Rubio firmos për Flamurtarin; pranë detit, pranë titullit

527
Sigal

Ish-trajneri i Tiranës nënshkruan për një vit: Spanjolli: “Vlora më ngjan shumë me Seviljen time”

 Hulian Rubio është trajneri i ri i Flamurtarit. 48 orë pas largimit të spanjollit nga Tirana – më të cilin Rubio fitoi tre trofe në harkun e 14 muajve – Rubio nënshkroi një kontratë njëvjeçare me Flamurtarin, duke pasuar në bankinën vlonjate Shkëlqim Muçën, të shkarkuar pas barazimit fatal 1-1 me Bylisin, në javën e parë të Kampionatit të 74-të Kombëtar të Futbollit. Rubio u largua nga Tirana, pasi nuk ra dakord me kushtet që i propozuan drejtuesit, ku klauzolë kishte mbajtjen e 20 për qind të shumës prej 110 mijë euro të kontratës, në rast se ai nuk fitonte titullin kampion. Spanjolli mbërriti në Shqipëri, më 14 qershor, duke nënshkruar me ish-presidentin e Tiranës, Refik Halili, por, ai ndryshe nga ç’e kishte menduar, shumë herë pohoi se nuk ishte ndjerë kurrë komod me mënyrën sesi ai u trajtua nga drejtuesit post-Halili. Gjithsesi, ai vendosi një rekord unik te rekordmenët e Shqipërisë: u bë jo vetëm i pari trajner spanjoll që drejtoi bardheblutë, por dhe i vetmi që mundi të mbyllte një sezon nga fillimi në fund, pasi të gjashtë paraardhësit e tij të huaj kishin dështuar në këtë objektiv. Rubio e mori drejtimin e Tiranës më 21 qershor të vitit 2011 dhe në harkun e 14 muajve ai arriti të fitonte tre trofe me skuadrën, dy Superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë. Trofeu i fundit është Superkupa e Shqipërisë, të fituar me Tiranën, më 19 gusht 2012, me kundërshtar Skënderbeun e Korçës.

 “VLORA, SI SEVILJA”

Kur Rubio nuk pranoi kushtet e Tiranës, spanjolli e dinte se e kishte një portë ku mund të trokiste në Shqipëri: Flamurtari. Presidenti Shpëtim Gjika ishte një fans i Hulian Rubios, dhe bëri gjithçka që ky i fundit të drejtonte “Flotën Kuq e Zi”. Tani Rubio është zyrtarisht trajneri i Flamurtarit. Pas largimit dyditor në Spanjë, trajneri spanjoll, i shoqëruar nga presidenti Gjika dhe drejtues të tjerë të skuadrës Flamurtari, ishte i pranishëm në ambientet e klubit vlonjat. Rubio: “U ndamë shumë mirë me drejtuesit e Tiranës dhe tani kam firmosur një kontratë 1-vjeçare me Flamurtarin. Vlora më ngjan pak me qytetin tim Seviljen, vetëm se nuk ka det atje, por lumë”.

 OBJEKTIVAT E HULIANIT

Flamurtari nuk fiton një titull kampion nga sezoni 1990-1991, kur në bankinë kishte Edmond Liçajn, dhe 21 vjet pritje janë shumë. Vlonjatët kanë investuar shumë në tre vitet e fundit, madje këtë sezon investimi shkon gati 900 mijë euro, duke qenë skuadra e dytë më e financuar në Shqipëri pas Skënderbeut, fatura e të cilit shkon te 1 milionë euro. “Sa i përket objektivave unë kam ardhur në Vlorë për të fituar ndeshje. Titullin kampion nuk e siguron askush e nuk mund ta siguroj as unë, por do të jap maksimumin që të fitojmë sa më shumë”, – tha Rubio. Flamurtari ka fituar gjatë historisë së tij, vetëm gjashtë trofe kombëtarë: një kampionat (1990-1991), tre Kupa të Shqipërisë (1985, 1988 dhe 2009) dhe dy Superkupa (1990, 1991). Spanjolli është një fitues i lindur, të paktën në Shqipëri, boll të kujtojmë se në 14 muaj ai fitoi 3 nga 4 trofetë e mundshëm: 2 Superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë. I mungoi kampionati, por ai ishte më shumë produkt i bamirësisë së Tiranës në ndeshjet e fundit, kur toleroi ndaj Dinamos dhe Shkumbinit.

 DEBUTON KUNDËR LAÇIT

Flamurtari do të luajë sot kundër Laçit (19:00), në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë të kampionatit. Edhe kurbinasit barazuan 1-1 me Besën, e që detyroi Përparim Daiun të jepte dorëheqjen nga drejtim i skuadrës, tashmë në drejtimin e Stavri Nicës. Rubio qëndroi në tribunë dhe jo në bankinë në ndeshjen e parë të Tiranës ndaj Tomorit, të zhvilluar në Berat. Por, tani kundër Laçit ai do të jetë në bankinë: “Do të jem i pranishëm në stërvitjen e parë, por nuk do ta drejtoj unë pasi ende nuk e njoh mirë skuadrën dhe lojtarët”. Flamurtari ka vetëm, një objektiv kundër Laçit: fitoren. Dhe Rubio dëshiron të jëtë me këmbë të mbarë. Sezonin e kaluar spanjolli i fitoi 3 nga katër ndeshjet kundër Flamurtarit, dy për kampionat dhe një për Kupën e Shqipërisë.

