Rusi 2018/ Botërori i drogës, tifozëve do t’u lejohet të konsumojnë hashash, kokainë dhe heroinë

736
Më 14 qershor, pak më shumë se 3 muaj nga sot, në Rusi do të mbahet evenimenti më i madh i futbollit, Botërori. Ashtu si para çdo evenimenti të tillë të mëparshëm ka shumë pikëpyetje të cilat më së shumti lidhen me elementet e sigurisë.
Por kur bëhet fjalë për Rusinë alarmi për sigurinë rritet akoma edhe me shumë, duke u nisur nga paralajmërimet e huliganëve të cilët pritet të shkaktojnë trazira.
Ajo që është më e pabesueshme raportohet nga mediat ruse te cilat njoftojnë se disa tifozë e kanë të lejueshme të përdorin disa lloje drogash. Sipas “The Moscow Times” një hapësirë në legjislacionin e Unionit Ekonomik Euroaziatik i lejon tifozët që do të vijnë në Rusi të marrin me vete substanca si marijuana, kokaina e deri te heroina.
Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, Unioni Ekonomik Euroaziatik, i përbërë nga Bjellorusia, Kazakistani dhe Rusia do të lejojnë hyrjen e këtyre substancave vetëm nëse janë të shoqëruara me një recetë mjekësore në gjuhën ruse, ku, përveç emrit të pacientit, duhet të shkruhet edhe sasia e lejuar e lëndës narkotike.
Nëpërmjet një komunikate për shtyp, Komiteti Organizativ i Botërorit të Rusisë theksoi për këtë të përditshme se ky organizëm do të vëzhgojë me vëmendje tifozët dhe do të udhëzojë agjentët e policisë që të verifikojnë autenticitetin e recetave të mundshme që do t’u bashkangjiten biletave të stadiumeve.
Sigal