Rudi Vata: “Kampionati, i trukuar”

547
Sigal

Ish-trajneri i Vllaznisë lëshoi akuza të ashpra: “Prodhohen shumë pak kualitete dhe shumë skandale”

 Ish-kapiteni i Kombëtares dhe ish-trajneri i Vllaznisë lëshoi akuza të ashpra në lidhje me cilësinë e kampionatit shqiptare, duke e konsideruar atë si tepër të dobët dhe të trukuar. “Prodhohen shumë pak kualitete dhe shumë skandale”, – tha Vata. Në lidhje më cilësinë e kampionatit, Vata argumentoi: “Përderisa kampionati shqiptar nuk prodhon futbollistë, është i dobët”. Ish-kapiteni i Kombëtares, tashmë një menaxher i suksesshëm i FIFA-s, tha se, ishte i gatshëm të investonte në ndonjë klub në kampionatin shqiptar. “Tirana është klubi më i madh që ka Shqipëria. Tirana ka nevojë të administrohet si biznes, jo si klub futbolli. Me njerëz seriozë dhe me projekte serioze, unë jam i gatshëm të investoj te ky klub”.

KAMPIONAT PA KONKURRENCË

Skënderbeut i duhet edhe një pikë për të fituar titullin kampion, ndërkohë që rivalët e tij më të afërt janë pas 12 apo 13 pikë, kur duhen edhe katër javë nga përfundimi i sezonit. Vata tha: “Që të jem i sinqertë unë e shoh të dobët. Më pëlqen ta shoh mirë, por realisht është i dobët. Është një kampionat që faktikisht u dominua nga fillimi deri në fund nga Skënderbeu. Dihej që në fillim të sezonit që Skënderbeu kishte potencialin më të mirë të futbollistëve. Kishte 3 vite që investonte, ndonëse në sezonin e parë fitoi një kampionat që ishte disi i çuditshëm, të dytin deri diku me meritë, ndërsa këtë herë jo më tepër për meritë të vet, por të dobësisë së skuadrave elitare të Superligës siç janë Tirana, Vllaznia, qoftë dhe Flamurtari, i cili pretendohej të bënte një sezon shumë më të mirë. Gjithsesi Skënderbeu meriton respekt, meriton urimet, por duhet thënë se kampionati shqiptar është i dobët, ku nga ndeshja në ndeshje tregon shumë probleme”.

MË DOBËT SE MALI I ZI

Kampionati shqiptar nuk e ka potencën e vendeve fqinje, ku spikat Mali i Zi. “Përderisa kampionati shqiptar nuk prodhon futbollistë, është i dobët. Kampionati i Malit të Zi mund të jetë më i dobët, por nga sezoni në sezon po shohim futbollistë që shiten në skuadra si Torino, Fiorentina apo klube të tjera, qoftë edhe në Rusi, madje me shuma të mëdha. Në kampionatin shqiptar prodhohen shumë pak kualitete dhe shumë skandale. Po të flasim me fakte, Mali i Zi është kryesues i grupit ku bën pjesë dhe Anglia, ndërsa ne nuk kemi asnjë lojtar nga kampionati shqiptar që mund ta promovojmë në ekipin kombëtar. Po të shohim kombëtaren sot, thelbi i saj përbëhet nga lojtarë kosovarë dhe sigurisht është meritë e tyre që Shqipëria ndodhet në këtë pozicion”, – tha ish-kapiteni i Kombëtares.

CIRK ME NDESHJET

Në lidhje me trukimet e disa ndeshjeve, për të cilat është shqetësuar edhe UEFA dhe FIFA, Vata tha: “Tani përdoret fjala lëshim, por mund të quhet dhe cirk, por unë e quaj skandal. Një ndeshje futbolli duhet të jetë fair-play dhe të mbarojë sipas meritave të atyre që ndeshen. Kur tifozët paguajnë për të parë një ndeshje të vërtetë futbolli dhe shohin estradë, mendoj që është skandal dhe një turp i madh për të gjithë ata aktorë që janë aktiv dhe të jashtëm”.

