“Rrally Albania 2014” zbulon Shqipërinë turistike

445
Sigal

 “Rrally Albania” tashmë ka hyrë në kalendarët ndërkombëtarë të garave “rrally”

 Edicioni i 10-të i “Rrally Albania” është i mbushur me surpriza të shumta sesa edicionet e mëparshme

 Gara zhvillohet nga data 6-14 qershor dhe do të kalojë në 70 për qind të territorit të vendit.

 Në “Rrally Albania” marrin pjesë 170 garues nga 23 nacionalitete të ndryshme

 Rreth 60% e garuesve rikthehen për të disatën herë në Shqipëri, ndërsa 40% vijnë për herë të parë

 Gara këtë vit është mbi 2000 kilometra në “of road”, rrugë të pashtruara në terrene të vështira

 Për herë të parë u bë vendosja e GPS në makina dhe transmetimi live stream me të dhëna në kohë reale

 Gara është sa sportive, aq edhe turistike, pasi të gjithë garuesit shijojnë bukuritë e Shqipërisë.

 Programi i “RALLY ALBANIA 2014”

 6 qershor 2014, 12:00

Hapja e kampingut, dita e parë e verifikimeve

7 qershor 2014, 09:00-17:00

Dita e dytë e verifikimeve, kalibrimit

7 qershor 2014, 20:00

Ceremonia e Hapjes, Festë

8 qershor 2014, 12:00-18:00

Starti ceremonial dhe prologu

9 qershor 2014, 06:00

Starti i etapës 1

10 qershor 2014, 08:00

Starti i etapës 2

11 qershor 2014, 05:00

Starti i etapës 3

12 qershor 2014, 11:00

Starti i etapës 4

13 qershor 2014, 07:00

Starti i etapës 4

14 qershor 2014, 09:00

Starti i etapës 5

14 qershor 2014, 19:00

Ceremonia e çmimeve, podiumi

14 qershor 2014, 20:00

Ceremonia e Mbylljes

Edicioni i 10-të i “Rrally Albania 2014” përfundon sot me etapën e 5-të të tij. Mbi 170 garues nga 23 shtete. Sot, Ceremonia e Çmimeve

 Edicioni i 10-të i “Rrally Albania 2014” përfundon sot me etapën e 5-të të tij, e cila nis në orën 9, ndërkohë që po sot do të zhvillohet Ceremonia e dhënies së çmimeve si dhe ajo mbyllëse në Sheshin “Nënë Tereza” të kryeqytetit, atje dhe ku ai nisi. Për nëntë ditë me radhë, nga 6-14 qershor, “Rally Albania”, e shndërruar tashmë në një garë ndërkombëtare ofroi jo vetëm spektakël e ofruar nga mbi 170 garues nga 23 nacionalitete të ndryshme në itineraret “of road” (rrugë të pashtruara, malore), por ajo pati edhe një objektiv turistik, pasi gara përshkoi thuajse 70 për qind të territorit të vendit. Edicioni i 10-të i “Rally Albania” pati më shumë surpriza sesa edicionet e mëparshme. Pas fillimit të prologut Tiranë–Petrelë–Tiranë, garuesit u nisen drejt Peshkopisë (10 qershor) në një etapë që nuk është më e vështira. Në qëndrimin dy ditor në Peshkopi, një ndër destinacionet më të vështira është ajo e Lurës, që në 10 vitet e zhvillimit të garës do të jetë surprizë për çdo garues. Pas Peshkopisë, itinerari më i vështirë i garuesve është ai drejt Orikumit. Rruga e përshkruar në “Road Book”, sipas drejtorit ekzekutiv të garës, Edvin Kasimati, është edhe ndër më të gjatat e më të vështirat. Pas një dite të lodhshme, garuesit qëndruan në Orikum, për të pasur një tjetër itinerar në Gadishullin e Karaburunit. Etapa e fundit është ajo nga Radhima me destinacion Tiranën. “Gara këtë vit është mbi 2000 kilometra në of road, sqaron Edvin Kasimati, drejtori ekzekutiv. Garohet në tre kategori, makina, motorë e kuad. “Shumica e garuesve, rreth 60 për qind e tyre, rikthehen për të disatën herë në Shqipëri dhe janë të familjarizuar me garën. 40 për qind e garuesve janë të rinj dhe marrin pjesë për herë të parë në “Rally Albania” që tashmë është bërë një garë ndërkombëtare”, – shtoi Kasimati, i cili ka “jetuar” 24 orë në 24 orë me garën. Pilotët e makinave, e sidomos ata shqiptarë patën një konkurrencë të fortë për shkak të ekipit që erdhi nga Gjermania, dhe që në fakt, kanë ishin shumë të përgatitur dhe janë fitues të garës edhe në Gjermani. Ndërsa për motorët, italianët që e kanë dominuar gjithmonë “Rally Albania”, patën konkurrencën e ekipit norvegjez që këtë herë ka ardhur shumë i përgatitur. “Rrally Albania” u konsiderua sidomos nga garuesit e huaj, si një garë unike me emocione të papërsëritshme. Të marrësh pjesë në “Rally Albania” është një përvojë unike. Një kërcim i guximshëm drejt së panjohurës ku aromat e padukshme të ardhura nga e gjithë bota reflektojnë edhe qëllimin e saj, kulturor, turistik, historik.

