Rudi Vata: “Në Shqipëri ndeshjet mund të manipulohen”

497
Sigal

Ish-kapiteni i Kombëtares: “UEFA dyshon dhe do të vazhdojë të dyshojë, pasi i tillë është futbolli ynë”

Rudi Vata kërkon të jetë gjithmonë i drejtpërdrejtë. “Është më mirë ta thuash të vërteten. Ndihesh më mirë me të”, – tha ish-kapiteni i Kombëtares për gazetën “Telegraf”. I rritur në Shkodër, por i formuar si futbollist anekënd botës, madje deri në Japoninë e largët, Vata dëshiron të vendosë pikat mbi “i”-në e futbollit shqiptar. Dhe prek dhe temën më të nxehtë. Trukimet, apo dyshimet mbi rezultatet e fiksuara. Kur ai drejtoi Vllazninë gjerat i tha shumë hapur, sidomos në lidhje me gjykimin dhe problematikën e futbollit tonë. Si në këtë intervistë për gazetën tonë.

– Zoti Vata, në Shqipëri, vazhdimisht përflitet për trukime ndeshjesh, madje UEFA zyrtarisht ka shprehur dyshim për ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu, të fituar 3-1 nga korçarët në Shkodër. A ka mundësi të fiksohen rezultatet?

Në Shqipëri mund të ndodhë çdo gjë, dhe pa ndonjë sforco të madhe. Në vendin tonë, çdo gjë mund të blihet dhe mund të shitet, pasi i tillë është sistemi shqiptar, e padyshim i tillë do të jetë dhe futbolli shqiptar. E përmenda dhe më lart, kur të kemi një shtet të fortë, do të kemi dhe një Kombëtare të fortë dhe një shoqëri me moral të pastër. UEFA ka dyshuar, dyshon dhe do të vazhdojë të dëshojë, pasi i tillë është futbolli ynë. Jam i sigurt që, gjithmonë do të ketë pakënaqësi për arbitrat, do të ketë gjithmonë gabime të qëllimshme të tyre, dhe përderisa ata nuk dënohen kur rastet janë flagrante dhe nuk bëhen shembuj, siç duhen bërë, atëherë futbolli shqiptar do të vazhdojë të vajtojë.

– Kampionati është në fillimin e tij, teksa janë luajtur deri tani pesë javë. Cili është mendimi juaj për paraqitjet e deritanishme të skuadrave?

 – Mendoj se fillimi i këtij kampionatit deri në këto momente ka dëshmuar se nuk ka pasur ndonjë skuadër, që ka treguar vlera absolute për të qenë pretendenti kryesor për titull. Skuadrat që kanë pretendime për t’u bërë kampion të Shqipërisë kanë treguar jo stabilitet në loje dhe në rezultate.

– Gjithsesi, nuk mund të mos themi se janë profilizuar edhe ekipet që do të luftojnë për titullin, ku spikasin Skënderbeu, Tirana dhe Vllaznia…

– Nuk shikoj ndonjë skuadër të profilizuar apo të favorizuar në këto javë të para të kampionatit, por mendoj se Tirana, Skënderbeu dhe Flamurtari me kontingjentin e lojtarëve që kanë do të jenë ato që do luftojnë deri ne fund për rrugën e titullit kampion. Vllazninë nuk e shikoj si pretendentë për titull por ka kontingjentin e mjaftueshëm të lojtareve për të arritur në zonën e Europës.

– Debutuesit e Kukësit janë ende të pathyer në pesë javët e para. Si do ta konsideronit?

– Sigurisht, që Kukësi është një skuadër e re dhe nuk ka shumë eksperience me Superioren shqiptare, por kanë ofruar në skuadër lojtare cilësorë që kanë vite që luajnë ne Superligë, dhe që dinë të bëjnë gjëra të mira, duke shtuar dhe presidencën e cila ka ndërtuar një infrastrukturë shumë të mirë për një qytet si Kukësi  dhe ka një buxhet që do të garantojë vazhdimësi. Nuk është suprizë paraqitja e mirë e Kukësit deri në këto javë.

– Flamurtari, edhe pse ka investuar shuma të mëdha në merkato, ka zhgënjyer deri tani. Cilat mendoni se janë shkaqet?