 GJYQI ME VLLAZNINË

Rudi Vata u shkarkua në mënyrë të njëanshme nga Vllaznia, duke mos ia respektuar kontratën me klubin shkodran. “Unë i jam drejtuar Dhomës së Zgjidhjeve të Konflikteve, pasi kam pasur pretendimet e mia për mënyrën se si u largova nga Vllaznia. Dhoma e Zgjidhjeve të Konflikteve dha një vendim të çuditshëm, që mund të jepet vetëm në Shqipëri, pasi nuk mund të jepet një vendim që thotë se ‘1 muaj e 4 ditë do të të paguajë klubi’ dhe 26 ditë të tjera nuk ka të drejtë. Ky vendim ishte nga zotërinjtë e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ky vendim është marrë që më datën 25 korrik, ndërsa i janë dërguar disa shkresa administratorit të klubit të Vllaznisë nga Federata, por deri më sot nuk kam marrë asgjë. Kam të drejtën morale të marr atë që më takon dhe do ta marr, sepse është e drejta ime. Unë shkoj në Shkodër dhe qëndroj me kokën lart. U mundova të ndërtoj një skuadër me ato pak mundësi që kishim, sigurisht të moralshme. Nuk gjeta mbështetje në asnjë aspekt. Madje dhe u sulmova”, – përfundoi Vata.

Akuza e Bellait

 Trajneri i ri i Luftëtarit, Arjan Bellai, ishte denoncuesi i një ngjarje të shëmtuar që ndodhi gjatë ndeshjes Luftëtari-Laçi, të fituar nga miqtë kurbinas me rezultatin 0-3. Pjesa e parë në Gjirokastër u mbyll pa gola, por në të dytën u dha “urdhri nga lart”, të hapej porta. Ish futbollisti i kombëtares akuzoi haptazi ekipin e tij se, toleroi ndaj Laçit, duke u larguar nga stadiumi në pushim të ndeshjes.

 Miqësorë, të mërkurën Shqipëri-Itali

 Shqipëria U-19 e drejtuar nga Foto Strakosha do të zhvillojë tri ndeshje miqësore ndërkombëtare në harkun e pesë ditëve, dy me Bullgarinë dhe një me Italinë. Ndeshja e parë është ajo me homologët italianë, takim i programuar për t’u zhvilluar në Kavajëm, ditën e mërkurë, më 17 prill (ora 15:00). Ky takim është në vazhdën e takimeve miqësore që do të zhvillojnë kuqezinjtë e rinj përpara fillimit të eliminatoreve të Europianit për moshën U-19, ku Shqipëria ndodhet në grup me Greqinë, Sllovakinë dhe Bullgarinë, në këtë të fundit do të zhvillohen edhe ndeshjet e grupit 6 (12-17 nëntor 2013). Në muajin janar, Shqipëria mori pjesë në një turne miqësor në Romë, ku bënin pjesë edhe Italia, Greqia dhe Rusia. Për herë të fundit, me Italinë U-19 në vendin tonë kemi luajtur vitin e kaluar në Vlorë, për eliminatoret e Euro U-19. Vetëm tri ditë pas takimit me Italinë ekipi Kombëtar i Shqipërisë U-19 do të presë në një ndeshje tjetër miqësore përfaqësuesen e Bullgarisë. Ndeshja do të zhvillohet, më datën 20 prill 2013 në orën 13.00. në stadiumin e qytetit të Korçës. Bullgarët, në këtë mënyre po kthejnë vizitën e futbollisteve tanë të cilët në fillim të muajit mars zhvilluan dy takime miqësore në Bullgari, barazuan në takimin e parë 0-0 dhe humbën në të dytin 4-3. Ndeshja e fundit miqësore për skuadrën e trajnerit Foto Strakosha do të jetë, më datën 22 prill 2013 (ora 11.00) në stadiumin e qytetit të Pogradecit. Përsëri do të jetë përballë skuadra e Bullgarisë. Strakosha ka thirrur në skuadër lojtarët më në formë.

NDESHJET

17 prill, Kavajë

Shqipëri–Itali       15:00

20prill, Korçë

Shqipëri–Bullgari    13:00

22 prill, Pogradec

Shqipëri–Bullgari    11:00

Gjiganti turk kërkon shërbimet e kapitenit të Shqipërisë. Loriku, më parë ka luajtur për Gallatasarajin

