Sadik Mema: “Notojmë dhe festojmë”, veprimtari për të stimuluar notarët

599
Nga Agron KAJA
Si ju lindi ideja që të organizoni një veprimtari të tillë, e pikërisht në stinën e dimrit?
Kjo veprimtari që ne e kemi quajtur “Notojmë dhe festojmë”, e ka zanafillën që në vitin 2012, me krijimin e Akademisë së Notit “Te Stela”. Me këtë aktivitet ne mbyllim të gjitha veprimtaritë e e akademisë sonë, dhe për të gjithë notarët që ushtrohen këtu gjatë gjithë vitit, ndahen stimuj e medalje për çdo bateri. 

Po për ata që kanë thyer rekorde, ose mund t’i thyejnë gjatë këtyre garave, çfarë stimuj apo shpërblime jepni ju si akademi?
Natyrisht që për rekordmenët ka edhe më shumë se sa stimujt, sepse për ata shpërndahen edhe dhurata, duke qenë se jemi edhe në prag të festës së Vitit të Ri. Kjo bëhet më shumë për të nxitur notarët e tjerë që të arrijnë nivelet e rekordmenëve.

Duke qenë veprimtari që e organizoni ju si akademi, keni gjetur mbështetjen e Drejtorisë Arsimore apo të Federatës Shqiptare të Notit?
Kjo është veprimtari e brendshme e akademisë sonë, ndërkohë që nga Federata Shqiptare e Notit mbështetja asnjëherë nuk na ka munguar edhe në këtë veprimtari. Të gjithë gjyqtarët e garave, janë përfaqësues të FSHN-së, dhe kjo nuk është pak për ne.

Cila është pjesëmarrja që ju keni në këtë veprimtari?
Ne presim që të jenë 80-90 notarë, meshkuj e femra, të gjithë janë “produkt” i Akademisë së Notit “Te Stela”. Ata janë më të avancuar për të zhvilluar gara noti në pishinën dimërore, ndaj dhe ne i presim si pjesë e progresit të tyre në këtë sport.

E keni një synim për këtë aktivitet, të cilin ju e keni bërë tashmë “pronën” tuaj?
Synimi kryesor është evidentimi i fëmijëve që punojnë, por që nuk e gjejnë veten në të tjera veprimtari që organizohen këtu në Akademinë tonë, por edhe në evente të tjera kombëtare. Njëherësh, duke i stimuluar, u japim atyre më shumë kurajë për vazhdimësinë.

Jemi në muajin e fundit të vitit 2017, keni ndonjë veprimtari tjetër përmbyllëse?
Në fundin e këtij muaji, ne organizojmë Kupën “Perspektiva”. Pikërisht në datat 23 dhe 24 dhjetor, këtu do të marrin pjesë notarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Në pritshmëritë tona, do të jenë rreth 200 notarë, meshkuj dhe femra.

Çfarë efekte prisni nga kjo veprimtari “Notojmë dhe festojmë”?
Pres rezultate më të mira se në Kupën “Pavarësia”. Ideja është që ne si Akademi e Notit “Te Stela”, të renditemi në vendet e para me të gjitha grupmoshat. Shpresoj e besoj që në këto gara të kemi edhe ndonjë rekord të ri, por nuk po ja u deklaroj emrin e notarit.

Në tërësi gjatë vitit 2017, si i ka realizuar synimet Akademia e Notit “Te Stela”?
Në fakt, një bilanc të tilla do të ishte mirë ta bëja pas Kupës “Perspektiva”. Gjithsesi, deri më tani, në të gjitha aktivitetet e vitit 2017, Akademia e Notit “Te Stela” ka fituar 17 Kupa në veprimtaritë kombëtare dhe në evente të tjera jo zyrtare.
Synimi kryesor është evidentimi i fëmijëve që punojnë, por që nuk e gjejnë veten në të tjera veprimtari që organizohen këtu në Akademinë tonë, por edhe në evente të tjera kombëtare.
Sigal