Sadik Mema: Akademia e Notit “Te Stela”, promovuese e Kupës Pavarësia, Federata mbështetëse serioze

865
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” kryetrajneri i ekipeve të “shtëpisë së notit”, në veprimtarinë e sotme notarë edhe nga Kosova e Maqedonia
Keni më tepër se dy muaj pa aktivitet zyrtar në Shqipëri, si e keni plotësuar këtë periudhë?
Në fakt, veç përgatitjeve që janë periodike, në datën 30 shtator, ekipet “Te Stela” morën pjesë në një Miting Ndërkombëtar në Kosovë, me organizimin e Klubit të Notit “Step” në Prishtinë. Ishin rreth 30 ekipe noti nga Ballkani e më gjerë, ndërsa “Te Stela” zuri vendin e tretë.

Cilët ishin fituesit e ekipit tuaj në këtë Miting Ndërkombëtar?
Disa nga notarët tanë u shpallën si më të mirët e aktivitetit, ndërsa notari 11 vjeçar Endi Kola, zuri pesë vende të para për grupmoshën deri 12 vjeç dhe u shpall si më i miri i aktivitetit. Në treshen më të mirë të moshave fituan edhe Grejsi Koxhaku, Kaltra Meça dhe Hurbert Çurçia, të tre notarë të talentuar në ekipin “Te Stela”.

Si ka qenë stërvitshmëria e ekipeve tuaja në këtë stinë, ku dimri sapo ka trokitur?
Në këtë periudhë i jemi përkushtuar më shumë teknikës, stileve dhe ngarkesës pa intensitet, por gjendja fizike e notarëve ka ardhur në përmirësim gradual, në pritje të veprimtarive të radhës, duke filluar që nesër (sot) me Kupën Pavarësia.

Në kuadrin e kësaj veprimtarie (Kupa Pavarësia), jeni në përgatitjen optimale me ekipet tuaja?
Normalisht ne jemi në kapacitetet maksimale, pasi aktualisht jemi në fillimin e sezonit dimëror. Por, me përgatitjet tona, kemi pritshmëri të mëdha nga shumë fëmijë, të cilët duhet të përmirësojnë rezultatet e tyre.

Cili është historiku i kësaj kupe, që ju e keni quajtur “Pavarësia”?
Kupa Pavarësia është një aktivitet që e organizon Akademia e Notit “Te Stela”, e mbështetur nga Administratori i Resortit “Te Stela Sport Center”. Kjo është hera e gjashtë që do të zhvillohet, pikërisht në këto ambiente të këtij resorti komod për aktualitetin e notit shqiptar.

Si organizatorë, i keni marrë masat për zhvillimin e kësaj veprimtarie?
Ne si organizatorë jemi të detyruar të marrim të gjitha masat tona, të cilat kanë filluar muaj më parë. Duke qenë se këtu në Akademinë tonë kushtet janë të plota, puna së pari ka nisur me ftesat drejtuar ekipeve pjesëmarrëse. Këtë herë, veç ekipeve nga Shqipëria, do të marrin pjesë edhe tre ekipe nga Kosova dhe një nga Maqedonia.

Dhe, sa ekipe mendoni se do të garojnë sot në kuadrin e Kupës Pavarësia?
Ne presim të jenë 15 ekipe, ndërkohë që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Mendohet që të garojnë rreth 150 notarë nga grupmosha të ndryshme, ndërsa klasifikimi është vetëm për të rriturit, meshkuj e femra.

Po ju si Akademi, çfarë rezultatesh prisni nga notarët tuaj në Kupën Pavarësia?
Në fakt, ne e kemi bërë si traditë, pasi Kupën Pavarësia e kemi fituar gjithmonë. Pritshmëritë tona janë për disa notarë që do të spikasin, por emrat e përveçëm po ja le garës. Besojmë e shpresojmë se nuk do ta prishim traditën e fitoreve në këtë veprimtari.

Duke qenë një format që organizohet prej Akademisë suaj jashtë Kalendarit të FSHN-së, keni vështirësi?
Me kërkesën tonë, kjo veprimtari monitorohet nga FSHN-ja, dhe në këtë aspekt, vështirësitë tona kanë qenë minimale. Më duhet të falënderoj Presidentin e Federatës, Agim Çirakun, si edhe të gjithë ekipet që na janë përgjigjur me pjesëmarrjen e tyre në këtë veprimtari.

Konkretisht, cila është ndihma që ju jep FSHN-ja për këtë veprimtari?
Për ne, mjafton përkrahja që na jep FSHN-ja me gjyqtarët e licencuar, me stimulimin e notarëve, ndërkohë që ne shpërndajmë Kupa e Diploma, njëherësh edhe ofrojmë kushte hotelerie për të gjitha skuadrat në këtë Resort komod.

Viti kalendarik 2017, me cilën veprimtari do të mbyllet këtu në pishinën e Akademisë “Te Stela”?
Dy javë pas Kupës Pavarësia, në datën 9 dhjetor do të zhvillojmë aktivitetin lokal me grupmoshat deri në 14 vjeç, që e kemi quajtur “NOTOJMË DHE FESTOJMË”. Ne e kemi bërë traditë edhe këtë veprimtari, ku synojmë stimulimin e notarëve më të spikatur në garat e zhvilluara gjatë vitit.

Në mbyllje të vitit 2017, cila është për ju veprimtaria e fundit?
Në datat 23 dhe 24 dhjetor 2017, këtu në pishinën “Te Stela”, në bashkëpunim me FSHN-në, ne organizojmë Kupën “Perspektiva”. Ky është një aktivitet më i plotë, i cili do të zhvillohet në dy ditë me tre seanca, dhe notarët do të kenë mundësinë që të garojnë në shumë gara.
Me kërkesën tonë, kjo veprimtari monitorohet nga FSHN-ja, dhe në këtë aspekt, vështirësitë tona kanë qenë minimale. Më duhet të falënderoj Presidentin e Federatës, Agim Çirakun, si edhe të gjithë ekipet që na janë përgjigjur me pjesëmarrjen e tyre në këtë veprimtari
6 herë
Kjo është hera e gjashtë që Akademia e Notit “Te Stela” organizon Kupën Pavarësia, me pjesëmarrje edhe nga trevat e tjera shqipfolëse
EKIPET PJESËMARRËSE
1. AN Te Stela Tiranë 
2. Vllaznia Shkodër
3. Teuta Durrës
4. Uillson Tiranë
5. Ventus Durrës
6. Studenti Tiranë
7. SH.S.U Tiranë 
8. Tirana Tiranë
9. Vlora Not Vlorë
10. TDS Tiranë
11. Tradia A Tiranë
12. Kastrioti Ferizaj
13. Zenit Prishtinë
14. Liria Shkup
15. Klubi Notit Mitrovicë
Sigal