Saimir Ujkani “dryni” i Kievos

566
Sigal

 Me verdheblutë veronezë më parë kanë luajtur Bogdani dhe Rudho. Këtë sezon aktivizohet Përparim Hetemaj

 Zbardhet adresa e re e Samir Ujkanit. Portieri i Kombëtares shqiptare është një lojtar i Kievos. Pas mbërritjes së Stefano Sorrentinos te Palermo, kosovari do të zërë vendin e këtij të fundit te ish-skuadra e Erjon Bogdanit. Sipas mediave italiane, Ujkani do të luajë në fazën e dytë si i huazuar, por Kievo ka të drejtën e parablerjes me gjysmën e çmimit të kartonit. Ujkani bëri një fazë të parë në kontrast te Palermo, duke bërë disa gafa që i kushtuan pikë të vlefshme skuadrës siciliane. Gjithsesi, ai u aktivizua në 19 nga 22 ndeshjet. Kievo do të jetë skuadra e tretë për Samir Ujkanin, të formuar në Belgjikë te Anderlehti.

Duhet theksuar fakti se, Ujkani nuk e ka pasur fatin me vete, pasi është dëmtuar dy herë rendë: herën e parë pësoi një frakturë në mollëza dhe theu katër dhëmbë (Novara-Bolonja, 16 tetor 2011) duke luajtur disa ndeshje me maskë mbrojtëse; ndërkohë që herën e dytë theu pjesën e sipërme të dorës (Roma-Novara, 1 prill 2012), duke qëndruar disa muaj pa luajtur. Samiri do të debutojë me fanellën e Kievos qysh në takimin e parë kundër Juventusit, kryesuesit të Serisë A, ndërsa sfidën kundër ish-ekipit të tij, Palermos do ta luajë më 16 shkurt. Pas 22 javësh, Kievo e trajnerit Euxhenio Korini renditet në vendin e 11-të me 28 pikë. Në ndeshjen e fundit fitoi 1-0 me Lacion e Lorik Canës.

  Shqiptarët e Kievos

 Për Kievon kanë luajtur Erjon Bogdani (61 ndeshje, 8 gola), Xhulian Rrudho (1 ndeshje, 2006-2007) dhe në forcë tani është kosovari me pasaportë finlandeze, mesfushori 26-vjeçar Përparim Hetemaj (17 ndeshje këtë sezon).

 Tre ekipe në Itali

 Në karrierën e Samir Ujkanit janë Palermo (20 ndeshje, në Serinë A) dhe Novara (83 ndeshje, midis Serisë A dhe B). Samir Ujkani numëron 18 ndeshje me Kombëtaren shqiptare (debutoi, më 26 mars 2011 kundër Bjellorusisë).

 Polonia Varshava kërkon 500 mijë euro për Çanin

  Polonia Varshava kërkon 500 mijë euro nga Katania për të bërë të mundur dhënien e kartonit të Edgar Çanit. Lajmin e bëjnë të ditur mediat polake. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare nënshkroi një kontratë deri, më 30 qershor 2016 me klubin e njohur të Serisë A, por çështja e aktivizimit i tij në Itali, mesa duket do të zgjidhet përmes zyrës juridike të FIFA-s, në harkun e 20 ditëve.

Çani u transferua, më 18 korrik 2011, nga Palermo te Polonia Varshava. Sezonin e kaluar, në 26 ndeshje ai realizoi 11 gola në kampionat, si dhe dy gola në Kupën e Polonisë. Në Itali, sulmuesi 23-vjeçar, 192 cm, ka luajtur më parë me Peskarën, Palermon, Askolin, Padovën, Piaçencën, Modenën dhe tani me Çanin.

 Alban Meha, katër gola në miqësore

 Trajneri Xhani De Biazi do të ketë në dispozicion një Super Alban Meha, për ndeshjen miqësore kundër Gjeorgjisë, më 6 shkurt 2013. Fantazisti kosovar ka shënuar katër gola gjatë ndeshjeve miqësore të Padebornit dhe ndihet në një formë të shkëlqyer. Meha shënoi së fundi në fitoren 2-1 të Padebornit ndaj Bokumit, ku ai realizoi golin e parë të takimit, me një gol model për nga ekzekutimi, duke fituar komplimentet e trajnerit Stefan Shmidt. Meha përgatiti pas një goditje të lirë dhe golin e realizuar nga Tobias Fajsthamel.

 Duel Inter-Milan per Xhemailin

 Jo vetëm Interi, por tani edhe Milani interesohet për mesfushorin shqiptar nga Maqedonia, Blerim Xhemaili. 26-vjeçari shkëlqeu të dielën me Napolin, duke dhënë një asist ëndrrash, pas të cilit erdhi golin e Marek Hamshikut. Interi shfaqi një interesim të dukshëm javën e kaluar, ndërkohë që sipas portalit zviceran, “Blick.ch”, tani është Milani ai që kërkon kontributin e lojtarit të Kombëtares zvicerane. Të enjten mbyllet zyrtarisht merkatoja dimërore, ku dhe do të zyrtarizohen të gjitha lëvizjet.

