“Rrally Albania”, gara që ofron spektakël

619
Sigal

130 garues nga 24 vende të ndryshme të botës marrin pjesë në edicionin e 9-të të “Rally Albania 2013”

130 garues nga 24 vende të ndryshme të botës, nisën dje ditën e dytë të edicionit të 9-të të “Rally Albania 2013”. Faza e dytë e ditës së djeshme ishte 320 kilometra. Garuesit nisen nga Durrësi, dalin në rrugët dytësore të Shqipërisë, kaluan nëpër male duke shkuar deri në peizazhet e Librazhdit, dhe po nëpërmjet një terreni malor dhe ujor, kthehen sërish në rezidencë në Durrës. Duket se vit pas viti, gara bëhet edhe më e vështirë. Kam disa vite me radhë që marr pjesë në edicionet e “Rally Albania”, por edhe ky këtë vit, mbetet jo i lehtë për të gjithë garuesit. Sot jemi gjendur përballë të papriturave, nga terrenet malore, zbrisnim në ujë. Disa motorë edhe kanë mbetur pas. Nuk e di nëse mund të kapin afatet dhe kohën për të mos marrë penalitete” thotë në finishin e kësaj gare, me një kasketë në kokë, dhe i bërë gjithë baltë, një prej garuesve shqiptarë të kësaj gare, Klodian Voko. “Jam i sigurt se shumë prej garuesve të huaj do të ankohen për terrenin e sotëm” thotë Voko. Deri në orët e vona të pasdites, shumë prej tyre nuk kanë mbërritur në bazën e Durrësit. Edvin Kasimati, organizator i “Rally Albania 2013”, thotë se dita e sotme është më e thjeshtë por dita e nesërme, pra dita e tretë do të jetë akoma dhe më e vështirë. “Është e vërtetë që ne e kemi shënuar largimin nga Durrësin drejt Pogradecit, por itinerari është më shumë se 430 kilometra. Për të mbërritur në Pogradec, garuesit do të shkojnë deri në Peshkopi, e prej andej po nga malet e fshatra të ndryshme do të shkojnë në Pogradec. Sot, në këtë moment që flasim nuk kanë ardhur të gjithë, por unë jam i sigurt se do të vijnë. Të shohim surprizat e ditës së nesërme, që për ne, është akoma më e vështirë” thotë Kasimati duke treguar edhe itinerarin e garës. E ndërkohë që motorët, makinat e kuadët janë nëpër malet e Shqipërisë, një tjetër industri stafi ndihmës është duke komunikuar me gjithë “check point” e vendosur në pika të ndryshme. Janë oficerët e garës që masin kohën e padyshim, janë më të rëndësishëm në këtë proces. Endri Prespa, një prej garuesve të çdo lloj gare të djeshme, tani është në zyrën kryesore në qendër dhe merret në çdo moment me garuesit dhe oficerët në terren. “Alo, më dëgjoni, duhet të shkoni në pikën që ju thashë. Ka mbetur një motor, nuk do ta përfundojë dot garën. Mirë është të dërgoni makinën e asistencës për ta marrë dhe ta sjellë mbrapsht. Ai do të skualifikohet nga kjo etapë”. Është biseda telefonike e Endrit me ndonjë nga oficerët që ndjekin garën në terren, e ndërkaq, ai garues nuk do ta përfundojë atë. Nuk është vetëm kjo pjesë. Shumë nga garuesit që marrin pjesë në këtë kompeticion që tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare, kanë sjellë me vete edhe stafet e tyre ndihmëse, apo ato që duhen për të rregulluar deri në fund mjetet motorike që kanë hyrë në garë. “E veçanta e këtij viti, është se gjysma e garuesve vijnë për herë të parë. Ka nga Estonia, Holanda, Gjermania, Italia, Australia, Finlanda, madje ka edhe gra në motor që vijnë për herë të parë, edhe nga Anglia. Kanë dëgjuar për edicionet e tjera të ‘Rally Albania’. Kanë parë fotot dhe gjithçka tjetër dhe ne jemi shumë të kënaqur që gjithçka po shkon perfekt dhe garuesit shtohen çdo vit e më tepër” thotë Julinda Dhame, organizatore e “Rally Albania”. Dita e parë në Prolog, për herë të parë ka nxjerrë fitues një holandez. Konkurrohet në tre kategori, në motor, kuad dhe makina. Garuesit duhet të zbatojnë me përpikëri të gjitha kohët që janë vlerësuar nga organizatorët nëpër “check point”. Nëse këto afate shkelen, atëherë garuesit marrin penalitete. Qëllimi i organizimit të garës në Shqipëri, nuk ka të bëjë vetëm me sportin e makinave dhe motorëve “off road”, por edhe me dhënien mundësi të të gjithë garuesve, të kenë një ide të qartë të Shqipërisë, turizmit, e terrenit të saj. “Ata janë ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë. Shpresoj dhe uroj shumë që të shijojnë bukurinë shqiptare, dhe gjithçka që shohin ta tregojnë. Shqipëria është një vend turistik që ia vlen të vish ta shikosh njëherë e të rikthehesh sërish” tha Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë së Durrësit, qytetit prej të cilit nisi edhe kjo garë. Kristian Pastori, është garuesi fitues italian i edicionit të tetë “Rally Albania” vitin e kaluar. Ai ka ardhur sërish këtë vit në garë, por, menjëherë pas ditës së parë, ndihet disi ndryshe që gara është zhvendosur në Durrës. “Do të më pëlqente të ishim në Tiranë. Por unë e di, ju tani jeni edhe nën ethet e fushatës elektorale. Gjithsesi të gjithëve do tu bëjë mirë që të shikojnë një aktivitet sportiv, krejt ndryshe nga fushata e zgjedhjeve” tha Christian Pastori, i cili nuk e di nëse këtë vit do të mund ta fitojë këtë garë, por që është i sigurt se Shqipëria, vendi në të cilin ai kthehet për të katërtin vit rresht të marrë pjesë në një edicion të tillë të “Rally Albania”, do ti pëlqejë shumë edhe këtë vit. “Edvini, vit pas viti na ofron shumë surpriza” thotë Pastori. E në fakt, për të gjithë garuesit, ‘road book’ që bëhet nga ana e stafit shqiptar, vlerësohet shumë. Madje, në “Facebook”, e në gjithë blogjet ku garuesit e huaj komunikojnë me njëri-tjetrin, “roadbook”, është elementi që vlerësohet më shumë. Dita e tretë do ti çojë garuesit për dy ditë në Pogradec, e mandej dy ditë të tjera në qytetin 2400-vjecar të Beratit. 130 garuesit e huaj dhe stafet e tyre do të shijojnë bukuritë e qytetit antik që është nën mbrojtjen e UNESCO-s. Pas kësaj, do të rikthehen në Durrës, ku me një ceremoni krejt të veçantë, do të ndahen çmimet në datën 14 qershor.