Për herë të parë transmetim direkt

 Endri Prespa, i cili merret me detajet organizative të garës thotë se për herë të parë vendosja e GPS në makina dhe transmetimi “live stream”, do të mundësojë të dhënat dhe pozicionet për çdo garues në kohë reale. Të gjithë do të kenë lehtësira të komunikimit, qoftë edhe me stafin qendror. “Gara këtë vit është e gjitha e siguruar, ashtu sikurse është i siguruar çdo pjesëmarrës në këtë garë. Nuk do të ketë vonesa në organizim, dhe teknologjia që kemi përdorur, është më e avancuar, madje nuk është përdorur as në gara të tjera të njohura, ballkanike apo evropiane. Shpresojmë të kemi konkurrencë të fortë dhe surpriza të bukura gjatë garës”, – tha Prespa.

 Gazetarja e mirënjohur: “Kemi përfshirë destinacione të tilla, nga Lura e deri në Karaburun”

 Anila Basha: “Garë sportive dhe turistike”

 Gazetarja e mirënjohur Anila Basha, përfaqësuese e zyrës së shtypit e “Rally Albania”, veçoi faktin se gara ka një qëllim të dyfishtë. “Gara është sa sportive, aq edhe turistike. Duke kaluar në itinerarin off road, të gjithë garuesit shijojnë bukuritë e Shqipërisë, në mal e në det. Ka nga ata që nëpër vite, edhe sipas sondazheve që ne kemi, janë rikthyer në kohën e pushimeve në Shqipëri, e këtyre herëve, kthehen si pushues me familje e shokë. Për ne kjo nuk është një risi, pra njohim pritshmëritë sportive të garës, e po aq, edhe ato që e shfaqin përpara syve të të gjithëve Shqipërinë tonë turistike. Për një javë, sadisfaksionit të garuesve, u shtohen edhe fotot e ndryshme që ata vetë hedhin në rrjete të ndryshme sociale, duke na bërë edhe një publicitet shumë të mirë për turizmin. Këtë vit, edhe për shkak të 10-vjetorit të kësaj gare, jemi përpjekur të përfshijmë sa më shumë destinacione të tilla, që nga Lura, e deri në Karaburun”, – tha Basha. 23 shtete që kanë përfaqësues të tyre në këtë garë, dhe janë mbi 170 garues shqiptarë e të huaj.

Mbi 170 garues, 23 shtete pjesëmarrëse

 Në “Rally Albania” marrin pjesë mbi 170 garues shqiptarë e të huaj, përfaqësues nga 23 shtete. Vende si Rusia, Turqia, Irlanda, Norvegjia përfaqësohen për herë të parë në këtë garë. Ndërkohë që Bullgaria, Italia, Greqia, Britania, Gjermania, Sllovakia, Sllovenia, Belgjika, Çekia, Polonia, Finlanda, Holanda etj, marrin pjesë për të disatën herë në këtë garë.

Jo vetëm sport, por dhe humanizëm

 Në fakt, “Rally Albania” nuk është parë vetëm si një garë ndërkombëtare tërësisht sportive. Pra, nuk është vetëm sport dhe turizëm, por edhe mbështetje humanitare. Para nisjes së etapës së katërt, ekipi italian “Energia di Sorrisi” vazhdoi traditën edhe këtë vit të shpërndarjes së ndihmave ekonomike për misionin e motrave të Nënë Terezës, për t’i ardhur në ndihmë komunitetit lokal. Një gjest humanitar i njerëzve të sportit.