Salihi, i lumtur me stacionet e shumta

482
Sigal

Sulmuesi kuqezi flet për FIFA.com, ku deklaron se, ndihet mirë me karrierën që e ka çuar në shumë vende, duke u bërë më i fortë në futboll e në jetë

 Me dhjetë gola në 43 ndeshje me kombëtaren, sulmuesi i Shqipërisë, Hamdi Salihi, renditet i gjashti midis shënuesve më të mirë të vendit të tij. Edhe më mbresëlënës është fakti se shtatë herë ka shënuar golin e fitores. Hera e fundit ishte në ndeshjen e 22 marsit për kualifikueset e Botërorit 2014 kundër Norvegjisë, kur goli i Salihit në minutën e 66-të shtangu shënoi vendasit favoritë. “Ishte një ndeshje e paharruar, në të cilën shënova golin e fitores”, thotë Salihi për sitin zyrtar të FIFA-s. “Norvegjia është skuadër e fortë, me shumë përvojë në Kupën e Botës, por ne ia patëm sukses t’i mbanim larg portës sonë, para goditjes sime vendimtare. Ishte një shtysë e madhe për shpresat tonë për kualifikimin”. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e kthimit kundër norvegjezëve, Shqipëria mban vendin e dytë, me katër pikë më pak se Zvicra. Me katër ndeshje për t’u luajtur, shqiptarët kanë shumë shpresa për të shkuar për herë të parë në Kupën e Botës. “Jemi në pozita të mira”, vazhdon Salihi. “Ka një hendek mes nesh e Zvicrës, por janë edhe katër ndeshje për t’u luajtur, kështu që i kemi shanset për t’i kapërcyer. Edhe nëse nuk ia arrijmë, mund të mbetemi në vendin e dytë e të kualifikohemi si e dyta më e mirë”. Salihi është një nga lojtarët që ka luajtur në tre kontinente dhe ndihet i lumtur me karrierën që ka pasur deri tani. “Gjatë dekadës së fundit kam luajtur me një numër skuadrash nga vende të ndryshme dhe ndihme mirënjohës për të gjitha këto shanse që më janë dhënë. Largimi nga shtëpia që në moshë të re më ka ndihmuar. Karriera jashtë më ka bërë më të fortë, në futboll e në jetë. Kam fituar shumë përvojë, brenda e jashtë fushës”, thotë lojtari shkodran.

 Pasaktësia

Salihi thotë se, Shqipëria mund të synojë kualifikimin edhe si e dyta më e mirë e nëntë grupeve, por në fakt në këtë botëror nuk ndodh kështu. Tetë të dytat më të mira luajnë në play-off për katër vende në finale, ndërsa e fundit eliminohet. Aktualisht, e nënta midis skuadrave të dyta është Anglia, ndërsa Shqipëria është e teta, me një pikë më tepër. Edhe në këtë aspekt barazimi me Norvegjinë ka prishur shumë punë, duke hequr dy pikë tepër të çmuara.

Bastet, Lacio rrezikon heqjen e pikëve

 Dyshohet për fiksim rezultati në ndeshjet kundër Xhenoas e Leçes, kapiteni Mauri rrezikon dënim të gjatë 

Bastet pritet të shkaktojnë një tjetër kaos të madh në kampionatin italian të Serisë A. Pas mbylljes së skandalit të Napolit, ku akuzohej si i përfshirë kapiteni Paolo Kanavaro, vjen radha e Lacios dhe Xhenoas. Prokurori i Federatës Italiane të Futbollit, Stefano Palaci, ka ngritur akzua për për ndeshjet Lacio-Xhenoa të 14 majit 2011 dhe Leçe-Lacio e 22 majit, të cilat dyshohen si të trukuara. Në rrjetën e prokurorisë ka rënë kapiteni i skuadrës kryeqytetase, Stefano Mauri, por edhe ish-lojtari i Xhenoas, Omar Milaneto, si dhe gjashtë të tjerë, të cilët rrezikojnë një pezullim të gjatë. Ndaj lojtarëve, rëndon akuza e trukimit të ndeshjeve, ndërsa shoqëritë e Lacios dhe Xhenoas akuzohen për përgjegjësi objektive. Vendimet e marra nga prokurori Palaci bazohen në hetimet e nisura dy vjet më parë nga prokuroria e Kremonës, e cila dyshon se ndeshjet në fjalë janë fiksuar nga lojtarët e përfshirë. Lacio-Xhenoa përfundoi me rezultatin 4-2, por një ditë përpara ndeshjes prokuroria përgjoi një numër të madh telefonatash mes lojtarëve Xhervasoni, Zamperini, Mauri dhe maqedonasit Hristian Ilievski, i cili dyshohet si kreu i një organizate kriminale me qëllim trukimin e ndeshjeve. Në ndeshjen Leçe-Lacio të cilën bardhekaltrit e fituan 4-2, ka më pak prova, por edhe në këtë rast shoqëria e presidentit Lotito rrezikon pasi mund të dënohet me heqjen e pesë pikëve, duke e nisur sezonin në zonën e ftohtë. Nuk mbetet jashtë hetimeve as Leçe, që rrezikon gjithashtu heqjen e pikëve për sezonin e ri. Vendimi nga komisioni disiplinor pritet të merret brenda disa ditëve dhe do të hyjë në fuqi për sezonin e ri.

