Sigal

Ata janë dy vëllezër, njëri luan për Real Madridin dhe tjetri për Atleticon, një derbi brenda familjes. Dy fëmijët kanë lindur në Marsejë, por u rritën në kryeqytetin spanjoll. Mamaja e tyre para pak kohësh shprehej se ishte mjaft e vështirë të bëje tifozin kur përballeshin me njëri-tjetrin, pasi derbi i Madridit është shumë i nxehtë. Lucas dhe Theo Hernandez janë rritur nga mamaja e tyre, pasi babai i ka braktisur në një moshë të vogël, rreth 13 vjeç.

Lucas sot është kampion bote me Francën dhe shprehet se nuk është i lumtur, pasi as kjo nuk ka mjaftuar që të bashkonte familjen e tij. Në një rrëfim për “Le Parisien”, Lucas tregon se prej më shumë se një dekade nuk di asgjë për babanë e tij. “Nuk kam dëgjuar për të që kur kam qenë 12 ose 13 vjeç. Nuk kam pasur lajme nga ai edhe pasi kam fituar Kupën e Botës”.

Një baba që nuk kërkon falje për lehtësi, apo për të shfrytëzuar famën e fëmijëve të tij; asgjë. Edhe për ata fëmijë që kanë pasur gjithçka nga jeta, braktisja nga prindërit në moshë të hershme, mbetet një plagë e hapur dhe që nuk pushon së rrjedhuri gjak. Tani që Hernandez është baba, tregon se nuk e koncepton dot të braktisë fëmijën e tij, për asnjë lloj motivi. “Tani që jam një baba, unë jam më i vetëdijshëm për atë që ka bërë, për faktin se ai ka dështuar totalisht në detyrat e tij si prind. Dhe nesër, nëse do ta takoj, do të flasim për këtë. Por një gjë është e sigurt, as nuk mund të imagjinoj të heq dorë nga djali im, nuk do ta bëja kurrë, për asgjë në botë “.