Sadik Mema: “Notojmë dhe festojmë”, veprimtari testuese dhe stimuluese për notarët tanë

745
Nga Agron KAJA
NOT/ Në Akademinë e Notit “Te Stela”, të shtunën zhvillohet veprimtaria e radhës “Notojmë dhe festojmë”, flet për “Telegraf” krye/trajneri
Nga nëntori i vitit të kaluar, në prill 2018, pse kaq e shpeshtë veprimtaria juaj “Notojmë dhe festojmë”?
Ne, këtu në AN “Te Stela” nuk e dallojmë se sa dendur i zhvillojmë veprimtaritë, rëndësi ka që ato të shërbejnë për rritjen e cilësisë së garimit, për zbulimin e notarëve të rinj që nuk kanë pasur mundësi të tjera garimi, njëherësh edhe për t’i mbajtur notarët tanë në tonusin e veprimtarisë kombëtare të radhës. 

Ideja e organizimit të kësaj veprimtarie në këtë stinë, veç promovimit, është test për notarët tuaj?
Kjo veprimtari që ne e kemi quajtur “Notojmë dhe festojmë”, promovimin dhe testin i ka së bashku, për të gjithë notarët që ushtrohen këtu gjatë gjithë vitit, në grupmoshat 7-8 vjeç dhe 12-13 vjeç. Natyrisht që kjo garë shërben edhe si një test për Kampionatin Kombëtar që do të zhvillohet në fundin e këtij muaji.

Po për ata që kanë thyer rekorde ose mund t’i thyejnë gjatë këtyre garave, çfarë stimuj apo shpërblime jepni ju si akademi?
Natyrisht që për rekordmenët ka edhe më shumë se sa stimujt, sepse për ata shpërndahen edhe dhurata. Kjo bëhet më shumë për të nxitur notarët e tjerë që të arrijnë nivelet e rekordmenëve, dhe për të gjithë do të ndahen stimuj e medalje, për çdo bateri dhe individ fitues. 

Duke qenë veprimtari që e organizoni ju si akademi, keni gjetur mbështetjen e Federatës Shqiptare të Notit?
Kjo është veprimtari e brendshme e akademisë sonë, ndërkohë që nga Federata Shqiptare e Notit mbështetja asnjëherë nuk na ka munguar edhe në këtu. Të gjithë gjyqtarët e garave janë përfaqësues të FSHN-së, dhe kjo nuk është pak për ne, duke qenë se ne jemi organizatorë.

Pjesëmarrja prej 70 notarësh (meshkuj e femra) është numër që i shërben masivitetit apo cilësisë?
Në fakt, edhe nga masiviteti vjen cilësia, që është synimi primar i yni në këtë veprimtari. Ne presim që të jenë rreth 70 notarë, meshkuj e femra, ku të gjithë janë “produkt” i AN “Te Stela”. Ata janë më të avancuar për të zhvilluar gara noti në pishinën dimërore, ndaj dhe ne i presim si pjesë e progresit të tyre në këtë sport.

Ky aktivitet, bëhet edhe një barometër i trajningut tuaj në këtë fillimviti?
Natyrisht që po, sepse grupi i trajnerëve në AN “Te Stela” këtu do të shohin më LIVE progresin e punës së tyre me fëmijët. Duke pasur si synim kryesor evidentimin e fëmijëve që punojnë, por që nuk e gjejnë veten në të tjera veprimtari që organizohen këtu, por edhe në evente të tjera kombëtare, duke i stimuluara ata, ne u japim më shumë kurajë për vazhdimësinë.

AN “Te Stela” ka vite që “prodhon” notarë rekordmenë, e mendoni se edhe të shtunën do të ketë të tillë?
Pse jo, sepse edhe rekordet kombëtare janë pjesë e synimeve në punën tonë këtu në Akademi. Do të prisja shumë progres në këtë veprimtari, dhe jo vetëm nga ata notarë e notare që periodikisht përfaqësojnë AN “Te Stela”. Rekordet janë bërë pjesë e notarëve tanë, jo vetëm në këtë veprimtari. 

Viti 2018 sapo i ka nisur veprimtaritë, do të synoni suksesin që arritën gjatë vitit 2017?
Në fakt, një bilanc të tillë do të ishte mirë ta bëja pas kësaj veprimtarie “Notojmë dhe festojmë”. Gjithsesi, deri më tani, në të gjitha aktivitetet e vitit 2017, AN “Te Stela” ka fituar 17 Kupa në veprimtaritë kombëtare, dhe në evente të tjera jo zyrtare.

70 notarë
Në veprimtarinë “Notojmë dhe festojmë” që organizohet të shtunën, datë 14 prill 2018, do të marrin pjesë rreth 70 notarë, pjesë e Akademisë së Notit “Te Stela”
7 herë
Veprimtaria “Notojmë dhe festojmë” që do të zhvillohet ditën e shtunë datë 14 prill 2018, është e 7-ta që Akademia e Notit “Te Stela” e organizon
Sigal