Sa do ta ndryshojë vendimi i Etikës, Superligën dhe futbollin shqiptar?

480
Sigal

Sot mblidhet Komisioni i Etikës pranë FSHF për të zhvilluar seancën mbi takimet e javës së 19-të që dyshohen si të trukuara

Rastet e fundit të dyshuara për trukim të ndeshjeve në Superligën shqiptare, kanë vënë në alarm pothuaj çdo kënd, që nga FSHF, Prokuroria, analistët sportivë, tifozët e të tjerë. Sot është dita kur Komisioni i Etikës do të ri mblidhet përsëri për të marrë në pyetje dëshmitarët, që nga drejtuesit e klubeve, trajnerët e deri tek futbollistët, për të arritur në një përfundim më të qartë në lidhje me dyshimet e ngritura nga të gjithë sytë që panë ndeshjet, sidomos takimin Flamurtari-Teuta. Ky rast ishte aq i dukshëm, aq flagrant, aq i turpshëm sa nuk mund të kishte mungesë reagimi dhe si asnjëherë tjetër u pa që çështja kaloi edhe në dorë të Prokurorisë së Vlorës, e në deklaratat e disa ditëve më përpara, prokurori i çështjes tha se do të ketë edhe të arrestuar. Etika nga ana tjetër mblidhet sot, me shpresën se ka grumbulluar informacion të mjaftueshëm që të mos ngelë çdo gjë vetëm në fjalët e thëna nga palët e interesit. Çështja është se vendimi që do të merret, sa do e ndryshojë ecurinë e këtij kampionati. Në gjithë këtë katrahurë, janë tifozët ata që, pavarësisht cilin ekip mbështesin, kërkojnë me të madhe që të merren masa drastike për skuadrat, e kujtojmë që ishin pikërisht tifozët që filluan çdo gjë, që nga shkallët e stadiumit e deri në deklarata të ndryshme në çdo mjet komunikimi. Pra nisi nga shumica, por po sikur të kishin heshtur tifozët, a do të kishte heshtur edhe FSHF? Sikur të heshtë tani e tutje FSHF, duke mos marrë masa, a do të heshtin më tifozët? Në të tyren, çdo tifoz është i bindur që takimi Flamurtari-Teuta është i trukuar, e një vendim që nxjerr të pa “lagur” skuadrat do të irritonte tifozët, që do t’i thoshin “JO” pranisë së tyre në stadiume edhe më shumë se sa i kanë thënë. E edhe largimi i tyre nga stadiumet këto vitet e fundit, këtë shkak ka, ku skuadrat nuk bënin lojë të ndershme, masa nuk merreshin e tifozët pakoheshin. Por erdhi edhe dita kur lëvizja filloi nga “baza” dhe ishin pikërisht ata që mbushin stadiumin që u shprehën kundër trukimit, kundër teatrit në një fushë futbolli e këtë herë, zëri i tyre u dëgjua, të paktën deri në një farë pike. Pika tjetër do të jetë vendimi që do të merret, e në të dy rastet do të jetë thikë me dy presa pasi nëse të gjithë dalin të pastër, askush nuk do të besojë por edhe nëse do të dënohen, çfarë vendimesh do të merren? Si do të ndryshojë ecuria e Superligës? A do të rifitohet besueshmëria? Sot padyshim është një ditë vendimtare për futbollin shqiptar, sado që u luajtën takimet e tjera, sado që u duk se u harrua. E keqja është përsëri aty dhe duhet bërë më e mira që të hiqet qafe, qoftë edhe me vendime drastike, sepse vetëm kështu mund t’i thuhet “Jo”  dhe vetëm kështu do të ketë sa më pak veprime që shkatërrojnë sportin. Çfarë masash do merren? Varet nga “hetimi” dhe çdo gjë do të japë një dritë më të qartë sot, nëse do të shtyhet përsëri vendimi i Komisionit të Etikës pranë FSHF dhe deklaratat që do të merren. Mbi të gjitha, duhet që “turpi të mos hahet me bukë” dhe të mos zgjasë vetëm tre ditë dhe aq, por të shikohet me themel kjo ngjarje dhe ky fenomen-gangrenë që po shkatërron pak e nga pak sportin.

 Mbyllet marrëveshja, Vajushi kalon tek Kievo Verona

Më në fund është marrë vesh edhe destinacioni i Armando Vajushit, që aktivizohej tek Liteksi në Bullgari, ku drejtimi është në Itali për tek skuadra e Veronës. Kishte ditë që përflitej një afrim i shkodranit drejt skuadrës italiane, që aktualisht ndodhet në vendin e 19 në renditjen e përgjithshme në Serie A. Me kalimin e Vajushit bëhet edhe një futbollist më shumë që luan në kampionatin italian, duke e rritur edhe më shumë numrin e tyre, por pa dyshim duke rritur edhe cilësinë e futbollistëve të Kombëtares tonë që ia dalin të luajnë në kampionate shumë të forta në Europë.

