Rraklli: “Dua të lëmë pas Greqinë!”

477
Sigal

Trajneri i Kombëtares së Femrave flet për faqen zyrtare të FIFA-s: “Çdo ndeshje është një histori!”

Trajneri i Kombëtares shqiptare të Femrave, Altin Rraklli, tha gjatë një interviste të gjatë për faqen zyrtare të FIFA-s, “Fifa.com”, se konkurrenti direkt i Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit “Kanada 2014” është Greqia. Ndaj grekeve fituam 1-0 në “Niko Dovana”, në takimin e zhvilluar më 30 tetor 2013. Pikërisht, historia e Kombëtares sonë të Femrave ka tërhequr edhe vëmendjen e qeverisë së futbollit botëror, FIFA-s.

HISTORI NË FUTBOLL

“Futbollistet e ekipit Kombëtar shqiptar erdhën në para-kualifikueset e Kampionatit Botëror 2015 për të shkruar histroinë e tyre. Me dy fitore dhe një barazim vendi nga Europa Juglindore bëri ‘kërcimin’ në fazën e grupeve të zonës europiane të Kampionatit Botëror. Një sukses me shumë vlerë për të. Vetëm në maj të vitit 2011 shqiptaret zhvilluan ndeshjen e tyre të parë ndërkombëtare dhe tani maten në kualifikueset e Botërorit me disa nga kombëtaret më të mëdha të futbollit të femrave”, – shkruhet në artikullin e Fifa.com. Nëse dikush do të kërkonte arsyet e këtij zhvillimi pozitiv, atëherë të vjen në një emër përpara: Altin Rraklli. Që nga viti 2001 është në bankinë ish-futbollisti profesionist i Bundesligës dhe i Kombëtares shqiptare, i cili midis të tjerash ka luajtur edhe me Hertën, Frajburgun dhe Unterhakingun. “Unë jam shumë i kënaqur sesi po zhvillohet. Para së gjithash, kur ju e konsideroni sesa i ri është ekip. Ne i kemi shfrytëzuar maksimalisht mundësitë që kemi pasur. Por, ama kjo nuk është vetëm merita ime”, – tha Rraklli në intervistën eksluzive për “Fifa.com”.  “Federata Shqiptare e Futbollit ka treguar një mbështetje të madhe për futbollin e femrave dhe po bën një punë shumë të mirë. Ta nisim për shembull me Presidentin tonë, i cili na ka ndihmuar shumë. Edhe FIFA e UEFA na kanë mbështetur me kurse trajnimi. Janë një grup i madh njerëzish, me të cilët unë dëshiroj të bashkëndaj sukseset tona”, – tha Rraklli.

RIVALE ME GREQINË

Me Norvegjinë, Belgjikën, Holandën, Portugalinë dhe Greqinë, Shqipëria lufton në grupin 5 për të prerë një biletë për në finalet e Kampionatit Botëror. Rraklli dhe ekipi i tij po e shijon në maksimum çdo ndeshje. “Në grupin tonë ne kemi vetëm gjigantë, më të mirët e më të mirëve. Mungon vetëm Gjermania”, – analizon 43-vjeçari me një buzëqeshje. “Për në është një përvojë shumë e bukur, të jemi këtu. Çdo ndeshje, edhe nëse ne e fitojmë, pësojmë shumë gola, apo humbasim dhe humbasim, na çon ne më tutje. Natyrisht, ne kërkojmë që të zhvillohemi në çdo ndeshje, të bëhemi më të mirë dhe të grupin tonë me lojtare të reja të përforcojmë. Nëse ne përfundim të ndeshjeve të fazës së grupeve si një ekip i ri nuk do të jemi të fundit, atëherë për ne do të ishte super!”. Ky është dhe qëllimi i Shqipërisë. Në 30 tetor festoi ansambli i Rrakllit fitoren e parë në grup, të regjistruar “Niko Dovana” me një 1-0 kundër Greqisë. “Ne kemi bërë përparime në drejtimin e duhur, por ende kemi shumë përpara. Ne kemi ende disa ndeshje për të bërë dhe e takimi i fundit është në Greqi. Natyrisht, Greqia është konkurrent ynë direkt në grup. Ekipet e tjera janë shumë të forta. Tani do të shohim nëse do të marrim ndonjë pikë ndaj Portugalisë. Për ne është çdo ndeshje një përvojë e bukur”.