Çmendet Reali, 46 milionë për Suarez

Reali i Madridit me sa duket është i vendosur për të sjellë në “Santiago Bernabeo” uruguaianin Luis Suarez. Galaktikët janë gati të paguajnë plot 46 milionë euro në arkat e Liverpulit për të siguruar shërbimet e sulmuesit. Vetëm disa ditë më parë, “The Reds” refuzuan ofertën prej 30 milionë eurosh të bërë nga rivalët e Arsenal, por vështirë se do të hedhin poshtë një sasi kaq të madhe parash, që presidenti Fiorentino Perez është gati të paguajë për “El Pistolero”. Edhe Suarez vetë me sa duket është pro largimit të tij, pasi në deklaratën e fundit për shtyp u shpreh kështu, “Më pëlqen interesimi i Arsenal dhe i disa klubeve të tjera. Kam disa opsione dhe klubi e di këtë. Agjenti im e di se çfarë kërkoj unë prej tij dhe po punon për të ardhmen time”.

Çelsi refuzon 35 milionë euro për David Luiz

Me sa duket Çelsi nuk ka ndërmend ta shesë mbrojtësin David Luiz. Braziliani është përfolur shumë në këtë merkato verore për një transferim të mundshëm tek Barcelona ose tek PSG. Megjithatë, londinezët refuzuan plot 35 milionë euro të ofruara nga katalanasit në këmbim të kartonit të mbrojtësit. Luiz është një nga mbrojtësit më në zë të momentit, pas paraqitjeve të tij mbresëlënëse si me Çelsin ashtu edhe me Brazilin, ku fitoi Kupën e Konfederatave. Mbrojtësi erdhi tek Çelsi në janar të vitit 2011 dhe kushtoi plot 25 milionë euro.

Falkao: Mund të fitojmë shumë!

Vetëm pak kohë pas transferimit të tij tek Monako, Radamel Falkao tregon synimet që ka ai dhe klubi në të ardhmen. Sulmuesi u shpreh optimist se skuadra mund të fitojë shumë pasi ka krijuar një grup mjaft të mirë. Kolumbiani ka në ekip lojtarë më të cilët ka luajtur edhe më parë të cilët janë Rodrigez dhe Moutinjo. Sipas “tigrit”, kjo gjë do t’i bëjë punët më të lehta për të. “Jam shumë i bindur që skuadra mund të dalë mirë pasi kemi një grup të një klasi të lartë dhe mjaft ambicioz. Jemi pjesë e një projekti të madh dhe jam shumë optimist në fitimin e trofeve” – përfundoi 27-vjeçari.

Guardiola, më shumë minuta Shaqirit

Me sa duket ardhja e trajnerit të ri te Bajern, Pep Guardiola, do të jetë një gjë pozitive për shqiptarin me pasaportë zvicerane, Xherdan Shaqiri. Ky i fundit është shprehur optimist mbi sezonin e ri, ku e ka shfaqur haptazi dëshirën për të pasur më shumë minuta e pse jo për të luajë edhe si titullar në ndeshje të rëndësishme. Në ndeshjen parasezonale kundër Breshias, që u zhvillua pak ditë më parë, mesfushori e filloi ndeshjen nga minuta e parë dhe bavarezët fituan me shifrat 3-0. Shaqiri beri një performancë të kënaqshme, por u zëvendësua në minutën e 60-të të takimit. Kujtojmë që në sezonin që sapo lamë pas minutat që përfitonte Shaqiri ishin shumë të pakta. Ndoshta, këtë vit talenti kosovar do të ketë mundësinë të shfaqë potencialin e tij të vërtetë nën urdhrat e Guardiolës.