Rruga drejt “Kampiones së Dimrit” fillon sot, kalendari favorizon Tiranën

57

Kur filloi këtë sezon Superliga, u pa që në mënyrë të çuditshme ishin gjashtë skuadra që ndiqnin njëra tjetrën për kreun e renditjes, duke e bërë këtë fillim kampionati shumë më konkurrues sesa pritej. Sot luhet java e 17-të e nda të gjitha skuadrat e fillimit kanë ngelur vetëm katër, katër skuadra që ndahen maksimumi nga tre pikë, duke marrë Skënderbeun e vendit të katërt me Partizanin e vendit të parë, që kanë në mes tyre vetëm tre pikë diferencë. Në fakt avantazhi dhe disavantazhi numerike në pikë, nuk jep asnjë siguri për secilën prej skuadrave se edhe në këto tre ndeshje të ngelura para se të merren pushimet dimërore, nuk do të ketë ndryshime në renditje. Po të shikohet kalendari i secilës prej skuadrave, në këto ndeshje të mbetura vërehet se kalendari i favorizon disa prej tyre, duke sjellë një farë sigurie të “fshehur” në përpjekjet për të përfunduar me sukses gjysmën e parë të kampionatit. Në përpjekje për të pasur një tablo sa më të gjerë dhe të qartë të renditjes dhe shanseve të mundshme për ndryshimin e saj, do të shikojmë kalendarin e plotë të katër skuadrave, duke filluar me Skënderbeun e vendit të katërt: Sot, “ujqërit e dëborës” kanë një takim shumë delikat me Flamurtarin, pasi ndodhen në një situatë jo shumë të mirë, sepse vijnë direkt nga humbja me Tiranën dhe gjithashtu do të kenë përballë vlonjatët që do të jenë shumë të motivuar për një tjetër fitore, pas asaj që arritën me Partizanin. Ndeshja është e detyrueshme për korçarët që të përfundojë me një rezultat pozitiv, nëse do të duan që të bëjnë “pushime të qeta” gjatë periudhës së dimrit. Duke lënë mënjanë takimin e sotëm, me datë 20 e pret përsëri një ndeshje e vështirë, ndaj Vllaznisë në Shkodër, ku këta të fundit janë pa dyshim skuadra më në formë e kampionatit e si asnjë tjetër kanë arritur të korrin plot katër fitore radhazi. Në javë e 19-të gjërat fillojnë të “qartësohen” disi për Skënderbeun që do të jetë përsëri në transfertë, por këtë radhë do jenë përballë Elbasanit që edhe pse nuk e ka më statusin e vendit të fundit në renditje, vazhdon të mbetet një prej skuadrave më të dobëta në kampionat, e pritet që në një stadium të boshatisur mos të ngjasë asgjë më shumë sesa një fitore e miqve. Edhe nëse Skënderbeu ia del që të marrë rezultate pozitive në të tria këto ndeshje, përsëri “fati” i saj varet edhe nga ecuria e tre skuadrave që ndodhen përpara.

Kukësi: Verilindorët, ashtu si Skënderbeu kanë përpara vetes tre skuadra “ferri”, ku sot do ndeshen me rivalen direkte, Tiranën, në Kukës, duke e bërë këtë takim dyfish më të rëndësishëm sesa është, pasi  një fitore ndaj kryeqytetasve do tu jepte një avantazh të madh në renditje, e duhet thënë se e kanë vetë në dorë ecurinë e tyre, pa pasur nevojë për rezultatet e skuadrave të tjera. Në fakt e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Tiranën, pasi kjo ndeshje ose i ndihmon ose do i fundosë, secilën që do të dalë me rezultat negativ nga “Zeqir Ymeri”. Në javën e 18-të, Kukësi do të vizitojë Vlorën, në një takim mjaft delikat, pasi vlonjatët kanë treguar se janë skuadra e surprizave dhe se mund të “rrëmbejnë” rezultate pozitive pavarësisht kundërshtarit apo gjendjes në të cilën ndodhen. Takimi i fundit përmbyllës për Kukësin është ndaj Vllaznisë, skuadër që deri më tani e ka mundur në dy ndeshjet e më përparme, duke mos e vënë aspak në diskutim supremacinë e saj, por këto dy fitore kanë ndodhur në çastet më delikate të kundërshtarit, në fillim sezon dhe në atë periudhën e “errët” të cilën e kaloi skuadra shkodrane deri para pak kohësh. Tani që situata ka ndryshuar, edhe rezultati mund të ndryshojë, e këtë duhet ta kenë shumë mirë parasysh kuksianët.

Tirana: Në barazi të plotë me kuksianët përsa i përket pikëve, do të ndeshen sot bashkë, ashtu siç u cek edhe më sipër e pa dashur të përsëritet e njëjta gjë edhe këtu, mjafton të themi se barazi e këtyre dy skuadrave është në pikë por kjo ndeshje mund të ndikojë që diçka e tillë të ndryshojë, vetëm nëse fundi i ndeshjes shënjon barazim përsëri. Në javën e 18-të Tirana do të presë në shtëpi Teutën, duke e zbutur disi kalendarin e saj, pasi pavarësisht çdo gjëje, Teuta nuk qëndron në nivelin e Tiranës dhe nuk mendohet si skuadër potenciale për ti hapur punë, por asgjë nuk përjashtohet në futboll, aty ku skuadrat futen në fushë me numër të njëjtë lojtarësh dhe pa avantazhe paraprake. Ashtu si në javën e 18-të, edhe në të 19-ën, fati “kalendarik” troket në derën e Tiranës që përsëri do të presë në shtëpi një skuadër nga fundit, e tani për tani, me renditjen aktuale është në vendin e fundit, pikërisht Apolonia. Duke e krahasuar me Kukësin, të dyja këto ndeshje cilësohen shumë të thjeshta për Tiranën, që gjithsesi e ka të detyrueshme që pritshmëritë ti kthejë në rezultate pozitive, duke mos lënë asnjë pikë rrugës.