SPORT I RI

Edhe pse futbolli i femrave në Shqipëri ndodhet në një rrugë të mbarë, ai është ende në fillime e tij. “Futbolli i femrave në vendin tonë është një sport i ri. Sigurisht, kërkon kohën e tij. Në Gjermani luhet prej 40 vjetësh futbolli i femrave. Suksesi nuk mund të vijë sot apo nesër”, – tha Rraklli për faqen e FIFA-s. Prej katër vitesh luhet në Shqipëri kampionati i fermave në futboll. Aktualisht luajnë tetë skuadra, në të cilin Rraklli ka pjesën e tij. Në vitin 2008 ai themeloi ekipin e futbollit të femrave, Tirana AS, me të cilën ai fitoi kampionatin në vitin 2009. Rraklli, i cili ka luajtur 63 ndeshje ndërkombëtare me Shqipërinë thotë: “Unë kam zhvilluar bisedime me përgjegjësit e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe me Ministrinë e Sporteve, që në shkollat për vajza të zhvillojmë një orë mësim futbolli, kështu që futbolli në femra do të ecte akoma më përpara”. Rraklli ka një pasion të veçantë për futbollin e femrave, dhe simpatiku 43-vjeçar ka një përgjigje të thjeshtë: “Fjala ‘futboll’ nuk ka ndryshim midis meshkujve dhe femrave. Futbolli është një lojë me 22 lojtarë dhe një top, dhe është si për meshkujt ashtu dhe për femrat i njëjtë”.

 Euro U-21/ Hungari-Shqipëri 0-2. Golat kuqezi mbajnë firmat e Shkurtajt dhe Shalës.

 Shpresat fitojnë me Hungarinë në ditëlindjen e Skënder Gegës

 Katër gëzime në një ndeshje të vetme, për Kombëtaren tonë U-21 në  fushatën eliminatore të Kampionatit Europian: arrin fitoren e parë; prish kuotën zero të pikëve në klasifikim, gjen fitoren e parë pas dy vitesh nga nëntori i vitit 2011 dhe i dhuron një “tortë fitoreje” si dhuratën me të mirë për trajnerin Skënder Gega, i cili dje kishte përvjetorin e tij gjysmëshekullor, pra të 50-tin. Të gjitha këto, pas fitores së pastër ndaj Hungarisë në Budapest, ndaj së cilës jemi “hakmarrë” në njëfarë mënyre për humbjen 2-1 në Durrës. Shpëtimtarë të kuqezinjve, por edhe të trajnerit Skënder Gega, i vënë në “tehun e thikës” për t’u shkarkuar nga rezultatet e dobëta, kanë qenë Vasil Shkurtaj dhe Heroind Shala, por të mbështetur nga një super Ergys Kaçe. Heronjtë kuqezi i kanë shënuar të dy golat në minutat 75’ dhe 83’ , duke e shpërblyer më së miri përpjekjet dhe e djersën e shokëve të skuadrës, që gjatë tërë ndeshjes janë shfaqur kërkues dhe të vendosur për një rezultat pozitiv. Ps pesë humbjeve radhazi në grupin 4, Shqipëria U-21 e ndal serinë negative në ndeshjen e 6-të, me triumf bindës në një transfertë jo pak të vështirë. Ajo që vlen të theksohet është fakti se kuqezinjtë tanë 21-vjecarë kanë luajtur mirë në Hungari, kanë krijuar volum loje dhe raste të mira finalizimi, duke qenë në njëfarë mënyre në antitezë me ndeshjet e kaluara. “Përforcimi” i ekipit Shpresa me Kaçen ka qëlluar i goditur, sepse talenti korçar i PAOK-ut ka krijuar ekuilibër mes reparteve, i ka dhënë frymëmarrje e siguri mesfushës sonë, ndërsa nuk ka ngurruar ta vërë në provë dy-tre herë portierin kundërshtar me goditjet e forta nga distanca. Në majën e sulmit tonë ka luajtur Shkurtaj, i cili është munduar të bëjë diçka, qoftë edhe nëpërmjet veprimeve individuale, por prapavija hungareze nuk ka lejuar asnjë hapësirë për konkludim deri në minutën e 75-të. Në atë moment ka filluar të anojë “peshorja” e rezultatit për Shqipërinë, që në minutën e 83-të ka dyfishuar shifrat me Shalën dhe e ka vënë suksesin në shina të sigurta. Nga ana tjetër, në portën tonë ka spikatur Teqja, me disa pritje vendimtare, duke evituar të paktën dy gola të sigurt në pjesën e parë. Tekniku Gega kishte hedhur në fushën e blertë formacionin e tij më të mirë, në përpjekje për të marrë fitoren e parë në këtë fushatë kualifikuesesh. Gjithsesi, mbetemi të fundit në grupin 4 me tri pikë. Ndeshjet e deritanishme të kuqezinjve janë këto: Shqipëri-Hungari 1-2, Bosnjë-Shqipëri 4-1, Shqipëri-Austri 0-1, Spanjë-Shqipëri 4-0, Shqipëri-Bosnjë 0-1, Hungari-Shqipëri 0-2.

