Sadiku luan vetëm pjesën e parë, Atletiko mund thellë Levanten

591
Atletiko Madrid ka mundur Levanten dje pasdite me rezultatin 3-0, dhe ka blinduar vendin e dytë në La Liga. Ndërkohë Armando Sadiku, lojtari Kombëtares sonë, e ka nisur si titullar këtë ndeshje por është zëvendësuar pas 45 minutash lojë. Superioriteti e Atletiko Madrid u shfaq pas 33 minutave, kur Korea arriti të realizonte golin e avantazhit, për ta mbyllur pjesën e parë 1-0. Me nisjen e pjesës së dytë, Sadiku u zëvendësua nga Ivi, dhe për madrilenët është Griezman që dyfishon menjëherë rezultatin në 2-0, dhe më pas Torres në minutën e 77-të i dha goditjen përfundimtare Levantes, e cila tashmë lufton për mbijetesë, edhe pse gjendet në një pozicion komod me +5 pikë nga La Korunja, e cila renditet në vendin e 18-të, vend që e zbret nga La Liga në Segunda Divizion. Paraqitja e Sadikut nuk la shumë mbresa.
Sigal