Sadik Mema: Akademia e Notit “Te Stela”, pjesë e progresit dhe e sukseseve

173
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i ekipeve të notit “Te Stela”, e mbylli sezonin me 21 kampionë kombëtarë dhe 80 vende të para në kampionatet kombëtare
Si u përgatit “Te Stela” për këtë sezon që e mbylli në fundin e muajit gusht?
Akademia e Notit “Te Stela”, është e i vetmi ambient në Shqipëri që funksionon në formën e shkollës së notit. Kemi një organizim shumë të rregullt, ku stërvitim fëmijë të grupmoshave 3-5 vjeç, 6-8 vjeç, 10-12 vjeç, dhe mbi këtë moshë Akademia funksionon me ekipet e të gjitha moshave. Me të gjitha këto, përgatitjet janë bërë shumë profesionale.

Ka pasur vështirësi në anën stërvitore, duke pasur parasysh infrastrukturën për të dyja stinët e vitit?
Për ne, bazë janë dy pishinat e mbyllura, të cilat janë të rregullta për stërvitje gjithëvjetore. Për ne, kjo është e mjaftueshme, por ndoshta në një të ardhme, në këtë Akademi Noti do të ketë infrastrukturë më moderne, pse jo edhe pishina me përmasa më të mëdha.

Cila ka qenë përbërja e “Te Stela” në ekipet e saj në të gjitha kategoritë dhe moshat?
Në Akademinë tonë të notit, veprimtaritë më të suksesshme janë ato të fëmijëve, ku si rezultat i mirë organizimit, marrin pjesë një numër i konsiderueshëm notarësh, meshkuj e femra. Jo të gjithë janë notarë, por në Kampionatin Kombëtar të Fëmijëve, ekipi “Te Stela” garoi me 66 notarë. Por, ne përfaqësohemi në çdo veprimtari kombëtare edhe me notarë të rinj e të rritur, meshkuj e femra.

Sa ju përgjigjen notarët dhe notaret në realizimin e programit stërvitor në të gjitha stinët?
Në aspektin serioz të përgatitjeve, këtu jemi pak mangët, sepse jo të gjithë notarët janë të rregull në proceset stërvitore, dhe kjo vjen për shkak të largësisë së pishinave, të angazhimeve të tyre. Frekuentimi është A-ja e notit.

Ky vit nisi me Kampionatin Kombëtar të Fëmijëve, dhe u mbyll me Kupën e Shqipërisë për të gjitha moshat, si ka ndryshuar “Te Stela” nga eventi në event?
Në mbi 70 notarë, ne kemi 1 të rritur dhe 5 të rinj, pjesa tjetër janë të moshës së fëmijëve deri në 14 vjeç. Këta fëmijë janë në progres, dhe 95% e aktiviteteve me ta, për Akademinë tonë janë të suksesshme. 

Në cilën veprimtari u paraqitën më mirë notarët e “Te Stela”, dhe cilët mendoni se kanë qenë faktorët e suksesit?
Në Kampionatin Kombëtar të Fëmijëve që u zhvillua në muajin mars, këtu në pishinën “Te Stela”, ne i fituam të dyja Kupat, për meshkuj e femra. Notarët tanë thyen 22 Rekorde Kombëtare, ndërkohë që 3 notarët tanë u shpallën më të mirët e aktivitetit. Por, këtu, 21 notarët tanë dolën kampionë në disa gara, pra kjo mbetet “bërthama” e sukseseve tona.

Cila është analiza juaj, sa i përket paraqitjes së “Te Stela”, por edhe të të gjitha ekipeve të tjera në përgjithësi.
Duke qenë se ne kemi një moshë shumë të re të ekipeve tona, gjithçka që kemi arritur, është sukses. Të analizosh një sezon, mendoj se duhet kohë e gjatë, por le të them se, për të gjitha moshat, pritshmëritë tona janë në rrugën e duhur.

Ku mendoni se duhet të përmirësohet më shumë puna në sezonin tjetër sportiv: Në organizim, infrastrukturë apo në garim?
Kur themi se ka progres, mendoj se në të gjithë këta tregues që ju përmendni, është e nevojshme që të përmirësohemi, dhe jo vetëm ne “Te Stela”. Përmirësimi i infrastrukturës, organizimi dhe garimi, natyrisht që së bashku me masivitetin do të sjellin më shumë cilësi në rezultate. Mendoj kështu, sepse në Shqipëri ka tre pishina në Tiranë dhe 1 në Durrës, dhe ekipe me traditë si Flamurtari, Vllaznia, Pogradeci, Lushnja, etj, të cilët e vuajnë stërvitjen vetëm në sezonin veror. Kjo është një mangësi që në vazhdimësi, pret ndryshim. 

Cilat janë synimet tuaja për sezonin tjetër?
Bazuar në moshën e notarëve që kemi në aktivitet dhe me punën që po bëjmë me ta, viti 2018 besoj se do të jetë më i mirë sa i përket rezultateve. Pretendimi im është që të fitojmë të gjitha veprimtaritë e sezonit të ardhshëm, këtë presim ta realizojmë në pishina.
92 Rekorde
Në pishinën 25 m, nga notarët dhe notaret e Akademisë së Notit “Te Stela”, janë arritur 92 Rekorde Kombëtare nga të gjitha grupmoshat
76 Rekorde
Në pishinën 50 m, nga notaret dhe notarët e Akademisë së Notit “Te Stela”, janë arritur 76 Rekorde Kombëtare nga të gjitha grupmoshat
KAMPIONËT DHE REKORDMENËT
Ekipet “Te Stela”, Sezoni 2017-2018

MESHKUJ
Er. Veli, M. Xhaferri, Xh. Diko, El. Veli, J. Fuga, G. Koxhaku, A. Ruçi, F. Vogli, A. Çaushi, D. Bardhi, E. Kola, H. Çurçia, K. Këlliçi, E. Hashorva, E. Lala, Z. Metalla 

FEMRA
A. Daja, S. Dande, S. Kapedani, T. Hashorva, K. Meça, A. Rama, E. Kola, J. Thomai, A. Dhimoshi, E. Metalla, E. Vasili, J. Mitre, K. Dande
PARTNERËT E SADIK MEMËS
“Në Akademinë e Notit “Te Stela”, janë të angazhuar edhe Mario Koxhaku e Jani Kongjini, të cilët janë bashkëpunëtorët më të afërt profesionalë në të gjitha arritjet e deri tanishme”.