 Milan shënjestrën Xherdan Shaqirin

 Xherdan Shaqiri është në fokusin e Milanit. Lajmin e dha portali sportiv zviceran “Fussball.ch”. Trajneri i ardhshëm i Bajernit, Pep Guardiola, dëshiron të sjellë në Munih, mesfushorin e Atletiko Madrid, Arda Turan. Nëse anësori turk do të mbërrijë në Gjermani, atëherë hapësira për Shaqirin kufizohet. Kosovari i Kombëtares zvicerane, kundërshtares së Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit 2014, mund të luajë në Serinë A. Milani ka shprehur interesimin për shërbimet e 21-vjeçarit, por në lojë mund të futet dhe Napoli. Shaqiri ka një kontratë me Bajernin e Munihut deri në vitin 2016.

   Të mërkurën do të luhet Real-Barcelona

 Ronaldo-Mesi, lojtarët e rekordeve

 Gara e përjetshme midis dy futbollistëve më të mirë në botë, Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos arriti të dielën një tjetër pikë maksimale, aq sa e kanë shndërruar duelin mitik Barcelona-Real Madrid, edhe në një duel Mesi-Ronaldo. Të mërkurën do të luhet “El Klasiko”-ja e parë te gjysmëfinales së Kupës së mbretit, takim që do të zhvillohet në “Santiago Bernabeu”, në Madrid. Kristiano Ronaldo tha: “El Klasiko është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe e komplikuar. Do të përballemi me një nga skuadrat më të vështira në botë, ndaj do të jetë një mbrëmje e madhe”. Faqja gjermane, Sport1.de, ka bërë një krahasim statistikor midis dy gjigantëve.

 KRISTIANO – Në ndeshjen e Realit të Madridit kundër Getafes, Ronaldo shënoi në fitoren 4-0 tre gola brenda 11 minutave. Tregolëshi i tij më i shpejtë para këtij ishte ai kundër Malagës, në tetor 2011, i realizuar brenda 16 minutave.

 MESI – Ylli argjentinas i Barcelonës duhet të bëjë një vitrinë të posaçme, vetëm për topat e ekspozuar që ka marrë në shtëpi pas shënimit tre apo katër golave në një ndeshje. Së fundi, Lionel Mesi realizoi katër gola kundër Osasunës.

 LEO – “Pleshti” Mesi ka shënuar në këtë sezon, 33 nga 71 golat që ka realizuar Barcelona, ose 46.5 për qind të golave të skuadrës dhe ka realizuar i vetëm më shumë sesa kanë shënuar 16 skuadra të Primera Divizionit deri tani në 21 javë.

 RONALDO – Sulmuesi portugez i Realit të Madridit ka realizuar 12 gola më pak se Lionel Mesi, pra 21 gola, ndërkohë që koeficientin e shënimit brenda skuadrës së Realit e ka më të vogël, 38.9 për qind. Madrelinët kanë realizuar 54 gola.

 TRANSFERIMI – Këtë titull askush nuk mund t’ia heqë Kristiano Ronaldos: ai është lojtari më i shtrenjtë i transferuar ndonjëherë në botën e futbollit, në shumën prej 94 milionë eurove, kur u shit nga Mançester Junaitid.

 TOPAT E ARTË – Lionel Mesi është i vetmi lojtar në planet që, e ka fituar katër herë trofeun prestigjioz “Topi i Artë”, madje duke e fituar atë katër herë rresht: 2009, 2010, 2011, 2012. Ronaldo e ka fituar vetëm një herë (2008).

 Çavi rinovon me Barcelonën

 Pas Pujolit dhe Mesit, edhe Çavi zgjati kontratën që e lidh me Barcelonën. Lojtari, i shoqërua në zyrat e klubit nga agjenti i tij, Ivan Koretja, firmosi deri më 30 qershor 2016, në praninë e presidentit “blaugrana”, Sandro Rosell dhe drejtorit sportiv Andoni Zubiarreta. Shifrat ekonomike të akordit nuk u bënë të ditura.

 Anelka, “ok” me mjekët

 Nikolas Anelka i kaloi me sukses vizitat mjekësore. Sulmuesi francez, blerja e re e Juventusit, i kreu ato në klinikën “Fornaca’, pas atyre të kryera një ditë më parë në Institutin Mjekësor të Sportit në Torino. Juventusi është në pritje të prishjes së kontratës së Anelkasë me klubin kinez, Shanghai Shenua.