TENIS, NADAL FITON “ROLAND GARROS”

Rafael Nadal ka fituar për të tetën herë Grand Slamin e Francës “Roland Garros” duke hyrë në historinë e tenisit. Askush më parë nuk ka mundur të fitojë kaq shumë një Grand Slam. Spanjollit iu deshën 2 orë e 16 minuta për të mposhtur në finale bashkëkombasin e tij David Ferrer. Dhe këtu kemi një tjetër rekord: takimi me Ferrer ishte i 59 nga 60 takimet ndërkombëtare në Francë. I vetmi që e ka mposhtur ka qenë suedezi Soderling në vitin 2009. Rafael Nadal është një nga tenistët më të mëdhenj në botë.

F1, SEBASTIAN FETEL FITON NË KANADA

Sebastian Fetel (Red Bull) fitoi Çmimin e Madh të Kanadasë, triumfi i tretë në sezonin aktual të Formula 1. Kjo ishte fitorja e parë e tij në Montreal. Kampioni i botës në fuqi fitoi edhe “pole position”. Në vend të dytë u rendit Fernando Alonso (Ferrari), ndërsa në tretin Ljuis Hemilton (Mercedes). “Po, ne fituam në Kanada”, – festoi piloti gjerman. Sebastian Fetel kryeson kampionatin botëror pas gjashtë garave me 132 pikë, i ndjekur nga Fernando Alonso me 96 dhe Kimi Raikonen me 88. Red Bull kryeson me 201 pikë.