 Shqipëria miqësore me Kosovën, qershori muaji i mundshëm

Sipas mediave kosovare, Federata Shqiptare e Futbollit ka rënë dakord me homologen kosovare për të luajtur një ndeshje miqësore, që do të jetë edhe e para e këtij lloji mes këtyre ekipeve. Nuk ka datë të saktë në lidhje me takimin, por mendohet që të luhet nga muaji qershor, kur Kombëtaret të jenë të gatshme bashkë me futbollistët. Kombëtarja e Kosovës, akoma nuk është njohur nga UEFA apo FIFA, por e ka lejen që të zhvillojë ndeshje miqësore, duke e marrë edhe këtë si një arritje të madhe për njohjen që do të vijë në vazhdim. Ky takim, që ka shumë gjasa të zhvillohet, do të jetë i një emocioni të veçantë për të gjithë, si për futbollistët ashtu edhe për tifozët, që do të kenë dyshimet e tyre se kë duhet të mbështesin.

 Dita e fundit e merkatos, jo më federime të futbollistëve të huaj

FSHF ka shtyrë edhe një ditë më shumë merkaton e janarit, ku mbyllja duhej të ishte me datë 31, por që FSHF do të pranojë edhe sot kërkesa për ferderimin e futbollistëve, që duhet të jenë futbollistë vendas, pra duke mos lejuar më blerje të futbollistëve të huaj. Në këtë ditë të fundit, përparësi i jepet tregut vendas, duke shtyrë skuadrat të përmbushin qëllimet e tyre të fundit, nëse kanë dëshirë të afrojnë në skuadër ndonjë futbollist tjetër.

 Migjen Basha drejt kalimit në Serie B

Migjen Basha, futbollisti i Kombëtares Shqiptare që aktualisht luan për skuadrën e Torinos në Serie A, pritet që të largohet nga ky ekip për t’u drejtuar drejt Modenës që militon në ligën B të kampionatit italian. Dëmtimet e shumta që kanë përfshirë futbollistin bënë që mos të ketë asnjëherë suksese në skuadër, pavarësisht talentit të padiskutueshëm të tij. Hapësirat e pakta që ka tek ekipi i Torinos e bëjnë edhe më të vërtetë këtë lajm, duke

 Djokovic “mbreti” i tenisit, fiton edhe në Australian Open

Dje u luajt finalja e Australian Open, turneut të parë Grand Slam për vitin 2015, mes Novak Djokovic dhe Andi Murray, ku pas një takimi prej 3 orësh e gjysmë, fitues u shpall serbi me rezultatin final 3:1 me sete. Në setin e fundit, setin e katërt, Djokovic e shkatërroi 6-0 skocezin, duke u shpallur kështu për herë të pestë fitues i këtij titulli, ndërkohë Murray duhet të provojë përsëri ta fitojë këtë turne, pasi edhe pse ishte finalja e katërt që luante, përsëri nuk ia doli të triumfonte. Djokovic ndodhet përsëri në vendin e parë të renditjes së përgjithshme për meshkuj, ku aktualisht, falë formës së tij, është i pathyeshëm për kundërshtarët.

 Formula 1/ Testimet në Jerez, lëshohen “bishat” e garimit

Dje nisi faza e testimeve të janarit për makinat e Formula 1, ku të gjitha skuderitë u prezantuan me një nga pilotët, për të testuar makinën e tyre në një garë të simuluar. Sytë dje sigurisht ishin tek lëvizjet e reja, ku Vettel ishte ai që binte më shumë në sy me Ferrarin e tij, që në fund të testimeve pati kohën më të mirë nga të gjithë pilotët.

Kryeministri serb Vuçiç merret përsëri me ndeshjen Serbi-Shqipëri

 Vazhdon të flitet akoma për atë ndeshje të 14 tetorit 2014, ku Shqipëria luante ndaj Serbisë në takimin për kualifikuese të Euro 2016. Siç dihet nga të gjithë, takimi nuk shkoi siç u parashikua duke u bërë shkak për këtë sjellja shumë agresive e tifozerisë vendase, para fillimit të ndeshjes, në fillim dhe deri në ndërprerje. Shkak për serbët është fluturakja që tregonte flamurin e Shqipërisë Etnike me dy figura të shquara si Ismail Qemali dhe Isa Boletini. Vetëm dje, në një intervistë të dhënë për një gazetë austriake, vetë kryeministri i Serbisë, Vuçiç, dha një deklaratë mbi atë ngjarje dhe çfarë pasoi më vonë.

Para disa muajve, mbi Beograd u shfaq një fluturake me flamurin e Shqipërisë së Madhe, gjatë ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo solli edhe trazira. A keni më shumë të dhëna për këtë? Kush e ka drejtuar fluturaken?
Po, kemi emra, emra shqiptarësh. Këta njerëz erdhën nga Italia dhe kanë marrë një dhomë pranë stadiumit. Ishte e organizuar dhe e përgatitur shumë mirë. Por ne e kemi zgjidhur këtë çështje. Unë e kam takuar dy herë kryeministrin shqiptar që atëherë dhe kemi nënshkruar marrëveshje të rëndësishme. Thjesht duhet të imagjinoni këtë: Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç shkojnë së bashku në Bruksel dhe kërkojnë mbështetje për projekte të përbashkëta! Kjo do të ndodhë sivjet.