Partizani: Ashtu si skuadrat që u përmenden më përpara (duke përjashtuar Tiranën), edhe Partizani do të ndeshet me Vllazninë, ku do ta testojë veten para të gjithave me këtë skuadër, pikërisht sot në ora 16:00. Kjo ndeshje shikohet si një mundësi e mirë për “demat” që të vazhdojnë të rrinë në krye të renditjes, por kur përballë ke një skuadër si Vllaznia, me formën aktuale që po gëzon, sigurisht që çështja vështirësohet pak, gjithsesi për një skuadër që ka pretendimet e një kampioneje, kundërshtarët janë vetëm për tu mundur dhe jo vetëm për të luajtur kundër tyre. Ndërkohë duke lënë pas shkodranët, në javën e 18-të do takohen me Elbasanin që është ku e ku më e lehtë sesa ndeshja me Vllazninë, dhe me siguri që nuk do e lënë këtë shans që tu ikë nga duart, pavarësisht se Elbasani luan në fushë të vet (kujtojmë që do jetë e boshatisur). Ndërkohë ndeshja e fundit për këtë vit për Partizanin do të mbyllet në Laç, aty ku është gjithmonë e vështirë që të fitohet, e këtë e ka provuar edhe vetë kryesuesja e kampionatit që në ndeshjen e parë në mes tyre nuk shkoi më shumë sesa një barazim, por sigurisht që Partizani nuk do numërojë vështirësitë në mënyrë që të jetë ajo që do e mbyllë me sukses këtë vit kalendarik të futbollit.

Skënderbeu/ Tre ndeshjet e radhës

 Sot/ Java e 17-të

Skënderbeu-Flamurtari

20/12/2014/ Java e 18-të

Vllaznia-Skënderbeu

24/12/2014/ Java e 19-të

Elbasani-Skënderbeu

Kukësi/ Tre ndeshjet e radhës

Sot/ Java e 17-të

Kukësi-Tirana

20/12/2014/ Java e 18-të

Flamurtari-Kukësi

24/12/2014/ Java e 19-të

Vllaznia-Kukësi

Tirana/ Tre ndeshjet e radhës

 

Sot/ Java e 17-të

Kukësi-Tirana

20/12/2014/ Java e 18-të

Tirana-Teuta

20/12/2014/ Java e 18-të

Tirana-Apolonia

  Kërkohet mbështetje e tifozëve, sot biletat në Kukës janë falas

 Duket se skuadrat çdo ditë e më shumë po e ndiejnë peshën që kanë tifozët tek futbollistët gjatë ndeshjes dhe pas saj. E në mënyrë që kjo të bëhet sa më e dukshme, krerët drejtues të Kukësit kanë vendosur që për ndeshjen e sotme ndaj Tiranës të ketë hyrje të lirë të tifozëve, veprim ky që pas sjell një prani edhe më të madhe të tifozëve, por gjithashtu rrit besueshmërinë e tifozëve ndaj drejtuesve të klubit. Në të njëjtën linjë lëviz edhe skuadra e Skënderbeut që ka vendosur që gjatë gjithë sezonit të nxjerrin në treg bileta me çmime të reduktuara, e kjo do të jetë për të gjitha tribunat në stadium. Këto veprime janë pozitive për futbollin shqiptar dhe pritet që të ketë një zhvillim në interes të këtij sporti, edhe pse duhet thënë se pjesa më e madhe e tifozëve nuk mungojnë në stadium për shkak të çmimit të biletave por për mungesë rezultatesh ose arsye të tjera që kanë të bëjnë me klubin. Gjithmonë, mos prania në stadium nga tifozët bëhet më shumë në shenjë proteste të hapur dhe kërkesë për ndryshime.

 Komisioni i Apelit ul me dy ndeshje dënimin e Tiranës

Nuk do të jenë 6 ndeshjet që do të vuajë Tirana për të mos ndjekur në ndeshjet jashtë skuadrën e tyre por me vendimin e fundit të Komisionit të Apelit dënimi zvogëlohet deri në katër ndeshje. Në ndryshimin që iu bë vendimit të Komisionit të Disiplinës, u hoq edhe gjoba në lekë për Tiranën, duke mos qenë e detyruar që të paguajë asgjë, gjithashtu u anulua edhe vendimi që detyronte skuadrën tiranase që të mos mund të kthente tifozët në “Qemal Stafa” pas kryerjes së gjysmës së dënimit, atëherë kur mund të paguash një shumë të caktuar për çdo ndeshje.

 Bekim Balaj dhe Elseid Hysaj, qytetarë nderi të Koplikut

Me një vendim të këshillit Bashkiak të Koplikut, dy futbollistët e Kombëtares Shqiptare të futbollit, Hysaj dhe Balaj u shpallen qytetarë nderi të Koplikut. Sigurisht ky nderim vjen kryesisht për origjinën e dy futbollistëve që janë nga Malësia e Madhe por edhe për shkak të ndeshjes me Serbinë, siç u shprehën edhe vetë të pranishmit që i falënderuan lojtarët për mbrojtjen që i bënë flamurit.