Sadik Mema: “Noti nderon kampionët”, veprimtari që sjell historinë në pishinë

524
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Të shtunën më 3 shkurt, në Resortin “Te Stela” starton veprimtaria e parë e vitit 2018, flet organizatori 
Të shtunën e 3 shkurtit 2018, pishina 25 m në Resortin “Te Stela” do të presë veprimtarinë e parë të sportit të notit në Shqipëri. Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit në Shqipëri, e organizon për herë të parë këtë format të ri, duke e quajtur “Noti nderon kampionët”. Janë 25 emra notarësh e trajnerësh ndër vite që nuk jetojnë, të cilët do të përkujtohen me këtë veprimtari, në të cilën do të garojnë shumë notarë veteranë. Një pjesë e gjyqtarisë së kësaj veprimtarie do të përbëhet nga notarë kampionë e rekordmenë aktualë, një tjetër risi kjo që sillet në faqet e gazetës “Telegraf” nga Kryetrajneri i AN “Te Stela”, Sadik Mema, njëherësh edhe njëri nga drejtuesit e Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri.
Në këtë fillimviti, si kanë vazhduar përgatitjet në pishinën e AN “Te Stela”?
Në fakt, në Resortin “Te Stela”, ka rreth 7 vite që veprimtaritë e notit zhvillohen gjatë gjithë vitit. Pishinat komode që janë në funksion të plotë nga 1 janari e deri më 31 dhjetor, tashmë e mundësojnë këtë përgatitje, që nga ana jonë nuk ka munguar edhe gjatë muajit janar 2018.
Edhe pse po mbyllim muajin e parë të vitit 2018, si ka qenë për ju viti 2017 në veprimtari e rezultate?
Për të gjithë notarët e AN “Te Stela”, viti 2017 ishte shumë i mirë, sepse rezultatet e notarëve tanë kanë qenë në rritje dhe shumë premtuese. Ne zumë vendet e para me të gjitha grupmoshat në dy veprimtari në pishinë 25m dhe 50m, ndërsa në Kampionatin Kombëtar për të Rritur e të Reja, femrat zunë vendet e para, të rinjtë vendin e dytë.
Sa trofe fitoi AN “Te Stela” gjatë vitit 2017?
Të gjithë trofetë që janë fituar nga notarët tanë gjatë vitit 2017, kanë qenë të rëndësishëm. Kemi fituar Kupën e Shqipërisë për meshkuj e femra, Kupën “Pavarsia” dhe Kupën Perspektiva, trofe shumë motivues për vazhdimësinë progresive të notarëve tanë.
Nisur nga kujtesa profesionale, mund ta quaj për ju si vitin e rekordeve 2017-ën?
Nuk do ishit gabim, sepse gjatë vitit 2017 nga notarët e AN “Te Stela” u përmirësuan 95 rekorde kombëtare për të gjitha kategoritë. Sot, AN “Te Stela” mban 100 rekorde Kombëtare në pishinë 25m dhe 72 Rekorde Kombëtare në pishinë 50m.
Çfarë platforme ndryshe keni për vitin 2018?
Platforma jonë është vazhdimësia e thyerjes së rekordeve kombëtare dhe fitimi i trofeve në të gjitha veprimtaritë e vitit 2018. Këtë besojmë se do t’ia arrijmë, e kemi mundësinë të vazhdojmë me këto suksese, sikundër edhe gjatë vitit të kaluar.
Cili do të jetë numri i notarëve që AN “Te Stela” do të aktivizojë në veprimtaritë e këtij viti?
Në veprimtaritë e vitit 2018, në të gjitha kategoritë dhe grupmoshat, nga AN “Te Stela” do të futen në gara rreth 60 notarë, meshkuj e femra, me të cilët jemi duke u përgatitur për pjesëmarrje të plotë e cilësore.
Cila është veprimtaria e radhës në notin shqiptar?
Në fakt, është një veprimtari me një format të ri, ndryshe nga sa janë organizuar deri më sot. Në pishinat 25m të Resortit “Te Stela”, në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri, në datën 3 shkurt do të organizohet veprimtaria “Noti nderon kampionët”.
Me çfarë ideje bëhet ky organizim?
Kjo veprimtari i referohet historisë së notit në vendin tonë. Është menduar që të nderohen 25 ish-notarë e ish-trajnerë të notit, të cilët kanë arritur rezultate të larta ndër vite, por që sot nuk jetojnë. Më shumë, kjo është një veprimtari homazh për brezat e notarëve sot.
Në 10 vitet e fundit, AN “Te Stela” ka përkujtuar shumë emra të spikatur në notin shqiptar. Është nisur me Kupën “Jani Hondro”, e ka vazhduar me Kupën “Hysni Bregu”, me Kupën “Arben Jorgoni” dhe Kupën “Petrit Caslli”. Ndërsa veprimtaria “Noti nderon kampionët” e zgjeron më shumë gamën e përkujtimit të vlerave të këtyre emrave
25 emra
Në veprimtarinë “Noti nderon kampionët”, do të nderohen 25 emra notarësh e trajnerësh që nuk jetojnë
1 veprimtari
Veprimtaria “Noti nderon kampionët”, organizohet për herë të parë nga AN “Te Stela” me këtë format
Sigal