësisë e kësaj ndeshjeje, besoj se do të kemi një rezultat pozitiv. Jam i sigurt në kontributin maksimal të futbollistëve, stafit, dhe jam i sigurt në mbështetjen e gjithë Shqipërisë në arritjen e një rezultati pozitiv në ndeshjen me Norvegjinë. Gjithsesi kjo do të jetë një ndeshje futbolli, nuk duhet të kemi mbingarkesë të jashtëzakonshme. Ne përsëri do të jemi të gjithë bashkë edhe pas kësaj ndeshjeje. Sido që të ndodhë, unë shpresoj dhe uroj që ne do të takohemi me një rezultat pozitiv mbas ndeshjes. Faleminderit dhe njëherë zoti Kryeministër për vizitën!”

De Biazi: “Ëndrra vazhdon”

 Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, tha se ai ndihej tepër i nderuar nga vlerësimet e kryeministrit shqiptar, në takimin e parë midis tyre. Disa muaj më parë, De Biazi, pohoi gjatë një intervistë për mediat italiane se, kishte pasur një takim kortezie me presidentin Bujar Nishani. “Në radhë të parë dua të falënderoj kryeministrin për mbështetjen që po na jep. Jam i sigurt që të gjithë këta djem që janë këtu sot do ta nderojnë bluzën kuqezi duke dhënë më të mirën e tyre në fushën e blertë. Por futbolli nuk është një shkencë ekzakte, sepse jo gjithmonë fiton më i miri. Ne do të bëjmë më të mirën, sepse dëshirojmë të ndjekim atë një ëndërr që kemi pasur që në fillim të këtyre eliminatoreve. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse e dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, madje shumë më e vështirë se sfida që fituam në Oslo. Premtimi që mund të bëjmë është ky, do ta përgatisim në mënyrën më të mirë të mundshme këtë takim dhe do të japim maksimumin për ta fituar”, – përfundoi De Biazi.