 “FALEMINDERIT TIFOZË”

Fakt është që Rubio u prit shumë mirë nga tifozët e Tiranës, duke i fituar zemrat e tyre, madje këta të fundit dolën publikisht në mbrojtje të tij, duke i kërkuar klubit të vazhdonte bashkëpunimin me trajnerin spanjoll. Dhe ai nuk mund t’i harronte kurrë “fanatiksat”, por ai tashmë kërkon të futet në zemrat e “flotës kuq e zi”: “Dua të falënderoj tifozët e Tiranës për mbështetjen dhe gjithçka kanë bërë për mua deri më tani, por ka ardhur momenti që të bëj për vete tifozët vlonjatë”.

SKEDA E RUBIOS

DATËLINDJA: 28.01.1952;

VENDLINDJA: Montealegre del Kastijo, Spanjë;

POZICIONI: Mesfushor

KARRIERA 1968/69, 1981/82, 1982/83, 1983/84: Albasete;

(1969-1972): Onteniente;

(1972-1979): Sevilja;

(1979-1981):Barcelona

SI TRAJNER

1984-1987, 1988-1989, 1991-1993, 1998- 2001, 2009-2010: Albasete;

1987-1988: Maspalomas;

1989-1990: Rekreativo;

1990-1991: Union Deportiva;

1993-1994, 2001- 2002, 2006-2007: Elke CF;

1994-1995: Klub Bolivar;

1996-1998: Sevilja;

2003-2004: Poli Ejido;

2004-2005: Murçia;

2007-2008: Kadiz,

2009-2009: Atletiko Kiudad;

2011-2012: KF Tirana

2012: Flamurtari i Vlorës

 Klub poliglot

 Hulian Rubio nuk është i vetmi i huaj në stafin teknik të Flamurtarit. Te klubi vlonjat punon si përgatitës atletik italiani Oskar Berti. Përsa u përket lojtarëve të huaj janë argjentinasi Rafael Soza, kroatët Toni Pezo dhe Davor Bratiç, si dhe malazezi Petar Vukçeviç.

 Trajnerët e huaj

 Hulian Rubio është trajneri i tretë i huaj që do të drejtojë Flamurtarin. Më parë skuadrën vlonjate e ka drejtuar për disa javë, bullgari Nikolaj Arabov, kur Flamurtari ndodhej në Kategorinë e Parë. Në Vlorë ka punuar edhe Slavko Kovaçiç, ish-ndihmësi i Oto Bariçit

 Flamurtari-Sevilja, në shenjën e Rubios

 Flamurtari do të luajë, më 9 shtator me spanjollët e Seviljes. Intriga bëhet edhe më e madhe, kur shikon karrierën e Hulian Rubios, që është e lidhur ngushtësisht me Seviljen: ka luajtur si lojtar me Seviljen në periudhën 1972-1979, përpara se ai të shitej te Barcelona, por dhe e ka drejtuar atë si trajner në vitet 1996-1998. Duke vazhduar me këtë logjikë, vlonjatët po përgatiten edhe për një ndeshje me Barcelonën, me të cilën vetë Hulian Rubio ka luajtur në vitet 1979-1981.

 Rekordi i malazezit Dervish Haxhiosmanoviç

 Spanjolli Hulian Rubio fitoi me Tiranën në harkun e 14 muajve: dy Superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë, që të tre në finale pasi si kundërshtar Skënderbeun e Korçës, por nuk është ai rekordmeni i trajnerëve të huaj në vendin tonë, përsa u përket titujve. Rekordin unik e mban malazezi, i cili ka fituar po tre trofe me Vllazninë, por ai ka fituar setin e plotë tw titujve: kampionat (2000-2001), Kupë (2008, Vllaznia-Tirana 2-0) dhe Superkupë e Shqipërisë (2008, Vllaznia-Dinamo 2-1).

 3 klube kanë ndryshuar trajnerët

 i kanë ndryshuar trajnerët menjëherë pas javës së parë: Flamurtari shkarkoi Shkëlqim Muçën pas barazimit 1-1 me Bylisin; Hulian Rubio u vetëlargua nga Tirana, pas mosplotësimit të kushteve në kontratë, menjëherë pas fitores 1-0 ndaj Tomorit, si dhe Përparim Daiu dha dorëheqjen nga Laçi pas barazimit 1-1 me Besën, i pasuar nga Stavri Nica..

   

 KATEGORIA SUPERIORE

Lëvizjet në bankina

 FLAMURTARI

Shkëlqim Muça (java 1, i shkarkuar); Hulian Rubio (nga java e 2-të)

LAÇI

Përparim Daiu (java 1, i vetëlarguar), Stavri Nica (nga java e 2-të)

TIRANA

Hulian Rubio (java 1, refuzim kontrata),

 KATEGORIA SUPERIORE

JAVA II

 

Sot, 31.08.2012

Flamurtari-Laçi      19:00

 

Të shtunën, 01.09.2012

Kastrioti-Bylis      17:00

Kukësi-Vllaznia      17:00

Të dielën, 02.09.2012

Tirana-Shkumbini           17:00

Luftëtari-Teuta      17:00

Skënderbeu-Apolonia  19:00

Të hënën, 03.09.2012

Besa-Tomori          19:00

 RENDITJA

 Nga Kategoria Superiore këtë sezon bien direkt 4 skuadra dhe ngjiten 2