HUNGARI-SHQIPERI  0-2

Golat: Shkurtaj 75’, Shala 83’

U-19 Shqipëri-Sllovaki, Prendi nderon Strakoshën

 Shqipëria U-19 barazoi  “in extremis” ndaj Sllovakisë (1-1) në ndeshjen e dytë në tokën bullgare, ku po zhvillohen kualifikueset e grupit 6 për “Elite Round” të Botërorit 2014. Po 1-1 u mbyll dhe ndeshja tjetër e grupit tonë, ai midis Bullgarisë dhe Greqisë. Në fakt, shpresat e Kombëtares U-19 të drejtuar nga Skënder Gega minimizohen në maksimum për të avancuar më tej në këtë kompeticion. Kuqezinjtë e Strakoshës, pasi kualifikohen vetëm dy të para, ndërkohë që ndeshjen e fundit e kemi me Bullgarinë vendase. Trajneri Strakosha kishte bërë ndryshime në formacion, me synimin për ta fituar takimin, por nuk ia doli më tej se barazimi. Këtë herë luajti nga minuta e parë sulmuesi kosovar, Faton Ademi, i cili është pjesë e ekipit U-19 gjerman, Herta Berlin. Ndaj Sllovakisë kemi pësuar gol që nga “tuneli”, pasi goli është shënuar që në minutën e tretë me penallti, pas një ndërhyrjeje të gabuar të Hoxhallarit. Minutat e mëpastajme kanë qenë të mbushura më përpjekje të Shqipërisë, por sërish na ka munguar finalizimi. Megjithatë, në minutën e parë shtesë, Prendi ka mundur të barazojë shifrat dhe të evitojë humbjen e dytë të tanëve. Duhet thënë se loja e tanëve ka qenë pozitive në përgjithësi, ashtu si ndaj Greqisë në ndeshjen pararendëse, por një moment ka kushtëzuar jo pak: goli i pësuar mjaft shpejt. Nëse me grekët ndëshkoheshim pak minuta para mbarimit të lojës, kësaj here ka ndodhur e kundërta. Kemi pësuar gol që në fillim të sfidës, por duke e barazpeshuar rezultatin në kohën shtesë. Në këtë mënyrë, kemi vetëm një pikë në klasifikim, po aq sa ka edhe Sllovakia, me shpresa krejt të pakta që të kualifikohemi për në “Elite Round”. Ndeshja mes dy kryesuesve, Bullgarisë dhe Greqisë përfundoi në barazimin 1-1, kështu që këto dy skuadra kanë për momentin nga 4 pikë secila. Kujtojmë që në përballjen e parë ndaj Greqisë, kuqezinjtë e rinj u ndëshkuan katër minuta para përfundimit të kohës së rregullt, 1-0.

SHQIPERI-SLLOVAKI   1-1

Golat: Prendi 90’/ Bero 3’ (pen)