 Fenerbahçe-Hamburg, “luftë” për Canën

  Gjiganti turk, Fenerbahçe e Stambollit dhe ai gjerman, Hamburgu, janë përfshirë në një betejë merkatoje për të siguruar shërbimet e Lorik Canës, për sezonin e ardhshëm. Kapiteni i Shqipërisë  është duke bërë një fundsezoni të mrekullueshëm me Lacion, duke qenë një ndër më të mirët për bardhekaltërit e drejtuar nga boshnjaku Vladimir Petkoviç, qysh kur ai spostua nga roli i tij natyral si mesfushor shkatërrues në zemër të mbrojtjes. Cana është një formë të shkëlqyer, dhe këtë e ka treguar jo vetëm në kampionatin italian, por sidomos në Ligën e Europës, ku dhe ka treguar personalitet të fortë. Loriku është shndërruar në një “ëanted man”, kjo dhe për faktin se 29-vjeçari ka një eksperiencë të gjatë futbollistike, me një karrierë të shpenzuar midis Francës, Anglisë, Turqisë dhe Italisë, pra në disa prej kampionateve më të forta në botë. Para pak ditësh, Lacio luajti kundër Fenerbahçes, në një përballje të dyfishtë në Stamboll dhe në Romë, në çerekfinalet e Ligës së Europës, dhe pavarësisht se italianët u eliminuan paraqitje e Canës ishte shembullore: grint dhe shpirt në fushë; ndërhyrje vendimtar dhe mbyllje zonash perfekte, çka e kanë bërë atë të jetë një nga mbrojtësit më të të mirë në Itali. Cana ka një të kaluar në Turqi me Gallatasarajin (në sezoni 2010-2011) dhe e njeh mjaft mirë mentalitetin turk. Cana është shumë i vlerësuar në Europë, dhe fakti që ai ka luajtur në Angli me Sandërlendin, ku luhet një futboll fizik dhe kërkon kondicion të shkëlqyer, e bën atë shumë të kërkuar, dhe me një çmim të lartë. Kontrata e Canës me Lacion skadon në verën e vitit 2016. Mediat gjermane shkruan ditët e fundit se, Hamburgu, skuadër me të cilën ka luajtur ish-sulmuesi i Kombëtares, Besart Berisha, është gati të ofrojë 2.8 milionë euro për kartonin e Lorikut. Lajmin e dha “Hamburger Morgenpost”. Në fakt, paga vjetore e Canës te Lacio është 1.7 milionë euro dhe ajo konsiderohet një barrë për klubin italian, ku drejtor sportiv është Igli Tare.

  Babai menaxher: “Asnjë kontakt me Hamburgun”

 Trajneri i Hamburgut, Torsten Fink, ka dërguar disa herë vëzhgues për të ndjekur paraqitjet e Canës, por tashmë që ka rilindur te skuadra bardhekaltër do të jetë shumë e vështirë që ta shkëpusë, pasi trajneri Petkovic synon t’i besojë repartin e mbrojtjes edhe në të ardhmen. Mediat italiane kanë kontaktuar të atin dhe njëkohësisht agjentin e lojtarit, Agim Canën, i cili përgënjeshtron lajmet për nisjen e bisedimeve me Hamburgun, duke theksuar se Loriku është një lojtar i Lacios dhe gjithçka shkruhet në media janë vetëm fjalë.

 Kozmpoliti Cana, 1.7 milionë euro

 Zvicër, Francë, Angli, Turqi, Itali. Ky është itinerari gjeografiko-futbollistik i Lorik Canës. I kryer në 11 vjet, i nisur si lojtar profesionist nga Parisi në vitin 2000 dhe i ndalur në Romë, në vitin 2011. I formuar ne Lozan të Zvicrës, atje ku edhe tërhoqi vëmendjen e Realit të Madridit, Arsenalit dhe Paris Saint-Zhermenit, kur ishte vetëm 16 vjeç, Lorik Cana qysh nga mosha 17-vjeçare ka veshur fanellë e pesë ekipeve : Paris Saint-Zhërmen, Olimpik i Marsejës, Sandërland, Gallatasaraj dhe Lacio. Lorik Cana luajti për tre sezone me Paris Saint-Zhermenin (2002-2005), duke u aktivizuar në 69 ndeshje e shënuar 2 gola. Mesfushori shqiptar, atëherë 22 vjeç, u transferua për herë të parë nga Paris Saint-Zhermeni te Olimpiku i Marsejës për një shumë prej 3.5 milionë eurosh, pikërisht gjatë merkatos verore të vitit 2005. Pas katër sezonesh te Marseja, ku arriti të bëhej edhe kapiteni i skuadrës, duke zhvilluar 122 ndeshje dhe shënuar 8 gola. Loriku u transferua në Angli te Sanderlendi, pikërisht në sezonin 2009-2009, për një shumë prej 6 milionë eurosh. Te skuadra angleze e Premier League, Cana mori shiritin e kapitenit, duke zhvilluar ne total 31 ndeshje. Paga e Canes ishte 2 milionë euro në sezon. Një sezon më pas, Lorik Cana u transferua në Turqi. Galatasaray pagoi 4.5 milionë euro për të siguruar shërbimet e “Le Guerrier” (Luftëtarit). Kontrate katër vjeçare, deri ne vitin 2014. Paga e Canës ishte 2.7 milionë euro në sezon. Pas një edicioni ne Stamboll, Loriku u transferua për herë të katërt në një skuadër, nga viti 2002, duke qenë tani pjesë e Lacios, skuadrës se Serie A. Kontrate pesëvjeçare, deri në vitin 2016. Paga 1.7 milionë euro në sezon.