Sadiku “zbut” Xhakën, Barazim mes Luganos e Baselit, shënon sërish sulmuesi

510
Një përballje mjaft e bukur rezultoi ajo mes Luganos dhe Baselit në Ligën zvicerane të futbollit. Dueli mes Armando Sadikut dhe Taulant Xhakës nuk fabrikoi asnjë fitues, duke qënë se sfida u mbyll në ekuilibër të plotë 2-2. Elbasanasi ishte protagonist pasi firmosi ringritjen e skuadrës së tij. “Bardhezinjtë” nga dizavantazhi 2-0 arritën të barazonin pikërisht falë golit të realizuar nga 25 vjeçari. I 8-ti për sulmuesin që kur u transferua në Janar tek Lugano. Sadiku u gjend në vendin e duhur në kohën e duhur, dhe në stilin e Pipo Inzaghit shtyu në rrjetë me gjoks një sugjerim me kokë të Marianit. Festimi i tepruar me tifozët i kushtoi kartonin e dytë të verdhë lojtarit të kombëtares shqiptare, megjithatë e kuqja nuk ia njollosi paraqitjen e mirë. Ndërkohë që goli i parë për Luganon erdhi nga një tjetër futbollist me origjinë shqiptare si Ezgjan Alioski.

Përsa i përket “rebelit” të përfaqësueses kuqezi Taulant Xhakës, edhe mesfushori dhuroi një performancë pozitive duke dhënë kontributin e tij në rastin e golit të parë të takimit që u shënua nga Alexander Fransson. Ishte pikërisht 26 vjeçari ai që ia shtroi topin suedezit i cili me të djathtën mposhti portierin Mirko Salvi. Kujtojmë që Baseli një javë më parë siguroi titullin e 8-të rradhazi në Zvicër dhe të 20-in në historinë e klubit “kuqeblu”, në krahun tjetër pika e fituar e ngjit momentalisht Luganon e Tramezzanit dhe Sadikut në vendin e 4-ët, pozicion që të dërgon në para-eliminatoret e Ligës së Europës. 
Sigal