Saimir Dauti: Ja çfarë u mungon skuadrave tona

580
Sigal

Ish-kampioni i Dinamos: “Futbollit tonë i mungon teknika, nuk dimë të driblojmë dhe të shënojmë”

Saimir Dauti, një nga specialistët e njohur të futbollit shqiptar, theksoi se skuadrat tona ende janë larg të qenit profesioniste, kur ato ballafaqohen në Europë. Skënderbeu, Tirana, Teuta dhe Flamurtari dështuan shumë shpejt në aventurën e tyre europiane, ku spikasin humbjet e thella jashtë fushe, çka e komprometoi edhe imazhin e futbollit tonë. Dauti tha për gazetën “Telegraf” se, ekipeve tona vuajnë shumë në aspektin teknik. “Nuk mjafton më në futboll, vetëm të vraposh. Duhet të dish të luash, dhe kjo do të thotë të dish të përdorësh topin, pasi ai shkon në të gjithë sipërfaqen e fushës”.

 Zoti Dauti, katër skuadrat shqiptare që morën pjesë në Ligën e Kampioneve dhe në Ligën e Europës lanë një shije jo të mirë, me eliminimin e tyre të shpejtë, dhe aspak dinjitoz dhe duke mos e kaluar pragun e ëndërruar, pra turin. Kjo ka të bëjë me rivalët tanë, traditën e futbollit?

Në gjykimin tim, jo se janë rivalët me të cilët ne ndeshemi janë më të fortë, por sepse jemi ne më të dobët. Duan apo s’duan ta kuptojnë specialistët tanë, futbollit tonë i mungojnë shumë elementë, që vlejnë shumë në kompeticionet ndërkombëtare. Nuk mjafton më në futboll, vetëm të vraposh. Duhet të dish të luash, dhe kjo do të thotë të dish të përdorësh topin, pasi ai shkon në të gjithë sipërfaqen e fushës. Ne po vazhdojmë të ecim të njëjtën traditë të viteve të fundit, por ju garantoj se, dhe për disa kohë e tillë do të vazhdojë pjesëmarrja jonë në Europë.

Cila është dobësia kryesore e futbollit tonë, në raport me atë europian?

Dobësia kryesore, nëse duam të vendosim pikat mbi “i”, është elementi teknik. Ne vuajmë tmerrësisht nga ana teknike. Nëse do të bënim një krahasim me futbollin bashkëkohor, do ta shohim mjaft qartë se aty dominon teknika, një tregues i qartë i anës profesionale. Fizikisht të gjithë mund të përgatiten dhe kjo është ana më e lehtë. Teknika përfaqëson taktikën. Prandaj na duken skuadrat e mira shumë të organizuara taktikisht, pasi ato teknikisht janë të larta. Po të vështrojmë me kujdes futbollistët tanë, ata nuk dinë të driblojnë. Dhe këtu nuk flas për sulmuesit, që e kanë për detyrë këtë, ashtu sikundër dhe të shënojnë gola. Më lejoni të marr një shembull, duke marrë një nga ekipet më të mira në botë: Barcelonën. Atje nuk di të driblojë vetëm Lionel Mesi, por të gjithë, përfshirë dhe mbrojtësit, si Karles Pujol apo Zherard Pike, duke mos llogaritur Andres Iniestën apo Ksavi Hernandesin. Golat e Barcelonës bëhen nga elementi teknik, pra nga driblimi. Përse këmbëngul për driblimin, pasi skuadrat tona janë të ngjeshura, qysh në mesin e fushës, pa përmendur zonën e rreptësisë së tyre. Zona të tilla janë të mbipopulluara, me nga nëntë lojtarë. Mesi nuk driblon një dhe shënon, por dy apo dhe tre. Kjo futbollit tonë i mungon, prandaj dhe ne nuk shënojmë gola dhe pësojmë shumë gola.

Në katër ndeshje në transfertë, pësuam 16 gola, me një mesatare prej 4 gola për ndeshje, ku kulmojnë humbjet 6-1 të Teutës me gjeorgjianët e Metalurgi Rustavin dhe 5-0 të Tiranës me norvegjezët e Alesundit, çka dëshmon se mbrojtjet e skuadrave tona janë shumë të brishta.

Golat mund të pësosh, pasi dhe unë që po flas kam pësuar gola në kohën time, por i kemi marrë me ekipe prestigjioze, si në rastin e  Tiranës me Ajaksin e Amsterdamit, që ka fituar Ligën e Kampioneve, apo si në rastin e Partizanit apo Dinamos, që kanë luajtur dikur me disa nga ekipet më prestigjioze të Europës, si me Sëlltikun, apo të tjerë. Çështja shtrohet se, nga cilat skuadra i pësojmë golat tani. Janë skuadra lindore, që dikur ishin në ligën amatore. Përse ato tani arrijnë të na shënojnë shumë gola, kur ne jemi matur në nivele më të larta.

Sa influencojnë financat në futbollin tonë?