– Mendoj që, shkaku kryesor është ndërrimi i trajnerit. Për një klub pretedent nuk është shumë profesionale ndërrimi i trajnerit në fillim te kampionatit. Kjo sjell destabilitet në skuadër dhe prishet në një farë mënyre harmonia. Gjithsesi, mendoj se Flamurtari ka një kontingjent shumë të mirë lojtarësh dhe mendoj që Rubio do të dijë ta ktheje situatën jo shumë të favorshme në këto momente në favorin e vet në javët që do të pasojnë. Por, një ndër gabimet më të mëdha të Flamurtarit ka qenë largimi i Pejiçit, i cili ka një profil shumë të mirë në kampionatin shqiptar me golat që ka shënuar me skuadrat që ka luajtur. Të zëvendësosh një pikë referimi të tille me një lojtar tjetër është shumë e vështirë për skuadrat shqiptare.

– Trajnerët edhe këtë sezon kanë qenë në shënjestër, pra i kanë detyruar ose të japin dorëheqjen apo  i kanë shkarkuar, pse ndodh kaq shpesh ky fenomen tek ne?

– Ndërrimi i trajnerëve është histori e vjetër e futbollit shqiptare, është thjesht çështje e kulturës jo profesionale, që ka ekzistuar, ekziston e do të ekzistojë në futbollin jo profesionist shqiptar.

– Vata, le të kthehemi tek ekipi përfaqësues. Kombëtarja fitoi me Qipron (3-1), por humbi me Zvicrën (2-0). Si e parashikoni ndeshjet me Islandën dhe Slloveninë, nisur dhe nga fakti që ke qenë kapiteni i Kombëtares (54ndeshje, 5 gola)?

– Në ndeshjen me Qipron, mendoj se arritëm një rezultat pozitiv me një kundërshtar direkt, ishte një fitore që na gëzoi të gjithëve, kurse me Zvicrën mendoj se, harxhuam shumë energji duke u marrë me lojtaret me kombësi shqiptare që luajnë me Zvicrën duke gjykuar vendimet e tyre apo ndonjë deklaratë të tyre gjithë ajo atmosfere që u krijua në pragndeshjen me Zvicrën nuk mendoj se i shërbeu pozitivisht atmosferës në kampin kuq e zi. Skuadra luajti me frikë dhe me inferioritet dhe humbja ishte e merituar. Gjithsesi mendoj se, ndeshjen me Islandën dhe me Slloveninë janë gjithashtu kundërshtarë direkt dhe uroj e shpresoj që skuadra mos të luaje nën presionin e marrjes së rezultateve, sepse kjo do të ndikojnë negativisht në vazhdimësinë e punës të trajnerit De Biazi.

– Sipas jush, sa shpejt do të japë fryte prurja e lojtarëve të rinj në Kombëtare?

– Trajneri i ri ka ofruar në gjirin e Kombëtares disa lojtarëve të rinj, të cilët kanë nevoje të adaptohen dhe kanë nevojë të fitojnë eksperiencën e duhur për të mbajtur mbi supe peshën dhe përgjegjësinë e fanellës së Kombëtares. Mendoj qe, këto lojtarë kanë potencial të vazhdueshëm, por duhet dhënë kohë për të marrë frytet e punës së tyre, e rëndësishme është që në këto eliminatore të ndërtohet boshti i ri i skuadrës të krijojë një grup me karakter të mire profesional, cili do të na shërbejë e do të jetë i gatshëm dhe me i fortë në eliminatoret e ardhshme të Europianit.

– Cilat janë anët e forta dhe të dobëta të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?

– Anët e forta janë se, kemi një tifozeri që është zemra e Kombëtares,e cila fatmirësisht e ka mbështetur ekipin në ditë të mira edhe në ditë të këqija. Anët e këqija është se Shqipëria tradicionalisht dhe historikisht nuk ka pasur vazhdimësi dhe ecuri rezultatesh pozitive në ndeshje zyrtare. Jemi një komb i vogël me një skuadër të vogël që, duhet të rritemi gradualisht dhe jo menjëherë siç mund te kemi pretendime. Dhe kjo mund të arrihet një ditë kur të kemi dhe një shtet të fortë, i cili do te dijë të bëjë reforma në sport në përgjithësi dhe sigurisht futboll në veçanti, i cili është sporti me popullor, që e ka bërë dhe e bën popullin shqiptar për t’u ndjerë krenar.