Rraklli: Fitorja me Greqinë, start i mbarë i edicionit

76
Dje në Nion të Zvicrës, atje ku ndodhen zyrat e Federatës Evropiane të Futbollit, është hedhur shorti i kualifikueseve të Kampionatit Evropian të futbollit për femra për 2017-ën. Finalet do të zhvillohen në Holandë, ndërsa janë tetë grupe kualifikuese, atje ku tetë të para kalojnë direkt në finale, së bashku me gjashtë të dytat më të mira. Kurse dy të dytat do të luajnë Play-off për të caktuar skuadrën e gjashtëmbëdhjetë të Evropianit. Nga Gjermania ku ndodhet në një seminar të UEFA-s për trajnerët, Altin Rraklli tekniku i kuqezinjve bën vlerësimin e tij për shortin. Duke qenë se ndeshjet nisin më 22 shtator me Greqinë në Shqipëri, atëherë kuqezinjtë kërkojnë ta fitojnë atë ndeshje për të pasur një nisje të mbarë të sezonit. Për Rrakllin kombëtarja e femrave ka më shumë eksperiencë se në sezonin e kaluar dhe me ndonjë elemet të ri garanton për më shumë cilësi në fushë. Pavarësisht se janë kundërshtare të forta, Rraklli ka premtuar që do të kërkojnë maksimumin nga çdo ndeshje. Ja dhe intervista e tij për Gazetën “Telegraf”. 
– Dje në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti i kualifikueseve të Kampionatit Evropian të futbollit të femrave dhe kombëtarja jonë është përballë Francës, Ukrainës, Rumanisë dhe Greqisë. Cili është komenti i parë i juaji si trajner?
– Dihet që të gjitha janë skuadra të një niveli shumë të lartë se sa i joni. Por ne do të përpiqemi të bëjmë ballafaqime shumë më dinjitoze e shumë me serioze në mënyrë që të jemi më mirë se në sezonin e kaluar.
– Thuajse një muaj më parë ju keni deklaruar se nuk do të donit t’i kishit të gjitha skuadrat e forta në grupin tuaj. A është ky short më i pranueshëm krahasuar me kualifikueset e Botërorit, apo sërisht “bombë”?
– Unë do të thoja që krahasuar me kualifikueset e sezonit të kaluar, atje ku ne ishim përballë Portugralisë, Holandës, Norvegjisë, Belgjikës e Greqisë, ky short më duket pak më i vështirë se sa edicionin e kaluar. Për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se njohim mirë Greqinë, si dhe Francën pak, kurse Ukrainën e Rumaninë aspak. 
– Përsëri i njëjti objektiv për të lënë Greqinë të fundit në grup?
– Patjetër që po, por si objektiv kryesor është që të marrim maksimumin dhe në ballafaqimet me Rumaninë, pse jo edhe ndaj Ukrainës, ndonëse janë shumë më të fortë se sa ne dhe kanë më shumë eksperiencë në përballjet ndërkombëtare. Megjithatë edhe ne kemi ngritje si skuadër dhe kemi fituar një farë eksperience në këto ndeshje. Nuk mund dhe nuk duhet të jemi si në edicionin e kaluar.
– Cila do të jetë sipas jush paraqitja e kombëtares në këto kualifikuese, nisur dhe nga ajo që skuadra ka dhënë në miqësoren e 24 marsit ndaj Luksemburgut?
– Së pari Luksemburgu ishte test miqësore dhe së dyti është një skuadër më e dobët se sa ne. Dhe do të ishte gabim nëse do të merrnim për skuadrën si pikë referimi atë ndeshje miqësore. Tashmë duhet të mendojmë se kemi ndeshje shumë më të forta, të cilat duhet t’i kalojmë me sukses. Kemi një bazë të mirë si kombëtare, por asaj i jashtë shtuar dhe lojtare të reja. 
– Megjithatë për të ngrohur atmosferën dhe për të pasur më shumë publik në ndeshjet e juaja sa premton kjo kombëtare e femrave për të qenë më shumë se sa dinjitoze?