Është një fakt i njohur që, financa të mëdha do të thotë dhe lojtarë cilësorë. Kjo vlen edhe në Europë. Ana financiare predominon te skuadrat e elitës botërore. Dhe tek ne, nuk mund t’i shmangemi kësaj dukurie. Sot nuk është emri i skuadrës, siç mund të jenë Dinamo, Partizani, por ana financiare që i ngre emrin ekipit. Për shembull, po marr Laçin: është paraqitur denjësisht në tre sezonet e fundit, madje duke marrë pjesë edhe në Ligën e Europës. Arsyeja e vetme: ka pasur financa të sigurta, ka grumbulluar lojtarë të mirë dha ka luajtur futboll. Në sezonin e ardhshëm (2012-2013) mund të kemi Kukësin një ekip surprizë, pasi ka grumbulluar disa nga lojtarët më të mirë të Shqipërisë, dhe mund të fitojë dhe Kategorinë Superiore. Pra, nuk është më emri i skuadrës, por financa që bën skuadrën.

Të gjitha ekipet janë përfshirë në merkato. A keni ndjekur ata dhe kush mendoni se është forcuar më shumë?

Sigurisht që, e kam ndjekur, por një pasqyrë të vërtetë do ta krijojmë kur edhe merkatoja të përfundojë, pikërisht kur skuadra del në fushë.

Të gjithë specialistët flasin për mungesën e futbollit të bazës, kjo e theksuar më shumë në kryeqytet. Cili është opinioni juaj?

Sigurisht që, do të mungojë, pasi kur shkrin Partizanin dhe Dinamon, atëherë ku do të shkojnë të përgatiten dhe të luajnë lojtarët e rinj, të një qyteti si Tirana, që është gati 1 milion banorë? Kush do t’i marrë ata, vetëm Tirana, apo dhe Kamza? Nuk është e thënë që një skuadër të zërë vendin e parë, por mund të zësh dhe vendin e pestë, por kur e arrin atë me futbollistët e rinj, atëherë është një gjë e mirë. Mund të zësh vendin e parë për një apo dy vjet me lojtarë të tjerë, por kur ikin ata, atëherë skuadra ka rrezik të shpërbëhet.

 Skuadër e shkurtër

 Trajneri Saimir Dauti shpjegon se, në futbollin e sotëm, po flitet edhe për “skuadrën e shkurtër”, duke iu referuar faktit që një ekip tani luan në bllok: “Skuadra duhet të jetë sa më e shkurtër, sa më e mbledhur, qoftë kur luan në mbrojtje, apo kur ajo merr pjesën në fazën sulmuese. Futbolli luhet sot, si në mbrojtje, ashtu dhe në sulm, me sa më shumë forca. Pra, shkurt, luhet në blloqe. Shembulli më i qartë është loja e Çelsit”.

 Zbatimi i detyrave

 Specialisti Dauti tha se, i bën përshtypje një gjë: “Nuk e di a kontrollohen më ekipet tona? Nuk e them këtë, pse dua të kthehem në sistemin e mëparshëm. Sistemi nuk duhet i përmbysur i gjithë, duhet lënë mënjanë ajo që ka qenë e keqe, por ajo që ka qenë pozitive duhet të vazhdojë. Të gjithë trajnerët tanë janë të specializuar, përmes projekteve dhe programeve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Por, a i zbatojnë këta trajnerë për detyrat që marrin”.

 Trajnerët dhe poema e Migjenit

 Specialisti Saimir Dauti flet edhe për raportin president-trajner, që në sezonet e fundit ka prodhuar shkarkime të shumta të teknikëve të skuadrave. “Personalisht, gjatë kohës që unë kam punuar si trajner, nuk më ka rezultuar të kem divergjenca, midis presidentit dhe stafit teknik, por mesa kam dëgjuar vitet e fundit, ka pasur ndërhyrje nga ana e presidentëve, deri në ideimin e formacionit”. Në lidhje me shkarkimet e trajnerëve, që gjatë sezonit të kaluar arriti në shifrën e 70 përqindëshit, Dauti e përmbledh me një batutë: “Shkarkimi i trajnerëve është bërë si ajo poema e Migjenit: ‘Përditë perëndojnë Zotat!’”.

 NDESHJET E EKIPEVE SHQIPTARE NË EUROPË SEZONI 2012-2013

 Liga e Kampioneve

Turi i dytë eliminator

 Skënderbeu-Debrecen 1-0

Debrecen-Skënderbeu 3-0

 Liga e Europës

Turi i parë eliminator

 Tirana-Grevenmaker 2-0

Grevenmaker-Tirana 0-0

 Flamurtari-Honved 0-1

Honved-Flamurtari 3-0

 Teuta-Metalurgi 0-3

Metalurgi-Teuta 6-1

 Turi i dytë eliminator

 Tirana-Alesund 1-1

Alesund-Tirana 3-0

Bilanci i hidhur

 Në katër sezonet e fundit në Europë, nga ai 2009-2010 dhe deri 2012-2013, ekipet shqiptare kanë zhvilluar 42 ndeshje, duke arritur të regjistrojnë vetëm 9 fitore (21.5%), 10 barazime dhe 23 humbje (54.7%). Historia e humbjeve të ekipeve shqiptare në Europë është e hidhur: Madhëruell-Flamurtari 8-1, Dniper Mogilev-Laçi 7-1, Olimpiakos-Besa 6-1, Metalurg R.-Teuta 6-1, Jablonec-Flamurtari 5-1, Rapidi i Vjenës-Vllaznia 5-0, për të mos i përmendur të zakonshmet 4-0, 3-0, etj..