Sadik Mema: Notarët po japin më të mirën e tyre në këtë event

589
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Nga Budapesti ku drejton notarët shqiptarë në Kampionatin Botëror, flet për “Telegraf” trajneri i notit shqiptar
Si është gjendja e notarëve shqiptarë në Kampionatin Botëror të Budapestit?
Deri tani, kur janë zhvilluar pesë ditë gara, mendoj se katër notarët që garojnë në këtë event të madh të notit botëror, në përgjithësi kanë treguar gjendje të mirë. Të gjithë sa kanë garuar, kanë dhënë më të mirën e tyre, dhe gjithçka e arritur është tregues që shkon drejt progresit.

Kalendari ka pasur shpërndarje të garave për notarët tanë, si i kanë përballuar ata në disiplinat ku kanë marrë pjesë?
Ne jemi këtu në Budapest me katër notarë: 2 femra dhe 2 meshkuj, të cilat nuk kanë pasur data të njëjta për garat që kanë bërë e do të zhvillojnë. Kalendarin e kemi njohur që më parë, dhe nga ana psikologjike, të gjithë kanë qenë të qartë për këtë shpërndarje të tyre nga gara në garë. Por, kjo nuk ka ndonjë ndikim për rezultatet e arritura, pasi ka kohë të mjaftueshme para çdo gare për ta përgatitur sa më mirë atë.

Të katër notarët tanë kanë zhvilluar gara, si ka qenë paraqitja e tyre?
Natyrisht që duhet veçuar Klavio Meça, i cili në garën e 400 m stil i lirë për meshkuj, arriti kohën 4.04.03, duke thyer njëherësh edhe Rekordin tonë Kombëtar në këtë garë. Edhe në garën e 200 m stil i lirë ai arriti kohën e tij më të mirë, ndërkohë që Franc Aleksi në garën e 800 m stil i lirë për meshkuj, arriti kohën 8.27.33, vetëm 1.5 sek larg Rekordit Kombëtar, dhe arriti të grumbullojë 673 pikë.

Po vajzat, çfarë rezultate kanë arritur në garat që kanë zhvilluar?
Nga vajzat, Diana Basho bëri garën e parë ditën e martë, dhe në 200 m stil i lirë arriti kohën 2.22.86, që është rezultati i saj që ka arritur në garat e fundit në Shqipëri. Ndërsa Nikol Merizaj garoi sot (dje, 27 korrik), në garën e 100 m stil i lirë arriti kohën 1.00.03, një kohë shumë e mirë që është vetëm 2/10 larg rekordit tonë kombëtar.

Në dy ditët e fundit të garave të notarëve tanë, çfarë rezultate prisni?
Ne këtu në këtë Kampionat Botëror jemi me ftesa, dhe që notarët tanë të përmirësojnë kohët e tyre më të mira, apo edhe të thyejnë rekordet kombëtare, është sukses. Këtë do të dëshiroja edhe në këto tre gara të mbetura, ku në përgjithësi, më duhet ta përsëris se notarët tanë kanë treguar gjendje të mira.

Si ndjeheni ju në këtë Kampionat Botëror, në të cilin garojnë notarë të mëdhenj?
Ky është një event shumë i madh, por për nga organizimi e trajtimi, nuk ka diferenca. Kjo është e veçanta, sepse bota e notit vetëm në pishinë bën diferencën. Për ne ka rëndësi që të gjithë notarët kanë qenë të preokupuar dhe seriozë në përgatitje dhe në gara.

Kur i mbyllni garat në këtë Kampionat Botëror?
Nesër (sot) do të garojë Diana Basho në 50 m delfin, ndërsa të shtunën, Nikol Merizaj garon në 50 m stil i lirë, dhe Franc Aleksi në 1500 m stil i lirë. Pas këtyre garave që mbyllen më 29 korrik, në datën 30 korrik ne kthehemi në Tiranë.

Përfundimisht, mendoni se synimet e notarëve tanë janë arritur në këto gara të këtij Botërori?
Ne mendojmë se synimet janë të arritura, me dhe pa rekorde kombëtare. Të katër notarët po tregojnë seriozitet dhe nivel të kënaqshëm në gara, që për mua ky është një moment shumë i rëndësishëm. 

Këtë stinë e keni të ngarkuar, çfarë veprimtarish keni pasi të ktheheni nga Botërori i Hungarisë?
Kalendari është i ngjeshur, sepse kjo është stina e notit. Në Shqipëri, në fundin e muajit gusht do të zhvillohen garat e Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që, po në fundin e muajit gusht, do të zhvillohen edhe garat e Kampionatit Botëror për të Rinj në Indianapolis të Amerikës. Nga FSHN-ja janë marrë të gjitha masat për organizimin, zhvillimin e pjesëmarrjen me sukses të to. 
Ky është një event shumë i madh, por për nga organizimi e trajtimi, nuk ka diferenca. Kjo është e veçanta, sepse bota e notit vetëm në pishinë bën diferencën. Për ne ka rëndësi që të gjithë notarët kanë qenë të preokupuar dhe seriozë në përgatitje dhe në gara
Notarët shqiptarë në Botëror 
Garat e zhvilluara
Data Notari Gara Kohët 
23.07.2017 Klavio Meça 400 m lirë 4.04.03 
Tabela e rezultateve të kohës të Rekordit Kombëtar
24.07.2017 Klavio Meça 200 m lirë 1.59.60 
25.07.2017 Franc Aleksi 800 m lirë 8.27.33
25.07.2017 Diana Basho 200 m lirë 2.22.86
27.07.2017 Nikol Merizaj 100 m lirë 1.00.03
Koha është 2/10 larg Rekordit Kombëtar
Garat që do të zhvillohen
28.07.2017 Diana Basho 50 m delfin – 
29.07.2017 Nikol Merizaj 50 m lirë – 
29.07.2017 Franc Aleksi 1500 m lirë – 
Trajner: Sadik Mema

Kalendari deri në përfundim të vitit 2017 
AKTIVITETE KOMBËTARE 
1. Kupa e Shqipërisë, më 30-31 gusht 2017
2. Maratona Mbarëkombëtare, më 9-10 Shtator 2017
AKTIVITETE NDËRKOMBËTARE
1. Kampionati Botëror i Veteranëve në Budapest, Hungari, më 14-20 gusht 2017
2. Kampionati 6-të Botëror të Rinj, në Indianapolis, USA, më 23-28 gusht 2017
3. Kampionati Europian i Notit (pishinë 25 m), më 13-17 dhjetor 2017, në Danimarkë. 
200 gara
Në më shumë se 200 gara, duke përfshirë notin e sinkronizuar dhe zhytjen, këto janë disiplinat në Botërorin e Hungarisë
2500 notarë
Rreth 2500 notarë nga gjithë Bota, garojnë në Kampionatin Botëror të Notit që po zhvillohet në Budapest të Hungarisë
Sigal