– Ajo që është kryesorja dhe shumë e sigurtë është fakti se skuadra jonë ka eksperiencë krahasuar me edicionin e kaluar. Sigurisht dhe ndonjë element cilësor, që unë i përmenda edhe pas miqësores me Luksemburgun siç janë tre lojtaret që luajnë në Suedi të tilla si Kurtbogaj, Merovci e Morina. Të gjitha së bashku do të mund të na rrisin cilësinë si kombëtare. Dhe them se do të jemi më mirë se vitin e kaluar. Ne sigurisht që do të mblidhemi së bashku me sektorin teknik dhe atë të kombëtareve dhe do të dalim me objektiva të caktuara. Por meqë edicionin e nisim më 22 shtator në shtëpi ndaj Greqisë, atëherë duhet ta fillojmë me fitore. 
Shorti i kualifikueseve të Kampionatit Evropian të futbollit të femrave
Grupi 3
Francë
Ukrainë
Rumani
Greqi
Shqipëri
Asnjë ndeshje të luajtur me Francën, Ukrainën dhe Rumaninë
Bilanci i ndeshjeve me Greqinë
30 tetor 2013 Shqipëri – Greqi 1-0
17 shtator 2014 Greqi – Shqipëri 4-0
29 gusht 2012 Greqi – Shqipëri 3-0
Ndeshje 3: Fitore 1, Barazime 0, Humbje 2; Golaverazhi 1-7
Flet kapitenia Aurora Seranaj: “Surprizën jo vetëm me Greqinë, por dhe me të tjerët”
Shorti i kualifikueseve të Kampionatit Evropian të futbollit të femrave nuk ka kaluar në heshtje as nga lojtaret tona. Kështu në një vlerësim nga kapitenia e kombëtares, Aurora Seranaj, shorti është cilësuar i vështirë, por jo aq i pamundur sa për të mos e bërë Shqipërinë dinjitoze në këto kualifikuese. “Për ne është një grup i rëndësishëm. Janë të gjitha skuadra me shumë eksperiencë, kurse kombëtarja jonë vjen gjithnjë duke u rritur dhe forcuar. Sepse tashmë është duke përfituar dhe lojtare të reja cilësore. Për kombëtaren tonë të femrave ka dhe interesim dhe besoj se do të japim maksimumin në çdo ndeshje. Shpresojmë të jemi të suksesshëm në këto kualifikuese, sepse besoj se kemi shanse dhe shpresa për të bërë më të mirën. Ne do të japim maksimumin jo vetëm ndaj Greqisë, por dhe ndaj Francës, Ukrainës dhe Rumanisë. Janë të gjitha skuadra me eksperiencë, ndërsa humbja nuk i pëlqen askujt., Por ne shpresojmë të jemi mirë deri atëhere”. 
Suada Jashari: Ta mundim Greqinë me çdo kusht
Suada Jashari është shënuesja më e mirë e kombëtares së femrave të futbollit shqiptar, teksa që nga 2011-ta ka shënuar katër gola. Dhe ajo, teksa ka qenë edhe pjesë e Vllaznisë në Kupën e Kampioneve, ka bërë një vlerësim për shortin e kualifikueseve, që nis më 14 shtator 2015 dhe përfundojnë më 20 shtator 2016. “Nuk mund të flas tani për shanset. Ne përgatitemi në çdo ndeshje për të dhënë maksimumin dhe mundohemi të japim më të mirën tonë. E kjo është normale që do të ndodhë dhe në ndeshjet e ardhshme. Është një grup me kundërshtare të forta, aq më tepër që Franca është ndër më të mirat e botës, kur është e dyta në renditjen e FIFA-s. Normalisht na presin ndeshje të vështira, kurse objektivi jonë është që të mundim me çdo kusht Greqinë. Pastaj ndeshjet e tjera do t’i marrim me radhë.. Do të mundohemi të nxjerrim më të mirën tonë”. 
Trajneri i Francës Bergero: Respektojmë çdo kundërshtar të grupit
“Shorti është shumë i komplikuar. Kemi besim në forcat tona, por ne do të respektojmë çdo kundërshtar. Duhet t’i luajmë këto kualifikuese të Evropianit duke kërkuar që të bëjmë një figurë të mirë, që do të jetë shumë e rëndësishme për perspektivën tonë në Kupën e Botës më 2019”, ka nënvizuar trajneri i Francës, Filip Bergero.